X

Spiropali telefonon urgjent Fugën: Ç’të bëjmë me tërmetet ditën e votimit?


Pa u gdhirë mirë dita, zëdhënësja e famshme e Rilindjes, Elisa Spiropali, mori në telefon tetë herë rresht, çdo pesë minuta, drejtorin e Komunikimit të Edi Ramës, Endri Fugën, i cili për shkak të gjumit të thellë të mëngjesit, nuk u përgjigj.

Por, dy orë më pas, sapo u ngrit nga gjumi, Fuga, i alarmuar nga telefonat e panumërt të Elisës, e mori menjëherë mbrapsht.

– Çfarë ka ndodhur, që ngrihesh pa gdhirë si kukudhi dhe i bie 100 herë telefonit, o Elisë?!

– Aman o Fugë, ti e di si jam unë… S’kam vënë gjumë në sy gjithë natën. Po tundet e shkundet,  i gjithë vendi nga tërmetet, dridhet gjithë Korça dhe Kolonja bashkë.

– E ç’tju bëj unë tërmeteve?! – ia ktheu Fuga i çuditur.

– Duhet bërë patjetër diçka. Merre atë lart, Skënderbeun… Të bëjë diçka, të paktën nesër në votime. Nuk do më vijë njeri në kuti o Fugë! Pale që gjysma e objekteve ku bëhen votimet, janë gërmadhë dhe një shkundje i hedh në tokë. Si thua, a mund të ndalojmë tërmetet për votime?

– Gjithë ky diell, gjithë kjo vapë, të paska shastisur fare o Elisë! Paske ikur fare! Po si t’i ndalojë?

– E gjen ai një mënyrë po të dojë. Ç’ka dashur e ka bërë në këtë dynja. Fundja, po nuk e bëri dot vetë, le t’i thotë atij Palmerit të Amerikës. Ndaloi që ndaloi opozitën, le të ndalojë 24 orë edhe tërmetet. Amerika bën ç’të dojë në këtë botë.

– Po pse moj Elisë, Lul Basha është tërmeti, që ta ndalojë Palmeri dhe Amerika? Paraja vërtet e hedh ujin përpjetë, por jo deri aty sa të ndalohen edhe tërmetet.

– Po ç’të bëj o Fugë? Ju më keni dhënë edhe këtë aktorin e humorit për kryetar në Kolonjë, që qan dhe më thotë se, po nuk erdhi populli dhe po nuk fitova votimet do vras veten, se më tallin shokët.

– Nuk vret veten ai jo. Nuk bie rrufeja mbi aktor o Elisë. Po të binte mbi aktor, do t’i kishte rënë Laert Vasilit shtatë herë dhe do ta kishte vrarë në mes të studios së Tur Zhejit, bashkë me gjithë ata analistë të shquar.
Tani  mblidhe veten, futjuni punës dhe i thoni popullit, që në ditën e votimeve tona, nuk mund të bjerë asnjë tërmet!  E ka thënë  Amerika, thuaju votuesve, vetë Palmeri e ka thënë.

– Po si ‘tju them o Fugë, pa një garanci të plotë, nga ky yni? Të paktën… – vazhdoi të fliste Elisa, por ndërkohë Fuga e kishte mbyllur telefonin…

/TPZ.al/ Tej e këtej/