X

Tregu i Milotit pa veteriner, kafshët shiten pa kontroll

Tregu i gjësë së gjallë në Milot të Kurbinit vazhdon të mbesë një sfidë e pakapërcyeshme për Autoritetin Kombëtarë të Ushqimit. Tregtimi i produkteve më bazë shtazore bëhet në mes të pluhurit dhe mbeturinave.

Qysh në orët e para të mëngjesit, në këtë fushë që bart emrin “treg” zbarkohen kafshë me origjinë dhe raca të ndryshme, edhe pse ai nuk plotëson asnjë kusht higjienosanitar.

Sikur të mos mjaftonte kjo, mungesa e veterinerit të Bashkisë e bën edhe më të pasigurtë këtë treg. Kjo, pasi ky veteriner duhet të kontrollojë nëse kafshët janë me fletë shoqërimi, numër matrikulli – të cilat tregojnë nëse kafsha është bartëse e një sëmundjeje – si dhe vendin e origjinës.

Prej dekadash, tregu i kafshëve të Milotit është lënë në harresë nga pushteti lokal dhe ai vendor, edhe pse ky është një nga tregjet më kryesore të veriut. Shitësit e bagëtive thonë se e kanë të pamundur të tregtojnë në këto kushte.

Ndërkohë, veterinerin e Bashkisë që duhet të kontrollojë hyrjet dhe daljet e kafshëve, thonë që nuk e kanë parë kurrë me sy.

“Veterineri ka ardhur sot? Jo more. Jo sot, por kurrë ndonjëherë”, thotë një tregtar.

“Kushtet minimale janë zero. Humbje totale të vish deri këtu. Veterineri i Bashkisë vjen dhe e kontrollon gjënë? Vjen po për çfarë e dua, ajo është kot aman. Çfarë po na shërben neve matrikullimi? Kush është duke na dhënë gjë, shteti?”, ankohet një tjetër tregtar.

“A ka ndryshuar ndonjëherë tregu në këto 20 vite? A është bërë ndonjë investim nga Bashkia? Asnjëherë nuk ka pasur treg të mirë këtu, për të shitur mallin. A ka ardhur sot veterineri? Nuk e kam takuar sot, nuk e kam parë”, thotë një tjetër tregtar.

Në Milot mund të tregtosh çdo gjallesë që merr frymë, qoftë edhe e sëmurë kjo. Pasi në këtë treg nuk është dikush që të ndalojë dhe të tregojë se çfarë duhet të tregtohet dhe si.

Top Channel

More in AKTUALITET, LAJME
Në prag skadence, AKU kthen mbrapsht në Malin e Zi 11 tonë birrë me origjinë nga Estonia e Meksika

Drejtoria Rajonale e AKU-së në Shkodër ka konstatuar dhe bllokuar rreth 11.6 tonë birrë të importuar nga jashtë, për shkak...

Close