X

Duka po shkruan skenarin si do ta largojë Panuçin. Ja si janë shkarkuar trajnerët e tjerë

Me tetë humbje në 13 ndeshje qysh kur mori drejtimin e Shqipërisë (2 shtator 2017) dhe katër takime rresht pa fitore (Skoci, Izrael, Jordani (m), Skoci), dhe për më tepër vendi i fundit në grup në eliminatoret e Ligës së Kombeve, Kristian Panuçi duket se po i jep fund aventurës si trajneri i Kombëtares së Shqipërisë.

Humbja e djeshme, 0-4 me Skocinë në “Loro Boriçi” ishte sinjali më i qartë se për italianin e tretë në bankinën e Shqipërisë – pas Xhuzepe Dosenës dhe Xhani De Biazit – nuk ka më të ardhme në stolin kuqezi. Për më tepër, skuadra e ndërtuar prej nuk është aspak produktive. Vetëm një gol në pesë ndeshjet e fundit, plot 540 minuta, rendimenti më i ulët historik i kuqezinjve. Një rekord negativ.

Largimi i tij duket çështje orësh, por klauzolat e kontratës prej 280 mijë eurosh në edicion – i janë paguar deri tani 140 mijë euro – e mbajnë ende në lojë, deri sa presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, të gjejë zgjidhjen “tipike” të tij, që trajneri të vetëdorëhiqet.

Italiani Kristian Panuçi, trajneri aktual i Shqipërisë

Në fakt, Panuçi në 13 ndeshje fitoi vetëm tri ndeshje: dy zyrtare: me Lihtenshtejnin (2-0, në Elbasan) dhe me Izraelin (1-0, në Elbasan) dhe një miqësore me Turqinë (2-3, në Antalia). Në humbjet “djegëse”, mund të futet edhe ajo me Kosovën: 0-3, miqësorja e luajtur në Zyrih të Zvicrës.

Bilanci i tij është 3 fitore, 2 barazime dhe 8 humbje (23.1 përqindja e suksesit). Në krahasim me De Biazin, i cili e drejtoi Shqipërinë në 54 ndeshje (rekord): 21 fitore, 12 barazime dhe 21 humbje (38.89 përqindja e suksesit), Panuçi është dukshëm inferior.

Sa për kuriozitet, Hans-Peter Brigel e kishte 32.26 përqindjen e suksesit (31 ndeshje); Oto Bariç (30.77%, 13 ndeshje); Ari Han (20%, 10 ndeshje); Josip Kuzhe (33.33%, 24 ndeshje).

Trajneri më i suksesshëm shqiptar, përsa i përket përqindjes së suksesit është Medin Zhega: 38.46 në 13 ndeshje të drejtuara (po aq sa Kristian Panuçi). De Biazi e ka 38.89.

HISTORIA E HIDHUR E TRAJNERËVE

Kristian Panuçi është trajneri i shtatë i epokës “Duka”, gjatë 16 viteve të tij si president, qysh kur u shkarkua Sulejman Demollari (2002).

Sipas radhës e kanë drejtuar Shqipërinë: Xhuzepe Dosena (italian), Hans-Peter Brigel (gjerman), Oto Bariç (kroat), Ari Han (holandez), Josip Kuzhe (kroat) dhe Xhani De Biazi (italian).

Italiani Xhuzepe Dosena

Italiani Xhuzepe Dosena, i cili pasoi Sulejman Demollarin, duke rikthyer pas gati 50 vjetësh një trajner të huaj në stolin kuqezi, u vetëlargua pas dy ndeshjesh zyrtare, pas masakrimit të tejskajshëm, absurditetit “patriotik” dhe aspak logjik nga ana e medias për humbjen me Rusinë. Gjithsesi, nuk la shenjë dhe askush nuk ndjeu keqardhje për ikjen e tij.

 Gjermani Hans Peter Brigel

Gjermani Hans Peter Brigel, i pari që imponoi disiplinën e hekurt dhe nënshkroi dy herë me Dukën. Pasi vendosi asokohe disa rekorde me Kombëtaren: numrin e ndeshjeve; pikëve të grumbulluara në një edicion të vetëm eliminator; përqindjen e suksesit për ndeshje; raportin e diferencës së golave të shënuar e pësuar, e mbi të gjitha të fitores së bujshme 2-1 ndaj Greqisë, kampionen e freskët të Europës. E refuzoi rinovimin e kontratës, pasi Komiteti Ekzekutiv i vendosi disa kushte absurde ndaj ish-kampionit të Europës.

Kroati Oto Bariç

Kroati Oto Bariç, trajner i mbi 2000 ndeshjeve me klube dhe 100 ndeshjeve me tre përfaqësuese (Austri, Kroaci, Shqipëri), mjeshtrit të vendosjes taktike të futbollisteve në fushë – trajnerët kundërshtarë e dinë sa kanë vuajtur për të mposhtur kuqezinjtë, e detyruan të largohej i turpëruar, pas humbjes 6-1 nga Rumania.

Holandezi Ari Han

Holandezi Ari Han, dy herë Nënkampion Bote, solli entuziazëm në stolin kuqezi, por pasi përballoi me një barazim të ftohtë Portugalinë, u largua në mes të kontratës pas një barazimi akoma më të ftohtë me Maltën në ishull. Sulmuesi kryesor i Shqipërisë nuk e shihte portën. Gjithsesi, holandezi, i cili nuk respektonte protokollin etik, e meritonte largimin. Komentet e tij në median holandeze ishin fyese.

Kroati Josip Kuzhe

Kroati Josip Kuzhe e riorganizoi skuadrën; ringriti nivelin e lojës; prodhoi disa rezultate. Por, edhe për takticienin që pati për ndihmës boshnjakun Xhemal Mustedanagiç, zbuluesin dhe edukuesin futbollistik të djaloshit Luka Modriç te Dinamon e Zagrebit, fundi i aventurës me kuqezinjtë ishte i hidhur, ashtu siç ishte dhe shija që la vdekja e tij e parakohshme.

Italiani Xhani De Biazi

Italianin Xhani De Biazi, rekordmenin absolut për nga të gjithë treguesit me Kombëtaren: ndeshje, pikë, përqindje suksesi, kohëzgjatjen e kontratës, e mbi të gjitha që e ndërkombëtarizoi në një tjetër nivel në median botërore pas pjesëmarrjes në finalet e një Europiani, e detyruan të largohet mes lotëve, pas fitores 3-0 me Izraelin në Haifa. Edhe pse mbajtësit edhe të pasaportës shqiptare, i nderuar me çmime prestigjioze si në Shqipëri ashtu edhe në Itali, mund t’ia dhe duhet t’ia kishin kursyer nxjerrjen e skenarit nga sirtari.

Tani pritet ora se kur do të shkarkohet italiani Kristian Panuçi.

/TPZ.AL/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in KRYESORE, LAJME
Banorët e ‘Astirit’ depozitojnë padi kundër Erion Veliajt

Banorët e Unazës së Re kanë depozituar një padi penale ne prokurori kundër kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Banorët kanë...

Close