X

Gratë në hije të Merkelit – A do triumfojë e besuara?

E konsideruar shpesh herë si gruaja më e fuqishme në botë, Angela Merkel mban postin e kancelares së Gjermanisë që prej vitit 2005.

Shumë e kanë vlerësuar jetëgjatësinë e saj në politikë, për shkak të stabilitetit që ajo ofron në një botë që duket gjithnjë e më shumë e trazuar. Të tjerë e lidhin me gatishmërinë e saj për të shkuar kundër partisë; duke hapur dyert e vendit në kulmin e krizës së emigrantëve, edhe pse kjo më pas iu kthye mbrapsht. Ndërsa disa të tjerë thonë se forca e saj qëndron në faktin se Merkel mund të përshtatet me çdo situatë.

Por ekziston edhe një tjetër ide, që mbase pas fuqisë dhe jetëgjatësisë së Merkelit në politikë, qëndron një grup grash. Tanimë që Merkel ka lajmëuar se heq dorë nga drejtimi i partisë, nga gara për kancelare dhe nga postet politike pas mbarimit të mandatit të saj, duket se një tjetër grua e fuqishme mund ta zëvendësojë atë – Annegret Kramp-Karrenbauer.

Kampi i grave

Ideja e një “kampi grash” të Merkelit ka qarkulluar për vite me radhë jo vetëm në mediat gjermane.

Në një artikull të “Telegraph”-it britanik thuhet se janë një grup grash shumë të fuqishme, të cilat të bashkuara kanë ndikuar në suksesin e kancelares, duke e mbështetur atë “në hije”.

Disa prej këtyre grave janë: Beate Baumann, Ursula von der Leyen, Julia Klöckner.

E nisim nga Beate Baummann, e cila është edhe më e njohura. E diplomuar në Cambridge, Baumman thuhet se është i vetmi person, që kancelarja e beson pa e dyshuar aspak, përveç bashkëshortit të saj, Joachim Sauer.

“Kam nevojë për dikë që mund të kujdeset për mua”, ka thënë Merkel në vitin 1992, sipas të njëjtës media, kur ajo u emërua ministre e Grave në kabinetin e Helmut Kohl. Mirëpo stafi i saj i përbërë kryesisht nga meshkuj, nuk e pa me sy të mirë Merkelin.

Asokohe, ajo u njoh me Baumann dhe nisi bashkëpunimi mes tyre. Ishte fillimi i partneritetit më të fortë në historinë moderne gjermane. Baumann u bë zëdhënëse e Merkelit, përpara se të promovohej në shefin e shtabit në vitin 1995.

Baumann është quajtur edhe si “hije” e Merkel. Por, mos t’ju ngatërrojë kjo gjë, ajo është e barabartë me të. Kur Merkel ishte nën presion gjatë një prej konferencave të saj të para ndërkombëtare, dhe dukej gati të lotonte, Baumann thuhet se fërshëlleu: “Mblidhe veten grua”. Dhe Merkel veproi ashtu sikurse iu tha.

Ursula von der Leyen

Është po ashtu një ndër gratë e cila konsiderohet të jetë pjesë e këtij “kampi” për të cilat mediat flasin. Ajo u emërua ministre e Mbrojtjes në vitin 2013, duke u bërë kështu e para ministre e Mbrojtjes në historinë e Gjermanisë, që është një grua.

Që kur mori për herë të parë detyrën në vitin 2013, der Leyen ka arritur një rritje të rrallë në buxhetin e mbrojtjes dhe u përpoq të vendosë rend për një regjim kaotik të prokurimit të mbrojtjes.

Po ashtu, në një mënyrë agresive sipas kritikëve, trajtoi abuzimet e ushtarëve dhe nga ushtarët, dhe nxorri në pah raste ekstremizmi ekstrem në Bundeswehr. Ajo është e vetmja ministre që u vendos përsëri në të njëjtin pozicion, në qeverinë e re në 2018-ën, shkruan FT.

Edhe pse nuk shihet shpesh fizikisht në krah të kancelares, por qëndron pas për t’u kujdesur për zyrën e saj, Der Layen komunikon vazhdimisht me Merkelin.

Të dyja janë në kontakt të vazhdueshëm nëpërmjet Nokia-s së vjetër të Merkelit. Nga ana tjetër, vihet re që të dyja kanë të njëjtin kod veshjeje: kostume , pantallona dhe flokë të shkurtër. Asnjëra prej tyre nuk ka fëmijë.

Julia Klöckner

Ish- mbretëresha e bukurisë, e quajtur shpeshherë edhe si “princesha e kurorës së Merkel”, është konsideruar vitet e kaluara nga mediat si një nga personat që mund ta zëvendësonte Angela Merkelin në drejtim të partisë, në rast të një largimi të saj.

Konservatorja 45-vjeçare iu bashkua krahut rinor të CDU-së rreth 20 vjet më parë dhe u bë anëtare i dhomës së ulët të parlamentit në vitin 2002.

E zgjedhur si “Mbretëresha gjermane e verës” në vitin 1994, Klöckner nuk është vetëm e bukur.  Klöckner ka studiuar për Shkenca Politike, Teologjinë Katolike dhe Edukimin, ndërsa ka bërë edhe Masterin e Arteve (MA) në Universitetin Johannes Gutenberg në Mainz.

Klöckner-i shihet nga shumë njerëz në këtë parti si një frymë e freskët. Ajo u zgjodh nënkryetare e kryesisë federale të CDU në vitin 2012, por nuk arriti të fitojë dy vjet më parë, në garën për kryeministrin e shtetit të Rajonit të Pfalzit.

Annegret Kramp-Karrenbauer

Pas tërheqjes së Angela Merkel nga drejtimi i CDU-së, një ndër kandidatet e mundshme për të marrë postin drejtues të partisë është Annegret Kramp-Karrenbauer.

Ndërkohë që ende nuk ka nisur zyrtarisht gara për të marrë drejtimin  CDU-së, Karrenbauer është më e besuara e Merkelit, në krahasim me dy kandidatët e tjerë: Jens Spahn, Friedrich Merz.

Karrenbauer është sekretarja e Përgjithshme e CDU-së dhe ka qenë kryeministre e Saarlandit nga viti 2011 deri në vitin 2018, duke u bërë gruaja e katërt në histori që ka drejtuar një land gjerman.

Shumë pak e njohur jashtë Gjermanisë, por brenda Gjermanisë ndryshe Karrenbauer njihet edhe si “mini-Merkel” , shkruan “The Guardian”.

Sekretarja e përgjithshme e CDU-së është pjesë e rrethit të ngushtë të besuar të kancelares gjermane.

Edhe Merkel, ka qenë sekretare e përgjithshme e CDU-së para se të bëhej kancelare. Merkel pati deklaruar se Kramp-Karrenbauer, kryeministre e shtetit perëndimor të Saarlandit, do të sillte “shumë peshë” në “këto kohë të vështira”.

Kramp-Karrenbauer gëzon shumë respekt në parti për qasjen e saj serioze dhe në hartimin e politikave. Ajo i bëri përshtypje Merkelit muajin e kaluar kur, pas një aksidenti automobilistik, e vazhdoi punën për negociatat e koalicionit nga shtrati i saj në spital.

“Ne e njohim njëra-tjetrën për një kohë shumë të gjatë dhe mund të mbështetemi te njëra-tjetra, edhe nëse kemi pikëpamjet tona”, tha Merkel gjatë një konferencë shtypi me Karrenbauerin.

Duke bashkuar pikëpamjet e botës moderne dhe konservatore, Karrenbauer tani mund të bëhej një forcë bashkimi në partinë e qendrës së djathtë. Ky potencial mund të jetë arsyeja kryesore përse Merkel beson te “mini-Merkeli”.

The GuardianTelegraph, FT / Përshtati në shqip Hashtag.al

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in ANALIZË
Kush është presidenti i ri i Brazilit, që e quajnë “Donald Trump-i i tropikut”

Nga “The Guardian” Presidenti i ri i Brazilit, Balsonaro, është një figurë i së djathtës ekstreme dhe ish-ushtarak, i njohur për...

Close