X

Zgjedhjet në Stamboll tregojnë si fitohet demokracia


Nga Daron Acemoglu, James A. Robinson

Kur Këshilli i Lartë Zgjedhor në Turqi, i dominuar nga të emëruarit e presidentit Rexhep Tajip Erdogan, anuloi zgjedhjet bashkiake të Stambollit më 6 maj, e gjithë bota kishte të drejtë të shqetësohej. Por tani që u mbajt një votim i dytë, është Erdogan ai që duhet të shqetësohet.

Zgjedhjet lokale të këtij viti – të mbajtura fillimisht më 31 mars – janë konsideruar gjerësisht si një referendum mbi sundimin autoritar të Erdoganit. Me rivotimin në Stamboll, tashmë rezultatet janë të plota.

Koalicioni i opozitës, i udhëhequr nga Partia Popullore Republikane (CHP), fitoi në tre zonat më të rëndësishme metropolitane të Turqisë: Ankara, Izmir dhe Stamboll.

Si kryeqyteti ekonomik i vendit dhe qyteti më i populluar, Stambolli ishte çmimi i vërtetë. Përveç rëndësisë së tij simbolike, ai gjithashtu ofron pushtet dhe burime të konsiderueshme (dhe mundësi për korrupsion) tek ata që e kontrollojnë atë.

Siç ka thënë edhe vetë Erdogani, “kushdo që fiton Stambollin, fiton Turqinë”.

Ashtu si liderët populistë në Filipine, Brazil, Hungari, Poloni dhe vende të tjera, Erdogani, i cili e nisi karrierën e tij politike si kryetar i bashkisë së Stambollit në vitet 1990, dukej i gatshëm të bënte atë që nevojitej për të ndryshuar rezultatin zgjedhor që nuk shkoi siç donte ai.

Por opozita i shpërfilli ata që donin që ajo të bojkotonte rivotimet dhe në vend të kësaj hyri në zgjedhjet e reja me vendosmëri edhe më të fortë, duke mposhtur Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Erdoganit, e cila ka qeverisur Turqinë që nga viti 2002 dhe Stambollin që nga viti 1994.

Kryetari i ri i bashkisë, Ekrem Imamoglu i CHP, mori më shumë se 54 për qind të votave kundër ish-kryeministrit Binali Yıldırım të AKP-së.

Rëndësia e këtij rezultati shtrihet përtej Stambollit dhe madje edhe përtej Turqisë, sepse ai është si një rreze drite në pikën më të dobët të populistëve autoritarë: kutinë e votimit.

Populistët e sotëm nuk janë njësoj si liderët e kaluar në Amerikën Latine, Azinë Jugore dhe Turqinë, të cilët mbanin veshje ushtarake dhe e morën pushtetin nëpërmjet grushtit të shtetit.

Këta armiqtë më të hershëm të demokracisë, si Augusto Pinochet në Kili, e mbajtën pushtetin e tyre me anë të dhunës, duke vrarë, torturuar dhe burgosur rregullisht këdo që kundërshtonte sundimin e tyre.

Ndryshe  nga kjo, populistët autoritarë të dy dekadave të kaluara erdhën në pushtet nëpërmjet zgjedhjeve dhe (zakonisht) nuk i vrasin kundërshtarët e tyre.

Në shumicën e rasteve, ata janë zgjedhur për shkak se ata artikuluan dhe pastaj shfrytëzuan pakënaqësinë publike për pabarazitë ekonomike dhe mobilizuan ndarjet kulturore.

Pasi erdhën në pushtet, ata legjitimuan sundimin e tyre përmes demonstrimeve të mbështetjes elektorale, të fituara duke përcaktuar përkrahësit e tyre në kontradiktë me anëtarët e tjerë (më pak të denjë) të shoqërisë.

Shumë autoritar

Problemi, natyrisht, është se një strategji e bazuar në polarizimin e elektoratit nuk nënkupton një angazhim për zgjedhje të lira dhe të ndershme, e aq më pak për respektimin e të drejtave civile.

Megjithatë, është e rëndësishme të mbani mend se ata në fund të fundit mbështeten në mbështetjen e shumicës, që është pikërisht arsyeja përse ata ndiejnë nevojën për të anuar zgjedhjet në favor të tyre dhe për t’u bërë presion mediave që të shkruajnë në favor të tyre.

Erdogan e ka përdorur gjerësisht këtë metodë. Ai erdhi në pushtet duke u mbështetur tek turqve më fetarë, më pak të arsimuar dhe më pak perëndimorë, të cilët ndihen të përjashtuar politikisht, ekonomikisht të margjinalizuar dhe të kulturuar. (Në fakt, përfaqësuesit e këtij grupi kishin pushtetin e përbashkët në forma të ndryshme për dekada me radhë, por ishin bërë gjithnjë e më ambiciozë në proces e sipër.)

Pasi erdhi në pushtet, Erdogani theksoi popullaritetin e tij mes “popullit” dhe gëzoi disa fitore elektorale gjatë 17 viteve të fundit.

Por ai u bë gjithashtu tepër autoritar. Mediat e shkruara të Turqisë dhe stacionet televizive nuk kanë më asnjë pavarësi, dhe sistemi gjyqësor dhe forcat e sigurisë kontrollohen nga besnikët e Erdoganit.

Deri së fundmi, kjo fushë e shtrembëruar veprimi nënkuptonte se Erdogani mund të vazhdonte të fitonte zgjedhjet dhe të bazonte legjitimitetin e tij në mbështetjen popullore. Por kur AKP humbi shumicën e saj parlamentare në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2015, Erdogani duhet të vepronte.

Si president, ai bllokoi formimin e një qeverie koalicioni dhe detyroi të mbaheshin zgjedhje të reja në një mjedis më të polarizuar dhe gjithnjë e më represiv. Ndërsa ai doli fitimtar në këto zgjedhje të re, legjitimiteti dhe autoriteti i tij mbeti i paprekur.

Përpjekja e Erdoganit për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të Stambollit ndoqi të njëjtën logjikë. Por, pasi humbi, thembra e tij e Akilit është ekspozuar.

Ai që fiton me anë të kutive të votimit, gjithashtu humbet nëpërmjet kutive të votimit. Pikërisht kjo është pika ku duhet të mposhten autoritarët populistë të të ditëve të sotme dhe prej nga mund të fillojë rindërtimi i demokracisë.

Përjashtimi i dukshëm modern është Venezuela nën drejtimin e presidentit Nicolas Maduro. Por, ndërsa Maduro fillimisht erdhi në pushtet përmes zgjedhjeve, sundimi i tij ka qenë gjithmonë i bazuar në kontrollin e ushtrisë dhe ai ka hequr dorë nga çdo pretendim për legjitimitet popullor.

Brazili, Filipinet dhe shumë vende të tjera nën sundimin populist nuk janë në të njëjtën varkë. Për ta, dhe vetë turqit, zgjedhjet e Stambollit përmbajnë një mësim të rëndësishëm.

CHP-ja kishte kohë që nuk arrinte të siguronte një kundërpeshë efektive për AKP-në, sepse refuzonte të zhvillonte një platformë popullore, duke u kapur në vend të kësaj pas rolit të saj tradicional si partia e kundërlaicizmit të ngurtë.

Por kjo ndryshoi me Imamoglun, i cili zhvilloi një fushatë pozitive të përqendruar në përmirësimin e mirëqenies, duke ofruar shërbime më të mira komunale, reduktim të mbeturinave, shkatërrim të korrupsionit dhe – në rastin e rivotimit – duke ofruar rivendosjen e demokracisë.

Ai fitoi sepse ai u shkëput nga kufijtë e vijave ideologjike polarizuese, retrograde. Një qasje pragmatike e ngjashme që fokusohet në përmirësimin e jetës së njerëzve do të përbënte një sfidë të rëndësishme për populistët gjetkë.

Të jemi të sigurt, ky nuk është fundi i sundimit të AKP-së në Turqi. Erdogani nuk ka pse të dalë në zgjedhje deri në vitin 2023 dhe partia e tij ka një shumicë të fortë parlamentare.

Për të forcuar besueshmërinë e saj, CHP duhet të përmbushë premtimet e fushatës, gjë e cila s’do të jetë aspak e lehtë me Erdoganin që përpiqet ta dëmtojë atë në çdo hap që hedh.

Por, në fund të ditës, populistët e marrin pushtetin e tyre nga padrejtësitë e vërteta. Vetëm duke iu përgjigjur këtyre padrejtësive, jo duke i shpërfillur ato, partitë e opozitës mund ta rimarrin përsëri demokracinë nga uzurpuesit e saj populistë.

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN. Copyright Project Syndicate.

Birn

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in ANALIZË
A ishte kjo humbje fillimi i fundit të Erdogan?

Nga Mark Lowen, BBC Teksa po bëhej gjithmonë e më qartë shkalla e fitores e Ekrem Imamoglu, mbështetësit e tij...

Close