X

Donald Trump kërkon të jetë një diktator. Nuk mjafton vetëm të qeshim me të


Nga Jonathan Freedland/ The Guardian
Përshtati në shqip: TPZ.al

Ndoshta jemi shumë të zënë duke qeshur, për të kuptuar ç’po ndodh. Ndoshta janë batutat dhe memet që Donald Trump prodhon me shumicë, ngjarjet e pambarimta, të cilat na verbojnë përballë fakteve ngjethëse me të cilat preferojmë të mos përballemi. E thënë thjesht, lideri i shtetit më të fuqishëm të botës, po sillet si një diktator autoritar, një lider që kërcënon demokracinë në vendin e tij dhe më gjerë.

Ja shembulli më i fundit, se si komedia mund të tërheqë vëmendjen. Të enjten, Donald Trump e festoi 4 Korrikun, duke i thurur lavde ushtrisë së SHBA-së, duke shpalosur heroizmin e një ushtrie që mundi britanikët në shekullin e 18, pjesërisht për faktin se “mori nën kontroll aeroportet”. Haha, vini re injorancën e presidentit. Ndërsa Trump e mbante këtë fjalim, binte një rrebesh shiu. Vetë Zoti i Madh ndoshta vendosi të sjellë këtë shi në paradën e Trumpit.

Por të gjithë të qeshurat, shërbejnë për të errësuar një fakt mjaft të ngutshëm: në kundërshtim të çdo precedenti, Trump e përdori Ditën e Pavarësisë, për të dhënë një shfaqje ushtarake, në të cilën tanket M1A2 dhe makineritë e armatosura rëndë, u shfaqën në Washington, ndërkohqë që avionët luftarakë dhe helikopterët mbushën qiellin. Gjeneralët, të vetëdijshëm për rëndësinë e ndarjes së ushtrisë dhe pushtetit politik, e kanë kundërshtuar qysh herët këtë ekstravagancë dhe në mënyrë të qartë, pjesa dërrmuese e shefave vendosën të qëndrojnë larg. Ata e kuptuan se këto lloj parakalimesh, janë shfaqje despotësh, jo demokratësh.

Një tjetër imazh i ngulitur në këtë 4 Korrik ishte ai i fëmijëve të ndarë nga prindërit e tyre, të cilët janë mbyllur në kampe paraburgimi në kufirin jugor të Amerikës. Dëshmi të avokatëve dhe doktorëve, të cilët u lejuan të hyjnë për pak caste në këto vende ferri, janë gati të papërballueshme për t’u lexuar: fëmijë të cilët nuk flenë, ndalimi i batanijeve apo dyshekëve, ndalimi për të larë duart dhe dhëmbët, foshnjet të lënë vetëm në të ftohtë, dysheme të forta, njerëz kaq të traumatizuar që rrinë ulur, në heshtje. Jam veçanërisht i përndjekur nga lajmi për “një djalë katër vjeçar i cili kërkontë të vriste veten, me fytyrë të gjakosur prej plagëve të cilat i kishte shkaktuar vetë”.

Kjo është ajo që bëjnë diktatorët: demonizojnë një grup – në këtë rast imigrantët – si një kërcënim alien, si një ushtri pushtuesish, kaq intensivisht dhe për kaq gjatë, sa që eventualisht, fati i tyre sado brutal dhe çnjerëzor, të duket i merituar, edhe kur u ndodh më të vegjëlve dhe më të papërkrahurve në këtë grup. Ndarja e familjeve, mbyllja e fëmijëve, në kampe të nxehta të pista dhe me sëmundje – këtë gjë bëjnë diktatorët.

Por ne hezitojmë ta shohim ashtu siç është. Sërish, të qeshurat na pengojnë. Ne qeshim kur Ivanka Trump hyn mes një kuvendi me liderë botërorë, duke bërë meme me #ivankaepaftuar, në vend që të konfrontohemi me realitetin, se Trump po bën atë që bëjnë diktatorët: ai po ndërton një dinasti të trashëgueshme, në mënyrë që pushteti i tij të mos përfundojë me vdekjen e tij. Ato imazhe të G20, na duken absurde, por ato do të kenë vlerë kur në vitin 2024 apo 2028, gjatë zgjedhjeve, të përdoren si provë se Ivanka na paskësh eksperiencë në skenën botërore.

Është e gjitha aty, nëse doni ta shihni. Nga impulsi kleptokratik – Trump që takon liderët botëror në hotelet e tij, në mënyrë që të përfitojë – deri tek admirimi i hapur për shokët e tij të fortë. Trump nuk po ngopet me Kim Jong-un, duke i falur atij një tjetër dhuratë propagande javën e shkuar, duke shkelur dhe legjitimuar, shtetin skllavërues që Kim udhëheq në mënyrë gjakatare dhe si përherë duke mos marrë asgjë në këmbim.

Në Osaka, në samitin e G20, ai po vërdallisej me Mohammed bin Salman, edhe pse OKB dhe CIA, bien dakord se lideri saudit, është drejtpërdrejtë përgjegjës për vrasjen e dhunshme të residentit amerikan, Jamal Khashoggi.

Sa për respektin që Trump tregon për Putin, është e habitshme se si disa mbështetës të tij e përshkruajnë si një njeri të fortë: në krah të presidentit Rus, ai duket si një adoleshent i dashuruar.

Bëni një listë të vetive të diktatorëve dhe Trump i plotëson të gjithë kriteret. Ai e thotë me zë të lartë se do të jetë president i përjetshëm, duke thënë se do të ishte “fantastike”. Ai ka sugjeruar shpesh se nuk do të pranonte rezultatin e zgjedhjeve nëse do të humbiste. Ai ka kërcënuar se do të burgosë kundërshtarët politikë. Ai ka të njëjtën sjellje si despotët në raport me të vërtetën – gënjen në mënyrë rutinë, edhe për çështje pa rëndësi, për të treguar forcë. Kaq e madhe është magjepsia që i shkakton mbështetësve të devotshëm, sa që mund t’i bëjë ata të bësojnë edhe gjëra që provohen lehtësisht si të pavërteta.

Ai ka mospërfillje për lirinë e shtypit njëlloj si despotët, duke folur gjithnjë për “fake news” dhe duke zhdukur konferencat për informimin ditor të Shtëpisë së Bardhë, të cilat  kanë patur për qëllim të shërbejnë për të kërkuar llogari ndaj administratave të kaluara.
Vini re, abuzimin me pushtetin, kur hakmerret ndaj kompanive që zotërojnë organizatat mediatike të cilat nuk i pëlqejnë: kërkon të rrisë tarifat e postës për Amazon, si hakmarrje ndaj Washington Post, në pronësi të Amazon-it të Jeff Bezos, apo lëvizjet për bllokimin e AT&T për të goditur CNN.

Momenti më ngjethës i takimit të tij me Putin, fundjavën e shkuar, ndodhi kur të dy këta burra, u pajtuan rreth urrejtjes së përbashkët për gazetarët: “Hiqini qafe”, i tha Trump homologut të tij në Kremlin, ndoshta duke patur zili për 26 gazetarët e vrarë në Rusi, gjatë udhëheqjes së Putin.

Mospërfillja për sundimin e ligjit, është e ngjashme me autokratët. Ndihmësit e tij injorojnë thirrjet për t’u paraqitur përpara Kongresit, ndërsa në emër të shpikjes së një krizë emigracioni në jug të vendit, ai u shndërrua në presidentin e parë amerikan, që vendosi gjendjen e emergjencës, vetëm për të shmangur fuqinë që Kushtetuta i jep Kongresit. “Ajo ishte një kapje pushteti qartazi autoritare”, tha Kristy Parker, një ish juriste e Departamentit të Drejtësisë, tashmë punonjëse e grupimit Mbro Demokracinë.

Përse ne nuk mund ta shohim këtë si një sjellje të një diktatori në tentativë? Pjesërisht është një problem gjuhësor. Despoti tipik i rrënjosur në imagjinatën kolektive, nuk flet anglisht. Përshtateni një fjalim të Trump në italisht, transmetojeni në bardh e zi dhe ndoshta atëherë do të shihnim ngjashmërinë. Pjesërisht arsyeja se përse nuk e shohim, është se Trump nuk ka mundur të bëjë më të keqen. Zgjedhjet nuk janë përmbysur, disidentët nuk janë burgosur dhe gazetarët nuk janë arrestuar. Kufizimet e sistemit në SHBA, deri tani, e kanë mbajtur Trump nën kontroll.

Por, kjo mund të na fusë në mendime të gabuara se jemi të sigurtë, ajo që politologu David Runciman e quan “kurthi i besimit”: besimi se, meqenëse demokracia i ka mbijetuar kërcënimeve të shkuara, do t’i mbijetojë edhe atyre të tashme apo të ardhshme. Kjo është vetëkënaqësi, sepse ato vegla kontrolli, janë duke u tretur me shpejtësi.
Vini re se si Trump po emëron gjykatës simpatizantë në numra rekord: nuk mund të mbështetesh tek gjykatat për të mbajtur nën kontroll një president, nëse gjykatat janë imazhi i presidentit.

E gjitha kjo shtron një dilemë urgjente në SHBA, ndërkohë që amerikanët punojnë për të gjetur mënyrën se si të frenojnë një president, i cili është një kërcënim për kushtetutën.
Shkarkimi i tij, mbart risk të lartë politikisht, edhe nëse është detyra kushtetuese dhe morale e demokratëve. Por Trump, përfaqëson një sfidë për aleatët e SHBA-së gjithashtu.

Ju pëlqen apo jo, SHBA është aktori më i madh në botën demokratike. Kur vendi udhëhiqet nga një diktator në tentativë, kjo i zhvlerëson standartet demokratike në mbarë globin. Si mundet perëndimi t’i kundërvihet Viktor Orbanit, kur përqafon Donald Trumpin?
Qytetarët dhe qeveritë në mbarë botën, duhet të kuptojnë se nuk shkon të sillen sikur asgjë nuk ka ndryshuar. Trump nuk duhet trajtuar, sikur presidenca e tij është normale, kur nuk është. Por, së pari, ne duhet të shohim qartë se çfare po ndodh dhe ndoshta të ndalim të qeshurën.


Nga Jonathan Freedland/ The Guardian
Përshtati në shqip: TPZ.al

 

More in IDE
Zot i kësaj bote, një lutje: Të lutem një Kryeministër normal!

Nga Pano Soko Një nga këta të thjeshtët, të mërzitshmit. Një nga këta që vishen me atë kostumin klasik, me...

Close