X

Përgjimet/ Vëllai i Arben Ndokës, i përfshirë edhe në blerje votash në 2017-n

Gjevi Ndoka, vëllai i ish-deputetit të PS-së, Arben Ndoka, i cili është arrestuar në kuadër të operacionit të madh “Vol-Vo 4”, përmendet në dosjen voluminoze të Prokurorisë së Krimeve të Rënda edhe për blerje votash.

Bëhet fjalë për zgjedhjet e parakohshme të zhvilluara në vitin 2017. Kështu, sipas dosjes hetimore, që është siguruar nga “Panorama”, thuhet se ai ka bashkëpunuar me disa persona, para dhe pas fushatës zgjedhore të vitit 2017, duke dhënë para te zgjedhësit për të votuar.

“…Po ashtu, nga përgjimet e telefonave celularë në përdorim të shtetasit Gjevi Ndoka, evidentohet se ky shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë, si para dhe gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare në Republikën e Shqipërisë të vitit 2017, është përfshirë në mënyrë aktive duke ofruar dhe dhënë të holla (para) zgjedhësve për të votuar kandidatët për deputetë nën siglën e Partisë Socialiste, të dhëna këto që dalin nga përgjimet”, shkruhet në dosjen hetimore.

fax-dosje

Mirëpo, Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ndalet në detaje për këtë rast, duke e kaluar dhe duke u fokusuar kryesisht tek objekti i hetimit të dosjes, që është grupi i strukturuar kriminal, korrupsioni dhe trafiku i drogës.

TOKAT

Më së shumti, Gjevi Ndoka përmendet në dosje për rolin e tij në tjetërsimin e tokave në zonën e Lezhës. Sipas dosjes, Prokuroria ka zbuluar shumë raste të tjetërsimit të tokave nga një grup personash, që kanë vepruar kryesisht në plazhin e “Ranës së Hedhun”. Hetimet për këtë grup kishin nisur që në vitin 2013 dhe gjatë përgjimeve ka dalë edhe Gjevi Ndoka që ka lidhje me grupin.

Në një nga bisedat telefonike për tokat, veçojmë edhe një fragment ku ai flet me drejtues të Hipotekës në Lezhë dhe i kërkon që “pjesën e rërës ta kapë krejt”. Në dosje thuhet se Gjevi Ndoka ka qenë i punësuar si zyrtar lokal në Prefekturën Lezhë.

Gjatë kësaj kohe (pas vitit 2013), ai ka krijuar lidhje si shoqërore, ashtu edhe varësi hierarkike në punë, me disa punonjës të zyrave në ZRVPP Lezhë. Por, ai rezulton se këto lidhje i ka krijuar edhe me punonjës të ALUIZNI-t, noterë etj.

“Ndoka rezulton të ketë komunikuar me shumë persona të tjerë të administratës shtetërore, kryesisht të ZRVPP-së Lezhë, Kurbin, në Prefekturë, ALUIZNI, noterë etj., ku nga transkriptimi i përgjimeve (dhe një sërë provash të sekuestruara më pas) kanë rezultuar të dhëna për përfshirjen e tij dhe disa personave të tjerë në falsifikimin e dokumentacionit, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin bëjnë tjetërsimin e pasurive nga shtetërore në private (kryesisht në emër të tyre apo të personave të tjerë, duke përfituar në finale në mënyrë të parregullt pasurinë shtet me dokumente të falsifikuara)”, thuhet në dosje.

ROLET

Sipas dosjes, nga provat rezulton se, ndër të tjera, personat kanë bërë ndërhyrje në dokumentacionin e disa pasurive të paluajtshme, ndër to në pasuritë me nr. 1018, 2513, 540, 4476, 131 C indeksi etj. Si bashkëpunëtorë të të dyshuarit Gjevi Ndoka, punonjës në Zyrat Vendore Lezhë, deri më tani, ndër të tjerë, rezultojnë shtetasit: Eraldo Smaçi, Bledar Cara, Bled Ndoka (Shkodrani), Lule Zeneli.

Ndërsa personat, të cilët kanë përfituar sipërfaqe toke nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara dhe në kundërshtim me Ligjin nr. 7051, datë 19.07.1991, të identifikuar deri më tani, rezultojnë shtetasit: Kol Zef Lleshi, Vlash Gazulli, Zef Ndoka, Mimoza Ndoka, Paulin Simoni dhe Vasil Nika.

PANORAMA

More in AKTUALITET, LAJME
Miratohet ligji për ‘Lojërat e fatit’, nga 1 janari s’ka më kazino e baste

Pas 31 dhjetorit nuk do të ketë më kazino dhe pika bastesh. Kuvendi miratoi sot ligjin për ndalimin e ‘Lojërave...

Close