X

E çmendura N, viziton bizneset dhe zonat e përmbytura

 

Pardje, në orën 10:00, në mes të një rebeshi të madh shiu, e çmendura N e kryeqytetit, pasi veshi një xhup XL të Bayernit të Mynihut, hypi në tarracën e 15 katëshit dhe lëshoi këto pasthirrma dhe fjalë:

– Ububu, ububu, ububu! Shi i madh, shi i madh, shi i madh! Ç’është kjo kohë?! Ç’është ky mot?! Ç’është ky shi?! Ububu, ububu, ububu…

Dy orë më vonë, fiks në orën 12:00, e çmendura N e kryeqytetit, mbi xhupin XL të Bayernit të Mynihut, veshi një xhup XXL të Juventusit dhe u derdh, me not pashë, në autostradën Tiranë – Durrës. Pas dy kilometra not, e çmendura N, u ndal në ambientet e përmbytura të “Mercedes Benz”. Pasi çau me not, përmes makinave të përmbytura, e çmendura u ul këmbëkryq mbi njërin nga benzat dhe filloi të qante, me ligje dhe këngë ashtu siç qajnë lebërit.

– O Çeti, o Shefqet, o vëlla! Si na hyri, si na u fut ky ujë kështu, o Shefqet o vëlla! Ububu, ububu, ububu!

Në kulmin e shfryrjes, përballë saj u shfaq ministri më i varfër i qeverisë Rama1 plus Rama2, Damian Gjiknuri.

– O Damian o vëlla, ç’të ka gjetur kështu që je bërë si peshk krap, në mes të ujit?

– Lëre lëre o e çmendur, s’di çtë them. Di gjë ti, kur makinën e përmbyt uji, pëson gjë motori, apo jo?

– Po si nuk pëson o ditëzi. Po u përmbyt makina, u dhje dhe motori. Po ç’lidhje ke ti me Benzat e përmbytur?!

– Eh moj e çmendur, – ja ktheu Damiani, s’thonë kot, kur kërcen i varfëri çahet daullja. Sapo kishte sjellë Çeti i shkretë, një Benz fringo, jashtë serie për mua. Më mori në telefon baca, që të shkoja ta merrja, kur ja dha përmbytja… Më duket se edhe ky lali Eri, e hapi me qëllim digën… Ti ç’thua o e çmendur?

– Ç’të të them o Damian vëllai, kjo që të ka ndodhur ty, mos i ndodhtë as hasmit… Po ika tani se nuk është mirë të rrish shumë në ujë.

Pas këtij bashkëbisedimi, e çmendura N, zbriti në sheshin e Megatekut dhe lëshoi këtë tog me fjalë.

– Si ka mundësi të mos futet uji këtu, që është më poshtë se biznesi i Çetit?! Si nuk i hyn as gjemb në këmbë, as ujë në biznes këtij Lulit?! Si përmbytet Çeti, ky njeri i mirë dhe Lul Bashën se gjen gjë, as nga uji, as nga zjarri, as nga FBI-ja?! Si erdhi kështu ky ujë dhe na mbuloi?! Rroftë qeveria! Poshtë Niko Peleshi! Lavdi Lulzim Bashës!

Britmat e të çmendurës, bënë që rreth saj të mblidheshin një grup, jo i vogël kureshtarësh.

– Pse mblidheni kështu o njerëz! O të paaftë! O të përmbytur! O të padenjë!

Befas, e çmendura, nga kjo ligjëratë e zemëruar, kaloi në një gjendje krejt paqësore:

– O njerëz! O të ditur dhe të paditur! Ne vërtet u përmbytëm, por gjendja është nën kontroll, shirat janë nën kontroll, të përmbyturit janë nën kontroll, dëmet janë nën kontroll…!

Të nesërmen në mesditë, e çmendura N e kryeqytetit, u shfaq te ura në hyrje të qytetit të Fierit. Këtë herë, mbi xhupin XL të Bayernit të Mynihut dhe xhupin XXL të Juventusit, kishte veshur një xhup të tretë, me përmasat XXXL të FC Barcelona. Një erë e marrë, më e marrë se e çmendura N, ja gufonte dhe gati ja dyfishonte përmasat e xhupit XXXL të Barcelonës.

Mes fërshëllimës së pandërprerë të erës, e çmendura N, filloi të ulërinte këto fjalë:

– Të dashur fshatarë, të dashur lalucë, të dashur myzeqarë! Këto dy ditë u përmbytëm, por gjendja është nën kontroll… Por o fshatarë myzeqarë, ju lutem shumë, që të jemi edhe ne të sigurtë, edhe ju të sigurtë, duhet të siguroheni!

Befas, era pushoi ulërimën e vet, ndërsa e çmendura N, hypi në parmakët e urës dhe u lëshua drejt ujrave të turbullt. Në çastin e kredhjes, ajo bërtit edhe njëherë: – Sigurohuni!

Tre kilometra më poshtë, ca fshatarë, që po nxirrnin nga uji bagëtitë e ngordhura, nxorrën dhe një grua pa emër, që herë pas herë belbëzonte fjalët, “sigurohuni, sigurohuni”!

/TPZ.AL/

 

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in TEJ E KETEJ
E çmendura N, bisedë me Lulin për PD-në dhe të larguarit

  E çmendura N e kryeqytetit, sot rreth orës 15:00, bëri një parakalim të zhurmshëm, në bulevardin “Stalin”, duke bërtitur...

Close