X

Prokuroria e Tiranës heton lidhjet mes DH Albania dhe kompanisë Gener 2 të Bashkim Ulajt

Një muaj e gjysmë pas zbulimit të skandalit të DH Albania, Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhër-arrestin e parë për përfaqësuesin 26-vjeçar të kompanisë që fitoi dy tendera me vlerë rreth 28 milionë euro përmes dokumenteve të falsifikuara.

Më 19 janar, Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e arrestit me burg në mungesë për Avdjol Dobin, i cili akuzohet për veprat penale të falsifikimit, mashtrimit dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Dobi është përfaqësuesi në Shqipëri i kompanisë Dunëell Haberman, e regjistruar në Delaëere të Shteteve të Bashkuara më 25 qershor 2018 dhe që vetëm pak muaj më vonë u shpall fituese e lotit të parë të Unazës së Re si dhe të një tenderi të dytë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, OST. Më 6 dhjetor, emisioni “Të Paekspozuarit” në News 24 denoncoi kompaninë “fantazmë” se kishte falsifikuar datën e themelimit në Delawere dhe bilancin e tre viteve të fundit, dokumente këto që u përdorën për të fituar tenderat publikë.

Ndërsa në një investigim të mëparshëm, BIRN gjeti se një aplikim për hapjen e një adrese dytësore të DH Albania ishte bërë në emër të kompanisë Gener 2 dhe se personat që kanë kryer veprime për kompaninë e re janë gjithashtu punonjës ose persona të lidhur me Gener 2.

Drejtues të Prokurorisë së Tiranës i thanë BIRN se përveç Avdjol Dobit, hetimet janë shtrirë edhe mbi lidhjet e tij dhe të DH Albania me kompaninë Gener 2 të biznesmenit Bashkim Ulaj.

“Janë identifikuar disa transaksione të dyshimta të kryera prej Avdjol Dobit, të cilat janë duke u verifikuar,” tha një burim i Prokurorisë së Tiranës për BIRN.

Në rrethin e hetimeve janë gjithashtu një numër zyrtarësh të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit, të cilët kishin për detyrë të verifikonin dokumentet e falsifikuara të DH Albania.

BIRN mësoi se nën hetim për shpërdorim detyre janë anëtarët e njësive të prokurimit dhe KVO-ve në ARRSH dhe OST, si dhe funksionarët që kanë ngritur këto njësi prokurimi.

Objekt hetimi mësohet të jetë edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për mënyrën e përfitimit të licencës nga ana e DH Albania, si dhe nëse kjo licensë është dhënë para apo pas regjistrimit të kompanisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Zbulimi i skandalit si dhe fitimi i dy tenderave prej saj përmes dokumenteve të falsifikuara u pasuan me nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Tiranës si dhe me reagime të shumta politike. Opozita akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ish-ministrin Damian Gjiknuri për aferën, ndërkohë që Gjiknuri deklaroi se menjëherë sapo ishte njohur me falsifikimin kishte urdhëruar anulimin e kontratave si dhe kishte denoncuar çështjen në Prokurori.

Gjatë ditëve të fundit, ministrja e re e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se kishte anuluar koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar, e fituar nga kompania Gener 2 e Bashkim Ulajt, ndërkohë që dy drejtohet e ARRSH dhe OST, Afrim Qendro dhe Klodian Gradeci u larguan nga detyra.

Edmond Hoxhaj – BIRN 

More in KRYESORE, LAJME, NË FOKUS
Marrëveshja e Prespës, Micotakis: Cipras do të japë llogari

Lideri i partisë opozitare greke Demokracia e Re, Kirjakos Micotakis përmes një mesazhi në profilin e tij në Twitter ka...

Close