X

Veliaj, edhe 14 milionë euro të tjera në skemën e dyshimtë të PPP-ve për shkollat

Bashkia Tiranë do të japë ndërtimin e katër shkollave të tjera me Partneritet Publik Privat, një vit pasi dha kontratën e parë për ndërtimin e pesë shkollave me PPP.

Për këtë bashkia, hapi dje tenderin me vlerë rreth 14 milionë euro, ose rreth 3.5 milionë euro për çdo shkollë. Shkollat parashikohen të ndërtohen në Dajt, Njësinë Administrative 2 dhe 8. Tenderi do të mbyllet më 20 maj 2019.

Kontrata e parë PPP për ndërtimin e pesë shkollave

Kjo është kontrata e dytë që Bashkia Tiranë do të japë për ndërtimin e shkollave me PPP. Më 19 shkurt 2018, Bashkia Tiranë shpalli konsorciumin e kompanive “AGI KONS”, “MET ENGENEERING” dhe “ZENIT&CO”, fituese të kontratës së parë PPP për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e pesë shkollave, tre në njësinë Administrative 11 dhe dy në njësinë 9.

Vlera e koncesionit ishte rreth 15,6 milionë euro. Sipas kontratës, kompania duhet të ndërtojë dhe mobilojë shkollat me fondet e veta, brenda 18 muajsh nga data e lidhjes së kontratës. Më pas, brenda 7 vitesh nga data e dorëzimit të ndërtesave të përfunduara, bashkia do t’i paguajë kompanisë me këste investimin e kryer plus një interes vjetor prej 6,28 për qind.

PPP si skemë financimi për shkollat

Prej dy vitesh Kryebashkiaku Erion Veliaj ka propaganduar idenë e ndërtimit të 17 shkollave me kontrata PPP.

Siç ndodh rëndom me projektet e tij, përveç një pohimi të përgjithshëm, sqarime se përse bashkia ka zgjedhur këtë mënyrë finacimi nuk janë dhënë. Në një studim fizibiliteti, ku bëhet analiza ekonomike e skemës, Bashkia e Tiranës shpejgon se “shkak të mungesës së fondeve “duhet të zbatojë metoda inovative të prokurimit dhe financimit të projektit të propozuar” për të ndërtuar 17 shkolla të reja, të domosdoshme për kryeqytetin, të cilat llogaritet të kushtojnë rreth 52 milion euro (6,2 miliard lekë).

Sipas kësaj skeme, kompanitë e interesuara do ndërtojnë me fondet e tyre shkollat dhe do kujdesen për mirëmbatjen e tyre për shtatë vjet. Gjatë kësaj kohe, Bashkia do paguaj me këste investimin e kryer plus një interes vjetor prej 6,28 për qind.

Duhet thënë që në fillim se argumenti i mungesës së fondeve është i pabazë. Bashkia pretendon se nuk ka fonde. Në të vërtetë, falë rritjes së taksave, vetëm në 9-muajt e parë të 2017-ës, kur vendosi të hapë tenderin e parë, Bashkia Tiranë kishte mbledhur thuajse 130 milion euro të ardhura. Ndërsa në vitin 2018, Bashkia Tiranë ka mbledhur rreth 91 milionë euro të ardhura vetëm nga taksat dhe tarifat që kanë paguar qytetarët dhe bizneset, pa përfshirë buxhetin e marrë nga qeveria qëndrore.

Kjo shtesë të ardhurash i lejon fare mirë Bashkisë ndërtimin gradual të shkollave gjatë viteve në vijim nëpërmjet prokurimit publik të zakonshëm, pa pasur nevojë të mendojë për skema “novative”. Kostot e projekteve infrastrukturore janë kudo të lartë në raport me të ardhurat buxhetore të një viti, por kjo nuk justifikon gjetjen e “metodave novative” të financimit të projekteve që zmadhojnë kostot, si kjo e propozuar nga Bashkia.

Çfarë e bën skemën më të kushtueshme?

Pagesa me këste është problematike për ndërtuesit. Nëse ata do të paguheshin menjëherë për punën ndërtimore të kryer, shumën e marrë ata do të mund ta investonin në projekte të tjera fitimprurëse ose mund të depozitonin në bankë dhe të përfitonin interesa.

Duke qenë se Bashkia ka vendosur të paguajë me këste, për t’i bërë të interesuar ndërtuesit, Bashkia propozon përveç pagesës për koston e ndërtimit dhe fitimin normal mbi këtë kosto, t’i japë ndërtuesve edhe një interes vjetor shtesë prej 6,28 për qind mbi koston totale të ndërtimit dhe fitimit. Për të 17 shkollat që planifikon të ndërtojë bashkia, vetëm pagesa si interes shtesë ndaj kompanive vlerësohet në thuajse 14 milion euro.

Që të jemi të qartë, Bashkia po paguan 14 milion euro shtesë, përmbi normën e fitimit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen shkollës që do pagueshin në një prokurim të zakonshëm. Nuk është shaka: sipas “skemës novative” të Bashkisë, qytetarë po paguajnë 14 milion dollarë më shumë sepse… nuk kemi para!

A është e nevojshme e gjitha kjo?

Absolutisht jo! Siç e kemi shpjeguar më parë, ka një arsye të rëndësishme pse shtetet nuk ndërtojnë kurrë në këtë mënyrë. Kjo pasi sektori publik ka mundësi të marrë borxh me norma shumë më të ulëta se 6,28 për qind. Nëse e marrim të mirëqenë se fondet aktuale të Bashkisë nuk janë të mjaftueshme, ndërtimi mund të kryhet në mënyrën tradicionale të huamarrjes, duke përdorur si garant Qeverinë qendrore për të marrë borxh publik.

Forma kryesore me të cilën merr borxh shteti shqiptar është nëpërmjet bonove 12-mujore të thesarit, të cilat në ankandin e fundit të Bankës së Shqipërisë në mars 2019, arritën një normë interesi prej 1,12 për qind, thuajse sa një e pesta e shifrës që ka planifikuar bashkia t’i japë kompanive private. Pra nëse bashkia do të zgjidhte të merrte borxh vetë, interesi që do të paguante do të ishte sa një e pesta e asaj që do t’i paguajë kompanive private.

Pra, del qartë se skema që ka zgjedhur Bashkia Tiranë nuk ka asnjë kuptim nga ana financiare. Në vazhdën e planit urbanistik, ajo i gjan një skemë për të rritur pagesat ndaj ndërtuesve në dëm të interesit publik. Akoma më absurde është kjo politikë në kohën kur Bashkia e Tiranës ka rritur ndjeshëm taksat e saj ndaj qytetarëve, përfshi edhe vendosjen e një takse të veçantë pikërisht për ndërtimin e shkollave.

Është hamendësim, por arsyeja më e thjeshtë për të shpjeguar një politikë publike, e cila dëmton interesin publik, duke shpikur “metoda novatore” financiare dhe falsifikuar të dhënat e vlerësimeve financiare, për të siguruar fitime më të larta se tregu për interesa private, është korrupsioni. /exit.al/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in KRYESORE, LAJME, NË FOKUS
Vasili ironi me Ramën: Shumë i lodhur Noc Rroku i qeverisë

Ish-kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, komenton deklaratën e kryeministrit Edi Rama nga Librazhdi, atë të Noc Rrokut....

Close