X

Rama-Keshi, përgjimi që shpjegon gjithçka

Nga Enton Abilekaj

Në një përmbledhje audiopërgjimesh të renditura në mënyrë që të kuptohet qartë hierarkinë e organizatës që po blinte votat, gazeta “Bild” këtë herë ndihmoi në zbardhjen e zgjedhjeve të 11 shtatorit 2016 në Dibër. Asgjë e papritur nuk do të dilte sot, përveç faktimit me biseda të transkriptuara të atyre akuzave qe rëndojnë mbi maxhorancën prej 3 vjetësh. E paptitura e vetme ishte sjellja e Edi Ramës.

Në fillim e quajti shërbëtor të Sali Berishës që po bllokon integrimin e Shqipërisë. Akuzë që tentonte dëshpërimisht të mbante me kurajo të vetët, ata që e votojnë se urrejnë Berishën dhe ata që mund të besojnë që integrimin e Shqipërisë nuk po e vonon ai që e ka përgjegjësinë, pra Edi Rama, por ata që publikojne bëmat e tij.

Pastaj nxori bisedën me Arben Keshin dhe me krenari shkruante se do ta përsëriste të njëjtën bisedë. Ai që mban karrigen e Kryeministrit thotë që do të fliste edhe një herë me njeriun që opozita e kishte denoncuar për blerje votash, me atë që opozita e sulmoi edhe fizikisht pasi e kapi duke blerë votat. Më mirë se opozita këtë duhet ta dinte Edi Rama. Por, edhe sikur të besonte se nuk e dinte, ai si përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve dhe luftën kundër krimit, nuk mund të inkurajonte një të akuzuar, pikërisht për krimin që organizohej. Kjo për telefonatën e atëhershme, ndërsa për reagimin e sotëm, pas u dëgjuar qartë se si Arben Keshi ishte protagonisti kryesor i krimit elektoral, minimalisht Edi Rama duhet të kërkonte ndjesë.

Kulmi arriti me reagimin e tretë. Ishte qesharak në pamje të parë, por në fakt është i frikshëm. Ashtu si Erdogan që ka filluar luftën me gazetarët gjermano-turkë, Edi Rama e kërcënon me gjyq gazetarin që nuk ka shtuar asnjë fjalë më shumë nga përgjimet e Prokurorisë shqiptare. Atje, në Gjermani, ku shtypi nuk ka njohur kurrë presion, ai pretendon se do të fitojë betejën me fjalën e lirë. Kjo është shenja më e frikshme e lëshimit nga frerët, e një të kapuri në flagrancë që po bën ç’është e mundur të dalë nga rrjeta e përgjimeve, edhe duke kërcënuar gazetarët e huaj. Sikur të mos flitej në përgjime për blerje votash, sikur të mos të publikohej pazari i votave ku merrnin pjesë të gjithë, zyrtare e biznesmenë, do mjaftonte vetëm biseda mes Edi Ramës dhe Arben Keshit për të rrëzuar këtë mekanizëm të shkatërrimit të votës.

Dëgjon bisedën dhe nuk mund të mos pyesësh, pse Edi Rama nuk flet me kandidatin për Bashkinë e Dibrës por me Arben Keçin? Pse komplimentet për rezultatin i shkojnë atij që më vonë u shpërblye me një emërim në Bulqizë dhe jo atij që mori votat? Pse Muharrem Rama nuk përmendet në asnjë bisedë? Është e qartë që Edi Rama nuk po kërkonte një rezultat politik, kandidati nuk ka lidbje me rezultatin, ai po kërkonte një rezultat të “kopsitur” mirë në rrugë të paligjshme. Pas atij rezultati nuk ka asnjë kuptim të urohet kandidati, por ata që e arritën rezultatin. Në fund fare kandidatin nuk e përmend askush sepse ai është thjesht një marionetë që mafia elektorale e ka nxjerre si figurë butaforike që fsheh atë që ndodh në errësirë. Një errësirë që kontrollohet nga Edi Rama. /Dosja.al/

More in IDE, LAJME
Përgjimet/ Koço Kokëdhima: Dorëheqja e Ramës është shumë pak

Partia “Zgjidhja”, e drejtuar nga Koço Kokëdhima ka reaguar në lidhje me audio-përgjimet e “Dosjes 184”, të cilat u publikuan...

Close