X

“The Sun”: Bandat shqiptare që dominojnë botën e krimit në Britani


“The Sun” i ka kushtuar një artikull të gjatë grupeve kriminale shqiptare që veprojnë në Mbretërinë e Bashkuar, si pjesë e rubrikës “End of the Line”, që merret ekskluzivisht me organizatat kriminale që trafikojnë kryesisht kokainë brenda ishullit.

“The Sun” shkruan se sasia e lartë e kokainës që kanë sjellë në Britani grupet shqiptare ka ndryshuar tërësisht tregun e drogave në vend, duke sjellë edhe uljen e çmimeve në nivelet më të ulëta në histori.

Duke kujtuar se fluksi i emigrantëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar ka nisur që në vitet 1990, “The Sun” shkruan: “Shumë shtetas të Republikës së Shqipërisë pretendonin se vinin nga Kosova dhe ky është rasti më i madh i ndryshimit të shtetësisë në historinë afatshkurtër të emigracionit në vend”.

Shumë shqiptarë nisën të punon si truproje në lokale dhe shtëpi publike, ku dominonte mafia malteze, por shumë shpejt morën në dorë tregun e prostitucionit.

Sipas raporteve të vazhdueshme policore, kjo ndodhi për shkak të dhunës brutale që përdornin kriminelët shqiptare, sidomos me vajzat që trafikonin vetë, një sjellje që tronditi botën e nëndheshme të tregtisë së seksit.

“Kryesisht, tutorët i dhunonin vajzat në pjesë që mund të mbuloheshin lehtë, ndërsa shqiptarët i rrihnin kudo, ishin shumë, shumë të dhunshëm”, kujton Paul Holmes, ish-inspektor policie në Scotland Yard.

Burimet policore gjithashtu thonë se shqiptarët e mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar shërbyen si krah i fortë pune për grupet e tjera kriminale të vendosura në vend, ndërsa në Europë u bënë aleatët e parë të mafiozëve italianë ose grupeve turke që merreshin me trafikimin e heroinës nga Afganistani.

Dr. Jana Arsovska, ekspertja e kriminalistikës në “John Jay College” të Nju Jorkut, thotë për “The Sun”: “Duke qenë se Shqipëria ka qenë dikur nën kontrollin e Italisë, kishin afrimitet me italianët. Ndërsa tani kanë ndërtuar lidhje të drejtpërdrejta me furnizuesit e kokainës në Amerikën e Jugut”. Kjo ka bërë që edhe çmimi i kokainës të ulet ndjeshëm, pasi shqiptarët e shesin drogën me 5500 paund për kilogram, ndërsa furnitorët e tjerë europianë kanë një çmim katër herë më të lartë.

Shqiptarët janë vendosur pranë porteve kryesore që kanë komunikim me Mbretërinë e Bashkuar, si Antverp dhe Roterdami, ku vazhdimisht korruptojnë zyrtarët dhe doganierët për të kaluar mallin e tyre drejt ishullit.

Dhe gjërat mund të përkeqësohen. Tony Saggers, ish-shefi i njësisë së kërcënimit prej lëndëve narkotike brenda NCA (Agjencisë Kombëtare të Krimeve), ka paralajmëruar që në janar se një dalje e Britanisë nga Bashkimi Europian pa marrëveshje mund të bënte që droga të mbërrinte drejtpërdrejt në portet e vendit, në disa raste duke u trafikuar edhe me makina luksoze, si Bentley.

“The Sun” ka mësuar se një prej organizatave shqiptare me bazë në Kingston, Londrën jugperëndimore, merret drejtpërdrejt me shitjen e kokainës, por edhe të kanabisit që rritet në “ferma” të vogla në veri të Anglisë.

Të gjithë pjesëtarët e grupit kanë mbërritur në Angli me pasaporta bullgare të falsifikuara, me të cilat udhëtojnë lirshëm në vendet e Bashkimit Europian. Shqetësimi që ngrenë autoritetet është se bandat shqiptare po përpiqen të kapin tregun e shitjes me shumicë, por edhe atë të shitjes me pakicë, duke shtuar praninë e grupeve të vogla në rrugët e vendit.

“Shumë, shumë pak grupe kriminale mund ta bëjnë këtë”, thotë për “The Sun” një hetues. “Pyetja është, pse po e bëjnë shqiptarët këtë?”

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in KRYESORE
Detajet/ Sulmi ndaj Lubonjës, autori mbante thikë, thirri “s’keni parë gjë akoma”

Ditën e sotme u raportua se automjeti i analistit të njohur, Fatos Lubonja, është sulmuat në daten 1 Korrik. TPZ.al...

Close