X

“Demokracia“, një lojë mes sundimtarëve të Shqipërisë


Nga Sokol Shameti

Vendimi i fundit i Presidentit të Shqipërisë për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore ishte një argument më shumë në bindjen tashmë të përgjithshme se baza ligjore mbi të cilën mbështetet e ashtuquajtura “demokraci” shqiptare është vetëm një balonë letre.

Në pamje të parë, superstruktura ligjore mbi të cilën funksionon sot sistemi politik dhe ekonomik në vendin tonë ngjan si një mekanizëm hijerëndë dhe i ndërlikuar.

Në realitet, produkti i këtij “mali të mbarsur” është një mi. Është një parodi banale me parti politike të sunduara nga kryetarë të cilët në pushtet shndërrohen në sulltanë absolutë. Me lista zgjedhore të spastruara prej intelektualëve, mendimtarëve e idealistëve për t’ia lënë vendin gjithë skotës më të përzishme të banditëve, sharlatanëve dhe batakçinjve, merita e vetme e të cilëve është se mund të sjellin në hambarin e kryetarit vota, me çdo metodë, çdo kompromis e çdo çmim. Me qeveri e pushtet vendor të shndërruar në një rrip vigan transmisioni që furnizon pa pushim gurmazin e pangopur të mafies me para publike që u merren të varfërve. Me kushtetutë e cila në frymë duket si një dokument që garanton demokracinë por e interpretuar tekstualisht është e aftë të justifikojë instalimin e një diktature fashiste.

Përpjekja për t’i dhënë një farë legjitimiteti kësaj farse të madhe që po zhvillohet prej 30 vjetësh, po shkërmoqet me shpejtësi këta muajt e fundit.

Mbështjellja ligjore e grabitjes në shkallë industriale që u bëhet të varfërve në këtë vend prej tashmë 3 dekadash, ka pasur edhe më herët fiaskot e saj, por vetëm në harkun e vitit të fundit ajo po diskreditohet me një ritëm që nuk ishte njohur më parë.

Në sytë e shqiptarit të zakonshëm, ajo që shpesh aktorët partiakë e quajnë me termin “loja politike” po ngjan përditë e më shumë ashtu siç edhe e quajnë, pra: një lojë.

Në thelb, gara mes dy a tri forcave (a)politike të cilat sundojnë sistemin, është tashmë e qartë se nuk është një garë për të ndryshuar diçka në sistemin që varfëron shumicën dhe pasuron pakicën. Në fakt ajo është një garë e ethshme se kush do të jetë ai që do ta operojë sistemin. Dhe njerëzit e kuptojnë këtë. Ata nuk janë deficientë.

Në fund, e gjithë arkitektura e legjislacionit, kodeve, rregulloreve, balancës e kontrollit të ndërsjellë, e me pak fjalë, gjithçka përbën atë që ata e quajnë “rregullat e lojës” në të vërtetë është pikërisht ashtu: një rregull i lojës që e shesin për papajtueshmëri thelbësore; për kontrast mes të ndryshmeve; për distancë mes dy poleve. Po ky është një falsitet tashmë i ekspozuar e i bërë qepaze në sytë e të gjithëve.

Si në çdo lojë, edhe në këtë lojë luftash nuk ka luftë të vërtetë. Nuk ka armiq të vërtetë dhe sigurisht nuk ka as viktima të vërteta. Pas lojës, “të vrarët” ngrihen, shkundin rrobat dhe shkojnë në pijetoren e prapaskenës për të shuar etjen e për të diskutuar pika të skenarit së bashku me “vrasësit” e vet.

Dhe që është pikërisht kështu, u kujdes të na e konfirmojë presidenti me vendimin e tij.

Siç e kanë konstatuar edhe vëzhgues të tjerë, nga një pikëpamje të pastër politike, anulimi i datës së zgjedhjeve nuk është gjë tjetër pos përpjekje për të mos e lejuar “lojën politike” të përfundojë në diçka më shumë se thjesht lojë.

Ajo që Presidenti kumtoi përmes vendimit të tij është një thirrje për dy lojtarët në fushë për t’u bërë esëll e për të dalë pak nga roli të cilin siç duket këta e kanë përvetësuar më shumë se ç’duhet.

Me anulimin e një date të përcaktuar në Kushtetutë, presidenti u kërkoi palëve të mos e marrin shumë seriozisht këtë lojë, këtë kushtetutë, këto zgjedhje e të tjera broçkulla si këto të cilat në fund dihet që kanë të njëjtin qëllim-të garantojnë se funksionon iluzioni i demokracisë: sistemit ku njerëzit kanë diçka në dorë.

Po ta shohësh me një sy të paanshëm e të ftohtë, nuk ka më asnjë dyshim se aq pak seriozisht e marrin këtë popull të ashtuquajturit vendimmarrës saqë nuk kanë marrë as mundimin për të ndërtuar ndonjë sistem ligjor pa kundërthënie skandaloze.

E njëjta klasë politike e cila betohet mbi Kushtetutën e votuar nga populli, ia ka përshtatur aq shpesh këtë Kushtetutë përjetësimit të vet në pushtet, saqë e vetmja fjalë në të, për të cilën vërtet ka votuar populli, qëndron në kapakun e këtij dokumenti. Së fundi, pasi e kanë shndërruar Kushtetutën gradualisht në një paçavure, kërkojnë që populli të revoltohet nëse ajo shkelet sërish për të 100-tën herë.

E njëjta mazhorancë që votoi me arrogancë për presidentin që sot kujdeset që legjitimiteti i farsës së demokracisë të mos diskreditohet përfundimisht, sot kërkon kokën e tij në tepsi.

I njëjti Kuvend që mund të shkarkojë dhe “emërojë” presidentin për të cilin është bërë pishman, është njëherazi edhe në mëshirën e po këtij presidenti, i cili mund ta shpërndajë fare lehtë atë.

E njëjta Gjykatë Kushtetuese mungesa e së cilës pamundësonte sipas qeverisë diskutimin e zhvillimit të zgjedhjeve, pamundëson sot që qeveria të vërë në diskutim vendimin e presidentit për mos zhvillimin e zgjedhjeve.

Seria e paradokseve është e pafundme por e vërteta të cilën ato ilustrojnë është një dhe e vetme: inkonsistenca dhe babëzia e pandalshme e kësaj klase politike për t’ia akomoduar “armaturën” e ligjeve të shekullit XXI sundimit të tyre feudal, e ka shndërruar legjitimitetin e politikës në një skenë donkishoteske. Në një karakatinë anakronike të cilën përveçse ta qesëndisësh, nuk mund t’i rezervosh dot asnjë marrje seriozisht. Fatkeqësisht.

Mapo.al

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in IDE
Anullimi i zgjedhjeve/Gafa e pafalshme e Ilir Metës

Nga Andi Bushati Ilir Meta mund të ketë pasur të gjitha arsyet e botës të ndërmerte aktin radikal dhe të...

Close