X

Skandali/ Betonizohet e vetmja kurorë e gjelbër në plazhin e Durrësit, do bëhen ndërtime

Betonizimi i hapsirave të gjelbra, nuk ndalet.  Pasi u shkatërruan plazhet më të bukura të Shqipërisë, duke filluar nga Velipoja e deri në Ksamil, tashmë radha u ka ardhur zonave që i kanë shpëtuar ndërtimeve. Në fokus të pushtetit është vënë kurora e vetme e gjelbër e ndodhur në plazhin e Durrësit, një zonë e cila ka qenë rezidenciale. Në këtë zonë ka qenë e ndaluar të ndërtoje në masë, teksa jepeshin leje vetëm për rikonstruksionin e disa vilave private, apo qeveritare. Por, duke qenë se është afër me qendrën e Durrësit, apo është mjaft e aksesueshme nga Tirana dhe ka infrastrukturë të rregullt rrugore, qeveria ia ka vënë syrin për ta shfrytëzuar.

Tpz.al ka siguruar dokumentet e një tenderi, që po bën Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për konsulencë për të “projektuar zonën e plazhit në Durrës”. Fondi për këtë tender është plot 400 mijë USD, ndërsa firmat private kanë 6 muaj për të bërë projektin, pra për të betonizuar këtë zonë me pemë të larta.

Në dokumentet që ka siguruar Tpz.al thuhet se objektivi kryesor i projektit është “rikualifikimi i bregut Durrës – Parku qendror tek rezidencat qeveritare”. Synizmi, sipas saj, është rritja e kapaciteteve të infrastrukturës urbane e turistike të zonës, si dhe krijimi i ambjenteve çlodhëse e kreative.

“Ambientet kulturore dhe zonat sportive mungojnë, duke e lënë këtë zonë pa aktivitete për banorët dhe turistët. Zona e projektit ka nevojë të plotësohet me qendra kulturore dhe sportive si kinema, teatër, fusha sportive” thuhet në dokumentet e këtij tenderi, që vijon se zona e plazhit është degraduar dhe duhet të rigjenerohet dhe të kthehet në një hapësirë të vazhdueshme publike. “Ka disa hapësira të gjelbëruara para hoteleve dhe restoranteve të cilat janë të dedikuara për përdoruesit e veçantë të aktiviteteve, por nuk ka asnjë pikë takimi publik, park apo shëtitore për banorët dhe turistët.
Për më tepër nuk ka hapësira publike të dedikuara për parkimin e makinave dhe autobusëve, duke minimizuar kështu lehtësitë për turistët individualë dhe operatorët turistikë” thuhet në dokumente.

Por, ajo që nuk shkruhet është se, të gjitha këto më lart, janë bërë vetëm pak metra larg këtij plazhi, çka ka sjellë degradimin total të bregut të detit, ndërtime të pakontrolluara dhe një shfrytëzim shumë I keq I hapësirave publike. Nëse do t’I heqësh këtij plazhi edhe këtë kurorë, atëherë e gjitha zonë kthehet në zonë urbane, çka sjell më pas largimin e të gjithë turistëve. Koha e ka treguar se, në momentin që qeveritë japin leje shfrytëzimi, siç kanë qenë ndërtimet në Golem, Qerret, Lalëz, apo edhe në Vlorë, Orikum, Dhërmi e Ksamil, plazhi është prishur. Asnjë investim nuk ka shkuar për të përmirësuar plazhin, por për pasurimin e disa individëve, të cilët kanë ndërtuar ku të mundin, madje edhe brënda në det. Vetëm pak metra larg zonës që qeveria do që ta bëjë për turistët, qeveritarët kanë dhënë leje për lokale apo restorante edhe brënda në det, duke sjellë shkatërrimin e atij plazhi.

Gjithsesi, duke u ndalur te projekti në fjalë, në dokumente thuhet se “zona nuk ka identitet dhe nuk përfaqëson ndonjë qasje specifike arkitekturale pasi ndërtesat janë ndërtuar pa iu referuar ndonjë parimi dizajni. Duket se zona është një grumbullim i tipologjive të ndryshme ndërtimi, lartësi të ndryshme dhe struktura shumëngjyrëshe”. Nisur edhe nga specifikimet e këtyre dokumenteve, në zonë synohet të ndërtohet, pasi sipas FSHZH-së, projektuesi duhet të analizojë të dhënat e të projektojë hapësirën e parkut me një sipërfaqe rreth 409,000 m2 si dhe ndërtimin e një godine kulturore rreth 1000 m2 dhe disa pavioneve me sipërfaqe rreth 1000 m2. Ndërtesa dhe pavionet do të shërbejnë për zhvillimin e aktiviteteve kulturore e argëtuese për qytetarët e turistët. Megjithatë, duket se shteti i ka marrë të gjitha masat që edhe në rast se ka ndërtime private, ato t’i shpronësojë. /TPZ.AL/

Dokumenti i tenderit

More in INVESTIGIM, KRYESORE, LAJME
Foto/ Qëlloi me armë makinën e policisë në Gjirokastër, autori është pjesë e forcave speciale greke

Një patrullë policie është qëlluar paraditen e sotme me armë zjarri, ndërsa ishte në ndjekje 35-vjeçarit Kostandinos Kaçifa. Sipas policisë,...

Close