X

Ekskluzive/ E ëma e Ministres Olta Xhaçka, bëhet notere në kundërshtim me ligjin

Dokumentat e siguruara nga Tpz.al tregojnë se e ëma e Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka përfituar liçencën e Noterit pa plotësuar kriteret ligjore, madje edhe në shkelje flagrante të ligjit.

Natasha Xhaçka, në qershor të 2014, sapo kishte festuar ditëlindjen e saj të 56-të, por 3 muaj më pas ajo do të pajisej me Licencën e Noterit, në kundërshtim me kriteret e përcaktuara nga ligji. Nëse i referohemi ligjit nr. 9216, datë 1.4.2014, në nenin 2 të saj thuhet se profesionin e noterit mund ta ushtrojë çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë që është jo më pak se 26 vjeç dhe jo më shumë se 55 vjeç në çastin e dhënies së provimit të kualifikimit për marrjen e lejes së ushtrimit të profesionit të noterit.

Po sipas këtij ligji, provimi i kualifikimit bëhet 60 ditë përpara se të regjistrohet në Regjistrin e Noterëve të Republikës së Shqipërisë. Në dokumentin që Tpz.al ka siguruar, shihet qartë që znj. Natasha Xhaçka kishte mbushur 56 vjeç në kohën kur ajo ka dhënë provimin e kualifikimit të Noterisë, duke shkelur ligjin por njëherësh duke zënë një pozicion që mund të ishte përfitues dikush tjetër.

Burime pranë Ministrisë së Drejtësisë, bëjnë me dije se për këtë rast ka nisur një inspektim ndaj të ëmës së Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Inspektimi nisi kur Ministria e Drejtësisë drejtohej nga Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë me vendosjen e Ministres së re, Etilda Gjoni, dosja e verifikimit për Natasha Xhaçkën mbeti në sirtar.

Sipas ligjit nr. 10 491 datë 15.12.2011, neni 6, Ministri i Drejtësisë, Etilda Gjoni, duhet t’i heq Natasha Xhaçkës, lejen e ushtrimit të profesionit të noterit, pasi është emëruar në kundërshtim me kushtet e përcaktuara. Pra, ka përfituar lejen e noterisë në moshën 56 vjeçe, jo siç e parashikon ligji për noterinë deri në 55 vjeç.

Një tjetër shkelje që znj. Natasha Xhaçka ka kryer, është edhe pozicioni i profesionit të noterit. Sipas Regjistrit të Noterëve në Republikën e Shqipërisë, Xhaçka duhet të ushtronte profesionit e noterit në Njësinë Administrative Farkë, e përcaktuar si vend nga nevojat e komunitetit. Por znj. Natasha Xhaçka ka refuzuar të ushtrojë profesionin në periferi të Tiranës, dhe për këtë ajo është pozicionuar në mes të ish-Bllokut.

Zyra e Natasha Xhaçkës, ndodhet pranë Sheshit Uillson, në Tiranën e Re. Kjo është një shkelje disiplinore, pasi ligji nr. 10 491 datë 15.12.2011, neni 12, thotë se përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë, në rastet e transferimit ose të ndryshimit të vendndodhjes së zyrës së noterisë, noteri duhet të lajmërojë me shkrim Ministrinë e Drejtësisë dhe Dhomën Kombëtare të Noterisë brenda 15 ditëve nga fillimi i veprimtarisë në adresën e re.

Në këtë rast, e ëma e Ministres, duket se nuk e ka kryer këtë veprim, pasi sipas dokumentit që disponon Tpz.al, në Regjistrin Kombëtar të Noterëve, ajo rezulton të jetë me zyrë pranë zonës së Farkës. Kjo është një thyerje disiplinore që dënohet me gjobë deri në heqjen e lejes së noterit.

Tpz.al do të vijojë të denoncojë të tjera shkelje të rënda, ku njerëz të lidhur me pushtetin kanë zënë çdo hapësirë të lirë pune për qytetarët e thjeshtë. Në kundërshtim me ligjin bëhen punësime të njerëzve të lidhur me pushtetin, rekrutohen militantë, si dhe merren liçenca të profesioneve të ndryshme. Ky lloj sistemi i kapur nga një grusht njerëzish, ka vrarë shpresën e çdo shqiptari, për të patur një punë dinjitoze, për të bërë një konkurs të ndershëm dhe për të ushtruar profesionin normalisht, jo si i afërm i ndonjë ministri apo deputeti./TPZ.AL/E.H/

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in KRYESORE, LAJME, NË FOKUS
Kontrata kolektive 9 muaj pezull, 23 mijë mësues në ankth

Afati i kontratës kolektive mes sindikatave të arsimit dhe ministrisë së Arsimit ka skaduar më datë 31 maj të vitit...

Close