X

Pas përgjimeve, njëri mohon vëllain, tjetri partinë, Dako gjithçka

Kanë qenë “me pikatore” reagimet pas publikimit të përgjimeve të Avdylajve të Shijakut me zyrtarë lokalë të Durrësit. Personat e përmendur në përgjime kanë shmangur sqarimet dhe lidhjet me Avdylajt.

Deputeti i PS-së Ilir Ndraxhi ka thënë se “ende nuk është vënë në dijeni të përgjimeve” dhe mohon çdo lloj njohjeje me Astrit Avdylin, pavarësisht se vëllai i tij komunikon në përgjim me këtë të fundit në lidhje me futjen në listat e PS të Ilir Ndraxhit. Deputeti socialist mohon gjithashtu të ketë komunikuar me vëllain në lidhje me përgjimet.

Nga ana tjetër, Kryetari i Bashkisë së Shijakut Ardian Kokomani ka deklaruar gjithashtu se nuk ka asnjë lidhje me Avdylajt dhe se nuk ka qenë në takimin që përflitet në përgjimet e nxjerra.

Në përgjime dëgjohet Kokomani në një telefonatë me Astrit Avdylajn ku ky i fundit i thotë: “Nesër kemi një takim në 10 të mëngjesit, unë ti, Gjushi, Liri (Ilir Ndraxhi, deputet i PS-së), vëllai i Lirit dhe Jupi. Do të pimë një kafe nesër në Durrës në orën 10:00”.

Për këtë telefonatë Kokomani është shprehur se është ndjerë i bezdisur, madje shton se do të ishte dorëhequr në qoftë se Avdylajt do të kishin lidhje me fushatën e tij.

I pyetur për mos-rikandidimin e tij për bashkinë e Shijakut, Ardian Kokomani thotë se tashmë pas këtyre përgjimeve është e qartë pse ai nuk është rikandiduar. Kokomani lë të kuptohet se Avdylajt kanë një ndikim të fortë në vendimmarrje.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim si edhe më herët për këtë çështje.

“I pashë dhe i dëgjova përgjimet. Për mua janë diçka absurde, sepse unë jam kryetar bashkie dhe telefonin do t’ia hap çdo qytetari. Nuk kam asnjë koment. Kjo është çështje mediatike”, – shprehet Dako për Ora News.

Sipas kryebashkiakut të Durrësit u takon organeve kompetente për ta zgjidhur këtë çështje.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, LAJME
Video/ Përbindëshi Ronaldo: tre gola vrasin Zvicrën, Portugalia në finale të Ligës së Kombeve

Zvicra luan më mirë, por Portugalia ka Cristiano Ronaldon. Në “Estadio do Dragao” fenomeni i Juventus shënon tre gola e...

Close