X

Lideri Edi Rama thyen në not, rekordin e kryetarit Mao, ja çfarë do të bëjë populli pas votimeve


Mëngjesin e sotëm, fiks në orën 06:00, pikërisht në kohën, kur nesër do të hapen kutitë e votimit, lideri suprem i Rilindjes, Edi Rama, hypi në një varkë, i shoqëruar nga skuadra e komunikimit, fotografive dhe ERTV-së dhe u depozitua në det,  në largësi 800 metra nga bregu.

Dy minuta pas këtij stacionimi, lideri u hodh në ujë dhe filloi të notonte me shpejtësi, të pashembullt dhe të pakrahasueshme, me asnjë notim të  liderëve të tjerë, të kohëve moderne. Hera herës, lideri ynë ngrihej lart dhe përshëndeste me dorë  hapësirën bosh drejt bregut, domethënë të gjithë popullin, që do ta ndiqte më pas këtë spektakël në televizionin ERTV, pasi të ishte prerë dhe montuar me parametrat e duhura, konform rregullave të regjimit.

Në mënyrë të posaçme, ekipi i komunikimit ishte kujdesur, që distanca mes varkës dhe bregut, nga u nis lideri të notonte, të ishte e barabartë me gjerësinë e lumit të madh kinez, Jance, ku 53 vjet më parë, lideri i madh i popullit kinez, kryetari Mao, realizoi kalimin historik të këtij lumi. Kujtojmë, që pasi Mao Ce Duni, bëri këtë kalim madhështor në lumin Jance, pjesa më e madhe e popullit kinez, duke filluar nga fëmijët dhe deri tek moshat e kaluara, filluan të stërviten, me detyrim, për të kaluar të paktën një herë në jetë lumin Jance.

Noti madhështor i liderit Rama, 24 orë para votimeve, pritet të shoqërohet me një lëvizje kombëtare, ku çdo votues rilindas, pasi të hedhë votën për kandidatët e çmuar lokalë, do të zhytet në të gjithë llojet e ujrave anë e kënd Shqipërisë. Me këtë rast pritet që veçanërisht, Elisa Spiropali, ndryshe nga shumë rilindas të tjerë, që do të zhyten edhe në ujra të ëmbla, të udhëtojë urgjent nga Kolonja drejt Sarandës, për t’u hedhur nga varka dhe për të realizuar, si Skënderbeu,  një video fiks 20 sekonda, me ujë të kripur deti.

Njoftojmë njëkohësisht, se Taulant Balla, do të hidhet në një nga llixhat e Elbasanit, pavarësisht temperaturave të larta dhe erërave të pakëndshme.

Populli i varfër rilindas, i niveleve poshtë, pritet që të zhytet ku ta zërë votimi, pranë deteve, lumenjve dhe përrenjve që ende vapa nuk i ka tharë.

PS. Shihni më poshtë videon e liderit tonë dhe fotot e kryetarit Mao.

/TPZ.al/ Tej e këtej/

More in TEJ E KETEJ
Avokati i ndritur Ngjela, në mes të kësaj vape të tmerrshme, i jep urdhër politikës amerikane…

Avokati ynë i ditur dhe mjaft i njohur, në këto ditë përvëluese, që kanë pushtuar Shqipërinë, por edhe kontinentin, ka...

Close