X

PD, Kaso: Vendimi i KQZ pas presioneve nga Balla e Gjiknuri


Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD Ivi Kaso tha pas vendimit të KQZ për të rrëzuar kandidatët e opozitës në KZAZ se çdo anëtar i KQZ qdo të ndiqet penalisht për shpërdorim detyre.
Ai theksoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i mohoi opozitës të drejtën kushtetuese dhe ligjore për t’u përfaqësuar me anëtarët e saj në KZAZ.

Kaso tha se vendimi i paligjshëm për përjashtimin e opozitës u mor pas presionit nga Taulant Balla dhe Damian Gjiknuri, akt i cili është denoncuar më herët nga opozita publikisht dhe tek partnerët ndërkombëtarë.

Ai deklaroi se PD do ta ankimojë vendimin, si dhe do të informojë misionin e OSBE/ODIHR dhe organizmat ndërkombëtarë për përjashtimin e opozitës nga kontrolli i procesit. “Kemi të bëjmë me një parti, e cila, edhe kur garon e vetme, vjedh dhe manipulon procesin”-tha Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso.

DEKLARATA E PLOTË

Atëherë, ashtu siç ishit të gjithë prezent në vendimmarrjen në KQZ, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mënyrë të paprecedentë, në mënyrë antiligjore dhe me urdhër të drejtpërdrejtë politik nga eksponentët më të lartë të PS, Damian Gjiknuri dhe Taulant Balla, siç e ka denoncuar edhe më herët opozita, iu nënshtruan presionit joligjor dhe i mohuan opozitës së bashkuar të drejtën e saj të garantuar nga Kodi Zgjedhor për të paraqitur komisionerë në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor.

Është një e drejtë që opozitës i buron nga fryma e Kushtetutës, i buron nga fryma e Kodit Zgjedhor, i buron nga neni dhe nga germa e Kodit Zgjedhor; konkretisht neni 28 dhe 29 i Kushtetutës, ku pika 5 e nenit 29 detajon në mënyrë të qartë dhe të pa ekuivokë që momenti që një parti parlamentare, më e madhja në këtë rast e partive opozitare, që ka të drejtën, të çojë anëtarët e saj në KZAZ, i çon 30 ditë përpara ditës së zgjedhjeve.

Atëherë KQZ është i detyruar të pranojë këto kandidatura, sigurisht kur janë në përputhje me ligjin. Sigurisht kandidaturat që ne kishim paraqitur në KQZ në zbatim të këtij detyrimi ligjor dhe mbi të gjitha edhe në zbatim të detyrimit të Kodit Zgjedhor të zgjedhjeve, të vendimit Nr. 18 të datës 1 shkurt 2019 kur vetë KQZ parashikon që PD-LSI kanë të drejtë të paraqesin kandidatura në KZAZ, vendim që është akoma në fuqi.

Pra, sollëm kandidaturat, ishim në përputhje me gjithë këto vendimmarrje të mëparshme, janë në përputhje me kriteret ligjore, janë kandidatura serioze, janë kandidatura me eksperiencë të mëparshme zgjedhore dhe KQZ nuk ka patur asnjë arsye ligjore për të refuzuar pranimin e këtyre kandidaturave, kuptohet përveçse ajo që thamë, urdhrit politik të drejtpërdrejt.

Sigurisht, Edi Rama dhe mazhoranca jë të shqetësuar nga prania e anëtarëve të propozuar nga opozita në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor, sepse, kur paligjshmëritë po ndjekin njëra-tjetrën në KQZ, në nivelin e dytë të administrimit zgjedhor në KZAZ janë të paimagjinueshme, janë aq të shumta, aq të përhapura dhe në çdo hallkë të procesit, saqë e ka zënë tmerri Edi Ramën nga zbulimi i këtyre paligjshmërive dhe denoncimi i tyre me forcë.

Kemi të bëjmë me një parti, e cila edhe kur garon e vetme i vjedh dhe manipulon rezultatin zgjedhor. Imagjinoni të gjithë çfarë procesi zgjedhor po përgatitet për në datën 30 qershor.

A do t’i drejtoheni Gjykatës? A do ta ankimoni në Kolegj?

Opozita e bashkuar dhe Partia Demokratike do të ndjekin të gjitha hapat ligjorë për ta kundërshtuar këtë vendimmarrje të paligjshme në çdo hap me të cilën është e mundur që opozita e bashkuar të drejtohet. Gjithashtu do t’i drejtohet menjëherë partnerëve tanë ndërkombëtarë të cilët monitorojnë procesin dhe në veçanti misionit të OSBE-ODHIR i cili shumë shpejt do të jetë prezent për të monitoruar procesin zgjedhor lidhur me këto shkelje flagrante të ligjit. Denoncimet do të bëhen konkrete. Denoncimet janë të shumta, do të bëhen me emër dhe mbiemër për të gjithë shkelësit e ligjit, duke filluar që nga KQZ-ja e cila këtë format siç është, e sjell në vëmendjen e të gjithë qytetarëve dhe është e paligjshme pasi PS ka katër anëtarë të propozuar drejtpërdrejt në KQZ, në kundërshtim flagrant me ligjin, sipas të cilit i takojnë vetëm 2 anëtarë të propozuar prej saj.

More in AKTUALITET, LAJME
“Fol Edi!”, Artan Fuga: Tri pyetje Ramës, jo si Kryeministër!

Nga Artan Fuga E ka mirë deputetja: Kjo që po ndodh në Akademinë e Shkencave nesër më 24 maj, zgjedhjet...

Close