AKTUALITET, 27 Korrik 2018, 21:59

Voltana Ademi del nga shinat, jep me koncesion 39 hektarë pyll në zonat turistike

Pasi u dhanë me koncesion përrenjtë dhe lumenjtë, radha u vjen pyjeve. Bashkia e Shkodrës me në krye Voltana Ademin, ka hapur garën për të dhënë me qira një sipërfaqe prej 39 hektarësh pyje në një nga zonat më të bukura të Shkodrës; Gui i Zi.

Zona ndodhet në afërsi të liqenit të Vaut të Dejës, ndërsa ka në bukuri të rrallë. Kjo sipërfaqe është në pronësi të Bashkisë së Shkodrës, e cila ka vendosur ta nxjerrë në ankandt. Tpz.al ka siguruar disa dokumente për këtë “marrëzi” të Voltana Ademit.

Gjithçka ka filluar fundvitin e kaluar, ku Bashkia e Shkodrës e ka kaluar në Këshillin Bashkiak projekt vendimin. Vendimi është miratuar, ndërsa nuk dihet nëse është marrë apo jo mendimi i institucioneve të tjera të mjedisit. Në letra është edhe një shkresë e Prefektit, i cili vetëm sa sugjeron që gjithçka të kryhet në bazë të dispoziave ligjore në fuqi. Pra, nuk është një miratim.

Gjithsesi, Bashkia e Shkodrës ka vijuar me dokumentet dhe në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, të datës 23 korrik, hapi procedurën “për konkurrim publik për dhënien me qira të sipërfaqes së fondit pyjor/kullosor”.

Sipas dokumenteve që disponon Tpz.al, Bashkia do të japë me qira sipërfaqe e llojit pyll, me sipërfaqe prej 39 hektarësh, në ngastrën 54, në Njësinë Administrative Gur i Zi. Sipas bashkisë, kjo sipërfaqe është në pronësi të Bashkisë Shkodër, pas miratimit të ligjit për pushtetin lokal.

Sipas saj, dhënia me qira e kësaj sipërfaqe bëhet për qëllime pushimi, argëtimi, shëndetësore, shoqërore dhe për veprimtari turistike etj. Pra, siç duket edhe nga objekti, kjo sipërfaqe pylli prej 39 hektarës do ti jepet privatit, për ta përdorur për interesa të tij.

Mësohet se afati për dhënien me qira është me afat 2-5 vite, ndërsa çmimi dysheme në lek për hektarë në vit do të bëhet sipas një VKM-je të vitit 2010. Sipas këtyre tarifave, i bie që privati ti paguaj rreth 120.000 lekë të reja në vit për një hektar pyll. Megjithatë, Bashkia e Shkodrës kërkon nga shoqëria private garanci financiare, të ketë një specialist të fushës etj.

Gjithashtu kërkohet që subjekti të bëjë një kërkesë, ku të deklarohet oferta për vlerën e detyrimit mujor të qirasë, qëllimi i marrjes në përdorim të pronës shtetërore si dhe treguesit e konkurrimit. Sipas dokumentit, Bashkia kërkon që maerialet që do të përdoren të jenë miqësore me mjedisin si drurë dhe gurë.

Pra, bashkia pranon indirekt që në zonë do të ketë ndërtime. Madje, thuhet se në planin e rehabilimit të sipërfaqes dhe kthimin e saj në gjendjen e mëparshme, ku minimum të jetë zëvendësimit të pemëvë të dëmtuara në raportin 1 me 3. Pra, edhe pemë do të priten pavarësisht se ka një moratorium nga qeveria për këtë veprim.

Ajo çka e bën të dyshimtë këtë procedurë është edhe momenti kur do të jepet me qira. Bashkia ka parashikuar që procedura të zhvillohet në muajin gusht, kur banorët do të jenë me pushime. Gjithsesi, Tpz.al do e ndjekë këtë procedurë, për të parë si do të shndërrohet ky pyll me sipërfaqe 39 hektarë!/TPZ.AL/