X

Populistët në pushtet/ Ku do ta çojnë Italinë ‘5 Yjet’ dhe ‘Lega’

Qeveria e re e populistëve u betua, duke i dhënë fund disa muajve pasiguri politike në Itali.

Partitë anti-establishment, Lëvizja 5 Yjet dhe Lega u bënë bashkë në koalicion, duke u përgatitur për të shkurtuar taksat, për të vendosur një të ardhur bazë për të varfërit, dhe deportimin e 500 mijë emigrantëve nga ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës.

Këto parti kundërshtojnë vite të politikave të kursimit nga Bashkimi Europian dhe duan të rinegociojnë borxhin e Italisë.

Pra, kjo qeveri e udhëhequr nga profesori i jurisprudencës Giuseppe Conte, çfarë do të thotë për Italinë dhe pjesën tjetër të Europës?

E ardhmja e Italisë në euro

As Lëvizja 5 Yjet dhe as Lega nuk janë tifoze të monedhës së përbashkët. Udhëheqësi i Legas, Matteo Salvini tha jo shumë kohë më parë se euro ishte “një gabim” për ekonominë e Italisë, ndërsa Lëvizja 5 Yjet dëshironte një referendum mbi përdorimin e kësaj monedhe.

Por, partitë i kanë lënë këto ambicie fillestare të largimit nga euro dhe tani po flasin për përpjekje për ta reformuar atë nga brenda.

Jo të gjithë janë të bindur nga ndryshimi i deklaratave të Matteo Salvinit dhe liderit të Lëvizjes 5 Yjet, Luigi Di Maio. Ministri francez i ekonomisë, Bruno Le Maire u qortua nga Matteo Salvini, pasi ai i paralajmëroi partitë populiste që të respektojnë angazhimet e buxhetit të Italisë.

Tregjet janë gjithashtu të kujdesshme. Kostot e huamarrjes së Italisë kanë prekur nivele që nuk janë parë që nga viti 2016.

                            (Luigi di Maio i Lëvizjes 5 Yjet dhe Matteo Salvini i Lega-s) 

Çfarë planifikojnë partitë populiste për Italinë?

Italia u shkatërrua nga kriza financiare e vitit 2008, e cila e rrudhi ekonominë me 6% dhe la tre milionë italianë në varfëri.

Lega dhe Lëvizja 5 Yjet premtojnë të nxjerrin italianët nga varfëria. Por, politikat e tyre do të kushtojnë dhjetra miliarda euro, për një vend që ka borxhin e dytë më të madh publik në BE pas Greqisë. Borxhi publik i Italisë është sa 132% e prodhimit kombëtar.

Të ardhura të garantuara për të varfrit

Familjet e varfra do të marrin të ardhura mujore prej 780 eurosh, me kusht që ato që përfitojnë këtë shumë të kërkojnë punë në mënyrë aktive.

Kjo është një ide e njohur, por që përllogaritet të kushtojë rreth 17 miliard euro për tu zbatuar.

Dy norma të tatimit mbi të ardhurat

Politika që do ti kushtojë më shumë vendit është ajo e caktimit të dy “taksave të sheshta”, 15% dhe 20%.

Familjet parashikohen të marrin rreth 3 mijë euro në vit nga zbritja tatimore që do të bëhet nga të ardhurat e familjes. Akciza që pritej të rritej vitin tjetër, dhe ka një vlerë prej 12.5 miliardë euro, do të hiqet.

Pakti 58-faqësh mes dy partive të koalicionit, njohur ndryshe si “kontrata”, nuk shpjegon se si do të financohen të gjitha shpenzimet shtesë. Por, ekonomistët vlerësojnë se këto shpenzime mund të kushtojnë rreth 50 milliardë euro.

Reforma e pensioneve

Pensioni minimal mujor pritet të përcaktohet 780 euro.

Plani eliminon reformën aktuale të pensioneve që rrit moshën e daljes në pension.

Në vend të kësaj, një sistem i ri do të kombinojë vitet totale të kontributeve tek sigurimet shoqërore me moshën e pensionistëve. Kjo do të mundësojë që, për shembull, dikush që ka paguar sigurimet për 41 vjet, mund të dalë në pension 59 vjeç.

                 (Kryeministri i ri i Italisë, Giuseppe Conte, një “fillestar” në politikë) 

Prerja e borxhit të Italisë

Partitë populiste thonë se duan të rishikojnë Paktin e Stabilitetit dhe Rritjes së BE-së, i cili përcakton një kufizim të vështirë të deficitit buxhetor prej 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Plani synon të reduktojë borxhin përmes “ringjalljes së kërkesës së brendshme”, jo përmes shtrëngimit të vazhdueshëm.

Deportimet masive

Populistët e Italisë nuk kanë për qëllim vetëm ndryshimet në ekonomi dhe rishikimin e rregullave të BE-së mbi borxhin. Lega është fuqimisht anti-imigracion dhe plani i koalicionit e pasqyron atë.

Do të kërkohet më shumë ndihmë nga BE-ja për Italinë, që është destinacioni kryesor për emigrantët që vijnë nga Afrika e Veriut. Koalicioni instiston që 500 mijë emigrantë pa letra në Itali të deportohen. Ky do të jetë “prioritet”.

Kjo do të kërkonte krijimin e “qendrave të qëndrimit të përkohshëm” në të gjithë Italinë, për emigrantët e caktuar për tu dëbuar.

                                  (Italia nuk ka më kapacitet të presë emigrantë) 

Plani bën thirrje për zhvendosje efektive të azilkërkuesve në BE, një skemë që tashmë është refuzuar nga disa shtete të unionit. Ky plan kërkon bashkëpunim më të fortë për të luftuar bandat e kontrabandimit të njerëzve.

Marrëdhëniet me Rusinë

Krerët populistë nuk pajtohen me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë dhe duan që ato të hiqen. Ata nuk e shohin Rusinë si një kërcënim ushtarak, por si “një partner potencial për BE-në dhe NATO-n.”

Ata duan të punojnë me Rusinë kundër kontrabandimit të emigrantëve anembanë Mesdheut dhe ndikimit të vazhdueshëm të islamistëve të dhunshëm. Ata gjithashtu e shohin Rusinë si një lojtar kyç në dhënien fund të luftërave në Lindjen e Mesme.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e akuzojnë Rusinë për aktivitete armiqësore anti-perëndimore dhe marrëdhëniet u ngrinë pas aneksimit të krahinës së Krimesë nga Rusia, në vitin 2014.

BBC/Lapsi.al

More in ANALIZË, LAJME
I kishte fshehur ‘sipas traditës’ 60 mijë eurot dhe kokainën, kush e spiunoi shqiptarin në Itali

Një shtetas shqiptar ra në prangat e policisë italiane, pasi gjatë kontrollit të agjenteve iu gjetën të fshehura ne banese...

Close