X

Sihariq i madh: Rudina Hajdari vendos të hyjë në zgjedhjet lokale


Më në fund, duket se kriza e madhe që plasi pas largimit të opozitës nga parlamenti shqiptar, po zgjidhet.

Sot, Rudina Hajdari, u zgjodh me të gjitha votat e parlamentit, kryetare e Grupit Parlamentar, hëm të pavarur, hëm të Partisë Demokratike.

Sapo e mori këtë mandat, sot në mesditë, Hajdari mbajti në parlament, fiks gjashtë fjalime, njëri pas tjetrit, aq sa edhe vetë zoti Gramoz Ruçi, që edhe pse kishte porosi, për t’u sjellë sa më mirë dhe sa më bukur me opozitën e re, u revoltua tej mase, kur konstatoi se kryetarja Rudinë kishte folur më shumë se Edi Rama.

Në fjalimin e saj kryesor, kryetarja Rudinë Hajdari tha:

“Nuk duhet në asnjë mënyrë të bojkotojmë zgjedhjet e Qershorit. Koha nuk është në favorin tonë. Ftoj gjithashtu që të mos bojkotohen zgjedhjet. Ne nuk mund të luajmë jashtë rregullave të lojës politike dhe duhet të qëndrojmë brenda Kushtetutës”.

Burime afër Rudina Hajdarit, bëjnë me dije, se për të realizuar objektivin madhor, të pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale, ajo do të shfrytëzojë të gjithë arsenalin elektoral që ka në dispozicion. Përveç vetes, ajo disponon edhe nënën Fatmira Hajdari dhe vëllain Kiri.  Ndoshta Rudina ka menduar, që pasi nëna e vet, Fatmira Hajdari, të kryejë vettingun, të kandidojë sëbashku me Erion Veliajn për Bashkinë e Tiranës, ndërsa vëllai Kiri, për Bashkinë e Shkodrës.

– Të rrëzojmë këtë sistem të kalbur që kemi, – tha Rudina Hajdari në epilog të fjalimit të saj më të rëndësishëm dhe të gjithë parlamentarët e opozitës së re dhe Edi Ramës, duartrokitën gjatë.

Një shkëlqim të paparë në punimet e kësaj dite, pati edhe deputeti tjetër, hëm i pavarur, hëm i LSI-së, Ralf Gjoni. Ai kishte thirrur në interpelancë, gjeneralin e gazit Sandër Lleshajn, të cilit brenda 30 minutash ja futi të treja këmbët në një këpucë.

Njeriu më i befasuar dhe që u trondit më shumë nga të gjithë, në punimet e sotme të parlamentit, ishte, ish ministrja e arsimit, Lindita Nikolla. Duke dëgjuar fjalimet e padëgjuara të Rudina Hajdarit, padashur i shpëtuan fjalët: “Uaaa po kjo qënka fare…”

/TPZ.al/ Tej e këtej/ 

More in TEJ E KETEJ
Sukses i madh i policisë, arrestohet shurrëbërësi i pragut të Edi Rames

Burime të sigurta, nga Ministria e Punëve për Brenda, bëjnë me dije se pas një pune dhe përpjekje intensive, u...

Close