X

Sokol Balla, “Shërbëtori i Revolucionit” dhe Kryeministri në hall!


Nga Ermal Mulosmani

Sokol Balla  shpalli sot në Facebook “Batutën e ditës”!

Ishte Kryeministri i Shqipërisë, Zoti Edi Rama, që i drejtohej Agron Gjekmarkajt me fjalët :” Unë kam lidhje me Krimin, Mafian ose Hajdutërinë sa ke lidhje ti me Richard Gere”!

Kjo batutë e Kryeministrit e kishte impresionuar shumë Sokolin tonë, gazetarin e njohur, një nga pikat e referimit të debatit publik politik në Shqipëri!

Por, këtu do të merrem pak me Sokolin e më shumë me batutën.

Batuta në fjalë ishte e studiuar përpara se të mbërrinte në studio Kryeministri. Dikush ishte marrë me gazetarët e pranishëm dhe mënyrën se si do t’i përqeshte Kryeministri ata. Për Agronin ishte bërë një qëmtim i poshtër, fizik.

Flokët e bardhë e me thinja, një detaj krejt i papërfillshëm që e përqaste me aktorin e famshëm, ikonën e kinemasë – Richard Gere- i shërbyen një mendjeje perverse, të ndyrë, për të nxitur humorin kolektiv, deri edhe reagimin e sotëm të kolegut të Agronit, moderatorit Sokol Balla!

Medemek, Kryeministri po i thoshte Gjekmarkajt “A mos të duket vetja ty si Richard-i i madh”. Sigurisht, për ta maskuar fyerjen futet aty edhe Sofia Loren, bashkë me Richardin…Nuk duhej që të kërciste shumë…

Fare nuk kishte qëllim të bënte distancën e Kryeministrit nga bota e krimit, kjo ishte absolutisht e parëndësishme në këtë moment!

Zëdhënësat e zotit Kryeministër e përhapën në kohë rekord, batuta e bëri të vetën. Mundet të ishin porositur më përpara që ta bënin. Gazi publik, gajasja që pason batutat e zotit Kryeministër është po aq e planifikuar e linçuese sa edhe batutat e tij!

Zoti Gjekmarkaj, një emër i njohur në opinionin politik, që nga ky moment e humbi pak pusullën. Sigurisht, nëse do të ishte pak më i kthjellët, duhej të çohej nga studio e ta linte të vazhdonte monologun masturbues Kryeministrin.

(Për t’u përmendur këtu, monologu sqarues, pa ndërhyrje, i Kryeministrit zgjati vetëm 20 minuta! Me insistimin e Sokolit sigurisht)

Por jo, kjo nuk ndodhi. Pak më vonë Kryeministri e vazhdoi linçimin. “Knockdown”-i i dhënë pak më parë duhej shoqëruar me një grusht tjetër. Dhe ia plas sërish, e quan  “Shërbëtor të Revolucionit”!

Po akuzonte kështu një profesor të nderuar në Universitet, një zë të moderuar të debatit publik, një njeri të cilin askush nuk e konsideron militant partie. Por, ç’rëndësi ka e vërteta, ku pyet  Ky se kë ka përballë…Skrupujt dhe mirësjellja, etika e komunikimit dhe qetësia kanë lidhje me Kryeministrin sa ka Sokol Balla me Larry King-un (do të thoshte Kryeministri).

Përdhosja, poshtërimi përmes batutës është standarti më i lartë që Kryeministri ynë njeh. Ai e komplekson kundërshtarin i cili stepet edhe më shumë, zëri i meket dhe qëllimi arrihet.

Batuta e vdes dialogun, e pezullon argumentin, është shkelm ndaj çdo lloj serioziteti. Batuta e kthen debatin në farsë!  Më shumë se kurrë, Zoti Kryeministër, mbrëmë kishte nevojë për batutat e tij poshtëruese.  Ai duhej të dukej si ai i forti që mbledh në tavolinë gjithë të tjerët dhe u hedh romuze e shpoti sa njërit sa tjetrit…Dhe tavolina meket nga të qeshurat…

Publiku do argëtimin, gajasjen dhe për këtë ka Kryeministrin e duhur. “E pe ç’i bëri mbrëmë mo”? – duket sikur dëgjoja komunikimin e nesërm të militantëve të uritur për dhunë verbale ndaj argumentit logjik.

Kryeministri mbrëmë ishte në hall të vërtetë. Në hall të madh. Një Narkotrafikant Ndërkombëtar ishte përgjuar duke ushtruar ndikimin e tij në strukturat e Partise Socialiste për të caktuar  kandidatin e tij të preferuar për deputet.

Dhe sot, ai njeri është deputet.

Fliste me anëtarin e Kryesisë së Partisë Socialiste si me “shitësin e lagjes”, e urdhëronte të vinte “tek vendi se ka drekë me çunat”. Një tjetër përgjim e nxirrte Narkotrafikantin duke u kërkuar të dhëna për punonjës shtetërorë “që t’i tundim ata të PD-së, të zgjedhin ose rrogën ose shtëpinë”.

Nëse Kryeministri dje nuk ndjehej në hall ky ëshë problem shumë më i madh. Tashmë është edhe problemi ynë. Ky njeri nuk njeh skrupuj moralë.

Politika nuk është si ligji që të dënon vetëm kur ke prova. Në politikë, nëse ka indicie që aksh politikan është i përzier me kriminelë, Partia ndahet me politikanin. Nëse ka indicie të bazuara që zgjedhjet janë vjedhur, pra kemi të bëjmë me deformim të vullnetit të popullit, duhet të kemi zgjedhje të reja.

Nëse dëgjon ato përgjime të shkon mendja tek ato që nuk janë përgjuar, tek pazaret e ndyra me vota, me blerje deputetësh, ndarje tenderash etj etj.

Por, kujt t’ia thuash…

Edhe Sokoli u kënaq mbrëmë. Sa më s’thuhet. Që në mëngjes porositi montazhierin “Aman, ma prit një çikë atë momentin që i bie Gjekmarkajt se do e fus në FB. Si i tha mo? Richard Gere Hahahah, i modh është…”!

Po i binte kolegut të vet që të kënaqte Kryeministrin! Kjo tejkalonte  pritshmëritë e mia edhe për servilizmin lorencian!

Ky është Kryeministri ynë. Ai nuk është arrogant, Ai është linçues publik, Ai bërtet në studio, përgjigjet kur do vetë, godet tavolinën me grushta, qesh në trajta zgërdhirjeje për ta përqeshur argumentin apo kundërshtarin.

Sa herë ndesh në një pyetje të sikletshme, kthehet nga Sokoli dhe pyet “Ja, e shikon, ja ku e ke”.

Dhe Sokoli, medoemos bie dakort me “naiviteitin” ose “pakuptimësinë” e pyetjes. Si Lorenci. / Gazeta Express/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in IDE, LAJME
Përgjimet, Rama: Dosja është mbajtur në sirtar për ditë të zeza

Nga Kuçova, kryeministri Edi Rama komentoi sërish deklaratat e Prokurores së Krimeve të Rënda, Donika Prela lidhur me përgjimet e...

Close