X

Spartak Ngjela: Ja kush e shpëtoi Kadarenë nga Enver Hoxha

Spartak Ngjela ka qenë i ftuar në emisionin “Rrëfim” në SCAN TV.

Ai ka folur gjatë në këtë emision, për Ismail Kadarenë dhe veprën e tij.

Ngjela ka thënë se ata që sot e akuzojnë Kadarenë se ka mbrojtur regjimin komunist, nuk kanë lëvizur asnjë gisht vetë për të kundërshtuar regjimin:

Shqipëria ishte një vend me regjim terrori shtetëror. Nuk vinte njeri me mitraloz apo të kapte topin nga gryka si Selam Musai. Këta i thonë Ismail Kadaresë të kishe kapur topin nga gryka.

Po këta vetë e kanë bërë ndonjëherë? A e kapur topin nga gryka? A e kanë goditur regjimin? Se flasin kundër Kadaresë, i thonë ‘ke bashkëpunuar me regjimin’”.

Ai i ka ndarë kundërshtarët e Kadaresë në dy grupe të mëdha:

“Ka një miksturë figurash kundër Kadaresë. Kryesorët janë ata që nuk pranojnë Shqipërinë, prestigjin kombëtar shqiptar. Nuk dua të përmend emra.

Kur kam dalë nga burgu i Burrelit, kam takuar rastësisht në rrugë Kadarenë, që kish ardhur nga Franca.

I thashë: “Ke dy rryma që të luftojnë. Ke sovjetikët dhe turqit. I ke kundër”. “Sepse, një makrobotë studiohet shumë mirë nga një mikrobotë. Dhe unë isha në një mikrobotë, po atje qe e gjithë Shqipëria. Këta pati kundërshtarë”.

Ai i ka quajtur kundërshtarët e ‘frontit sovjetik’ më të paskrupujt.

E thashë këtë, sepse nuk marr parasysh fare kundërshtinë që shkruajnë nëpër gazeta. Po të jap pikëpamjen time dhe po të tregoj se nga ç’pozicion e luftojnë”.

Ngjela tha se figura e Kadaresë është goditur politikisht dhe thuajse askush nuk është marrë me të si shkrimtar dhe me veprën e tij letrare:

A thua se kanë dalë të bëjnë krushqi me të! E analizojnë si krushk; i jap vajzën ose s’i marr djalin. E kupton ku kemi rënë?!

Ai është një personalitet i padiskutueshëm botëror dhe si mund të flas unë tani e t’i bëj analizë letrare atij që ka gjithë ato çmime, konkurrent prej më shumë se 15 vitesh për çmimin Nobel, që ka botuar miliona libra dhe jeton në luks me honorarët e librave, qe shet libra në perëndim jo që ia shet regjimi apo ia blejnë miqtë dhe mbi të gjitha është anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave?!

Çfarë dua të them, që të gjitha këto janë false?! Të bie unë në nivel injoranti?! Të lutem!”.

Sa i përket veprës, Ngjela e ka cilësuar romanin “Pallati i Ëndrrave” si një vepër të mirëfilltë kundër regjimit:

Këta thonë vepra për regjimin… por unë nuk kam parë vepër më anti regjimit në treg sesa Pallati i Ëndrrave.

Tani, nëse këta nuk arrijnë të kuptojnë se Pallati i Ëndrrave është Komiteti Qendror, nuk është faji i shkrimtarit. Pastaj këta e akuzojnë për personazhet, po si mund të mbajë përgjegjësi një romancier i madh botëror për personazhet e tij?”.

Edhe sa i përket veprës tjetër të shumëdebatuar “Dimri i Vetmisë së Madhe”, Ngjela thotë se shkrimtari e ka goditur Sigurimin e Shtetit:

Merren me romanin Dimri i Vetmisë së Madhe dhe thonë se ka folur për Enver Hoxhën. Çështja qëndron se është budalla Enver Hoxha që e lejoi ta bënte personazh. E ka personazh në thriller. Kur e pyetën Floberin se kush është Ema, e di si tha? Jam unë. Këta kujtojnë se është Enver Hoxha. Ai është Ismail Kadare. Është roman, jo monografi e Enver Hoxhës.

 Ai mbase ka shkuar shumë nga e mira dhe ka thënë “t’ia jap këtë libër se mbase rregullohet”. Por a rregullohej dot Enver Hoxha?! Ai nuk vajti t’i bënte kriticizmin, por ka goditur të gjithë sigurimin e shtetit. Ai është shkrimtar, jo politikan. Nuk është psikolog a psikiatër që të analizojë se ky është një skizofren dhe nuk kam ç’i bëj më.

Njeriu shkon gjithmonë nga e mira dhe nuk do të hiqte dorë nga letërsia. Letërsia i ka mbetur. Çfarë të keqe e ka historia e kulturës shqiptare që nuk u vra Ismail Kadareja? Se mund ta kish vrarë ai Kadarenë”.

Ngjela tha se Ismail Kadare i shpëtoi regjimit falë Francës:

Në momentet kur donin ta shpallnin disident dhe ky donte ta arrestonte, hyri në mbledhje të Byrosë Politike dhe tha: “Nuk do e prekim! Nuk i jap Perëndimit asnjë disident.

Dhe miqtë e tij të mëdhenj shkrimtarë të Francës si Alain Bosquet dhe shumë të tjerë që po prisnin me tension dhe në momentet që do të arrestohej do ta shpallnin disident.

Sigurimi e njoftoi Enver Hoxhën dhe ai e çoi në prodhim dhe nuk i dha Perëndimit asnjë disident dhe këtu u tregua politikan i nivelit të lartë.

Goditja ishte për Pallatin e Ëndrrave sepse të gjithë e dinin që ishte Komiteti Qendror. Por nuk është ashtu si thonë këta. Ai ka edhe vepra asnjanëse”.

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in AKTUALITET, LAJME
Zgjedhjet dhe votimi elektronik, Bylykbashi: I dimë problemet, nuk do të fshihemi pas gishtit

Deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi shprehet se karta e identitetit është kthyer në një mjet që po përdoret për të...

Close