X

Veliaj i shkruan udhëheqjes së Parisit: Unë dhe Rama duam të rindërtojmë katedralen “Notre Dame”, pa shpenzime


I dashur President Macron!

E dashur kryetare e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo!

Shumë jam i prekur, shumë jam i trishtuar!

E ndoqa djegien e tmerrshme të katedrales “Notre Dame”, këtu nga Tirana. E ndoqa bashkë me të madhin tonë, që ju e njihni, Edi Ramën. Të dy qamë, të dyve sikur na ra pika, sepse, sikundër ju e dini, i dashur Macron, e dashur Hidalgo, përveç Ramës, edhe unë tani, duke ndjekur udhën e tij, jam bërë frankofon.

Nuk e di a më njihni, por më lejoni t’ju sjell diçka në kujtesë. Jam Erion Veliaj, ose Lali Eri, siç më thonë këtu në Tiranë.
Kam shitur fiq, kam hipur në kuaj të kuq, kam drejtuar G99 dhe tani kam katër vjet, që drejtoj Bashkinë e Tiranës. Kam ndërtuar sheshin Skënderbej, që ka marrë çmimet më të mëdha në botë dhe që ka çuditur këdo që e ka parë.
U kam dhënë oligarkëve të këtij vendi,  leje për të ndërtuar kulla të larta, aq sa në Paris nuk janë ndërtuar për një mije vjet.

E dashur Hidalgo, ne të dy kemi një fatkeqësi të përbashkët, sepse të dyve na janë shkrirë partitë. Ty t’u shkri PS-ja jote, ndërsa unë e shkriva vetë G99, sapo më tha Edi Rama.
Edhe pse me parti të shkrira, ne të dy jemi kockë e fortë, ti kryetare e Bashkisë së Parisit dhe unë kryetari i Bashkisë së Tiranës, që shumë shpejt pritet, sapo të bjerë ky i gjati, të ngjitem fare lart.

E dashur Hidalgo, i dashur president Macron!

Po ju shkruaj me nxitim për një propozim shumë të rëndësishëm, për fatin e mëtejshëm të “Notre Dame”, që u dogj mbrëmë. Sapo kam folur me këtë tonin, të gjatin dhe morëm një vendim shumë të rëndësishëm.

Ju lutem mos kërkoni para nga bota, apo pasunorët kurnacë të Francës, për rindërtimin e “Notre Dame”. Solemnisht ju bëjmë të ditur, se ndërtimin e kishës së famshme, po e marrim përsipër ne.

Kemi ne këtu në Tiranë, një ndërtues me emrin Çim Fusha, që ka bërë hatanë dhe ka çuditur të madh e të vogël. Ky Fusha, ndërton falas çfarë ti thuash, çfarë t’i kërkosh. Ka vetëm një kusht, atje ku ndërton veprën që i kërkon ti, duhet t’i japësh lejen që të ndërtojë edhe dy-tre kulla për vete.

Propozimi ynë, domëthënë i imi dhe i Edi Ramës, është që ky Çim Fusha, të ndërtojë katedralen, me kusht që dy kullat anash, të ngrihen 50 metra më të larta, se ç’kanë qënë dhe kjo sipërfaqje plus, ti shkojë automatikisht atij vetë.
Nëse ndërtuesit tonë Fusha, nuk i dalin llogaritë, ju lutem zoti President dhe zonja Hidalgo, jepini edhe 20 mijë metra katrorë, mbrapa kullës Eifel, ku keni disa kopshtije, që nuk i hyjnë askujt në punë.
Aty, Çimi ynë (Fusha), mund të ndërtojë tre kulla të larta, të cilat do t’i ketë zili edhe vetë kulla Eifel, ndërtuar me hekurishte, me vlera shumë të diskutueshme në kohët e sotme.

Dhe tani do t’ju them një gjë shumë të rëndësishme për punën e arkitektit. Ju lutem mos kini fare merak, se edhe këtë punë e marrim përsipër ne. Disponojmë një arkitekt të ndritur, që bën gjëra të pangjashme me punët e arkitektëve të tjerë. Ky është arkitekti i famshëm i Italisë, Edi Ramës dhe mbarë Evropës, Marco Casamonti. Ky arkitekt, është ndoshta më i famshmi në botë, sepse punon në mënyrë shumë origjinale. Është pikërisht Edi Rama, që në fillim i tregon idenë, i ndërton edhe skicën dhe ai e kthen në tre dimensional. Të shihni ç’ka bërë këtu në Tiranë, ju bie pika.

Edhe këtu, ju do keni një fat shumë të madh, sepse Edi Rama do të bëjë skicën e re dhe moderne të katedrales dhe ju nuk do të harxhoni asnjë burim njerëzor për këtë punë.

Pas rindërtimit të Katedrales, në festën e inagurimit, fjalimin e shkruar nga Endri Fuga, ai i vogli që i arrin Edi Ramës deri tek bytha dhe mezi duket, do ta lexojë zëdhënësja e njohur, e Rilindjes tonë, tashmë e njohur edhe ndërkombëtarisht, madame Elisa Spiropali.

Në pritje sa më parë të përgjigjes tuaj,

I juaji në këtë pikëllim të pamasë dhe të patreguar,

Erion Veliaj (Lali Eri)

/TPZ.al/ Tej e këtej/ 

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in TEJ E KETEJ
Fiqtë dhe kali, që ndihmuan Lali Erin të ngjitej në karrierë

Fotografia që po botojmë, është e Lali Erit, shumë vite më parë, në kulmin e ëndrrave të adoleshencës. Tregojnë se...

Close