X

Çadra e opozitës nuk paska qenë një gabim, duhet ngritur përsëri


Nga Gentian Gaba

Nuk kishte politolog, ekspert zgjedhor, politikan apo gazetar të aftë që të shpjegonte fitoren
‘publicitare’ të Dibrës.

Fitorja për kandidatin e atëhershëm të opozitës dukej se ishte në pjatë. Edhe pse përballë një force të dëmtuar moralisht nga skandali i Shukri Xhelilit; edhe pse përballë një kundërshtari të konsumuar që kishte dështuar me premtimet elektorale të vitit 2013, Sherefedin Shehu, pësoi një humbje shumë të thellë.

Muharrem Rama fitoi me 4 mijë vota më shumë, krahasuar dhe me rezultatin e ngushtë të vitit 2015, ku pati një diferencë prej rreth 400 votash mes dy kandidatëve.

Megjithatë e ‘vërteta vonon, por nuk humbet kurrë’. Raundi i dytë i përgjimeve, edhe këto të publikuara nga gazeta gjermane Bild, nxori në dritë makinerinë e ngritur në këmbë nga mazhoranca për të fituar me çdo çmim atë bashki, e cila mesa duket, shërbeu si provë gjenerale për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.

I dëgjuam të gjithë, njëri pas tjetrit, madje do të dëgjojmë të tjera ditët në vijim. Nga kryeministri që pret me ankth rezultatin e kopsitur, te Pjerin Ndreu, sot kandidat për bashkinë e Lezhës, që kërcënon me fluturim nëse nuk voton hapur PS-në.

Nga Damian Gjiknuri, asokohe ministër dhe sot bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, që çon një fugon me çuna problematikë, te fakiri që kërkon 200 mijë lekë për katër vota sepse do fejohet ato ditë.

Për një pjesë të madhe të shqiptarëve, këto përgjime përbëjnë një habi, dikush qesh me to dhe dikush qan për pasojë të krupës që ngjallin. Ndërsa për opozitën nuk përbëjnë asgjë të re. E dinin, madje Partia Demokratike kishte denoncuar në prokurori fenomenin në 1 shtator 2016, 10 ditë përpara hatasë elektorale.

Për shkak të kasaphanës dibrane, si dhe për lidhjet e mazhorancës me krimin, të faktuara nga nevoja për një ligj ad hoc (dekriminalizmi), ndërtuan një strategji politike për të mos lejuar vjedhjen e zgjedhjeve të përgjithshme. Në mes të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” u ngrit një çadër.

Një ‘bunker’ simbolik nga i cili kërkohej mbrojta e zgjedhjeve nëpërmjet një Qeverie Teknike. Pas zgjedhjeve Çadra dhe Qeveria Teknike u anatemuan, më së shumti nga propaganda sallakse që gjente jehonë te kundërshtarët e Bashës.

Mirëpo përgjimet, të Durrësit dhe të Dibrës, vërtetojnë se të dyja ishin pjesë e një strategjie të saktë. Një kauzë e drejtë që nuk u çua dot deri në fund, por që sot mund të përmirësohet deri në suksesin final.

Sepse përgjimet faktojnë se me Ramën kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje, sikurse kërkonte opozita në vitin 2017. Përgjimet faktojnë se me Ramën kryeministër aparatura shtetërore nuk i shpëton dot sistemit kapilar të blerjes së votës (ai telefonon për të kërkuar rezultate sipas pritshmërive).

Përgjimet faktojnë se një ‘Qeveri Tranzitore’, pa Ramën kryeministër, është zgjidhja e vetme për të rikthyer besimin tek vota dhe për të neutralizuar të gjitha ndërhyrjet, qofshin ato të administratës apo të gangove të ‘Rilindjes’. Përgjimet faktojnë se ndërkombëtarët, edhe ata që në vitin 2017 deklaronin se kishte 2 miliardë euro para të pista me të cilat mund të bliheshin vota, nuk e kanë haberin e situatës reale në vendin tonë.

Për më tepër, përgjimet faktojnë se Bashës dhe opozitës, i detyrohen një ndjesë të madhe, shqiptarë dhe të huaj, sepse vendi ka humbur të paktën dy vite kohë në raport me të vërtetën dhe zhvillimet integruese.

Veçse, që në Shqipëri të kthehet normaliteti, nuk mjaftojnë vetëm përgjimet. Për të arritur një Qeveri Tranzitore, që të lajë hesapet me kriminelët zgjedhorë, duhet një protestë e qëndrueshme, duhet një reagim i fortë për t’i thënë boll më atij që ka ende guximin për të abuzuar me durimin e të indinjuarve nga këto biseda të turpshme.

Falë gazetës Bild, shqiptarë e ndërkombëtarë, kuptuan pse u ngrit Çadra e parë, ndoshta ka ardhur momenti që të gjithë të kërkojnë ngritjen e së dytë.

More in BLOG, LAJME
Basha deklaratë urgjente në 21:00

Në orën 21.00 kryetari i PD, Lulzim Basha do të dalë në një deklaratë urgjente për mediat nga selia blu....

Close