X

Voltana Ademi falimenton klubin e futbollit “Vllaznia”, e nxjerr në ankand

Një nga klubet historikë të futbollit në Shqipëri ka falimentuar. “KF Vllaznia”, 9 herë kampione e Shqipërisë dhe 11 herë nënkampione, po lëviz prej vitesh në ujëra të turbulla në Superligë. Vitin e kaluar mbijetuan në javën e fundit, ndërsa këtë vit, sërish janë pretendentë për të rënë një kategori më poshtë, për herë të parë në historinë e tyre.

Tpz.al ka siguruar disa dokumente nga Bashkia e Shkodrës, e cila zotëron të gjitha aksionet e klubit por që kërkon ta shesë. Kjo bashki, në datë 16 nëntor 2017, ka hapur një tender për “shërbim konsulence”,  për vlerësimin e aseteve dhe përgatitja e dokumentacionit për shitjen me ankand të aksioneve të Bashkisë Shkodër të Klubit të Futbollit “Vllaznia”. Edhe pse është bashkia më e madhe në veri të vendit, kryetarja e saj, Voltana Ademi ka ndërmend tia u jap privatëve, dhe për këtë ajo do të paguajë një konsulencë, me rreth 833,333 lekë.

Menaxhimi i dobët i klubit

Klubi i Futbollit Vllaznia është themeluar si shoqëri aksionare me dt. 29.8.2011, me aksionar te vetem 100% Bashkia Shkodër dhe me nje kapital fillestar prej 2.000.000 lekë me vlerë nominale të një aksioni 1.000 lekë. Sot, KF.Vllaznia zotëron një kapital 320.322.000,00 lekë. “Megjithëse Bashkia Shkodër ka investuar vazhdimisht tek Klubi i Futbollit Vllaznia sh.a, ky investim ka rezultuar me humbje të mëdha për shkak të menaxhimit jo korrekt ndër vite.”– shprehet në dokumenta, Bashkia Shkodër e cila drejtohet nga Voltana Ademi, e cila ka njohuri të pakta për futbollin.

Ademi pranon dështimin me klubin Vllaznia, duke thënë se për shkak të keqmenaxhimit, buxhetit të bashkisë i është shkaktuar një humbje prej 308.350.378 lekë.

Të ardhurat nga F.K Vllaznia, në vite

Ankandi për KF Vllaznia

Bashkia Shkodër thotë se është e nevojshme që KF. Vllaznisë sh.a, si një klub me kërkesa të mëdha financiare, t’i krijohet mundesia e nje administrimi më të përshtatshëm nëpërmjet privatizimit te tij. “Privatizimi lind si nevoje për ta fuqizuar KF. Vllaznia sh.a. Historiku i ketij klubi tregon se përpara se ta merrte administrimin bashkia, sponsorët kanë arritur ta mbajnë KF. Vllaznine në nivel të lartë, në vendet e para të klasifikimit, madje duke fituar edhe trofe dhe duke marrë pjesë në Kupat e Europës.” – thuhet në dokumenta. Pra, me pak fjalë, Ademi pranon jo vetëm që ka rrënuar financat e ekipit legjendar të futbollit, por nga ana tjetër nuk ka shënuar as sukses në rezultatet e renditjes, në Superligë.

Voltana Ademi thotë se tifozeria shkodrane e mirëpret një proces privatizimi të FK. Vllaznia, por nuk tregon sesi ka arritur në këtë përfundim. “Privatizimi i klubit është një domosdoshmëri për ta rikthyer këtë klub kryesues në tabelën e renditjes. Gjithashtu dhe tifozeria shkodrane mirepritet një proces të tillë privatizimi, si një potencial për të bashkuar më shumë burime financiare, menaxheriale e teknike në dobi të skuadrës së zemrës e cila i ka dhuruar emocione dhe ato e kanë duartrokitur me breza” thotë bashkia.

Historia e “KF Vllaznia”

Në dokumentet që janë dorëzuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, Bashkia e Shkodrës thotë se futbolli shqiptar i ka fillimet e hershme që pas pavaresisë së Shqipërisë. Për herë të parë luhet futboll në vitin 1908, kohë kur lagjet e vjetra shkodrane filluan të ndesheshin ndërmejet tyre. Ndërsa topi i parë i vërtetë i futbollit në Shqipëri u soll në Shkodër nga prifti maltez At Gutt Ruter.

Në këtë mënyrë, duke parë interesimin e madh ndaj këtij sporti filluan të krijoheshin grupe të vogla sportive të cilët më vonë do të krijonin shoqëri sportive. Shoqëria “Vllaznia” është themeluar me 16 shkurt të vitit 1919, ku nismëtarët ishin anëtarët e shoqatës “Mustafa Pasha” dhe “Vaso Pasha” të cilat u bashkuan për të krjuar një shoqëri të vetme me emrin “Vllaznia”.

Ndër themeluesit e shoqërisë “Vllaznia” mund të përmendim emrat e Hilë Mosit që u zgjodh kryetar, Hysen Draçini nënkryetar e Jonuz Tafili sekretar. Kjo shoqëri luajti një rol shumë të madh në zhvillimin e llojeve të ndryshme të sportit si: futbollit, çiklizmit, atletikës, hipizmit etj. Kjo shoqëri do të ishte e para shoqëri sportive në të gjithë Shqipërinë.

Klubi i futbollit “Vllaznia” ka lënë gjurmë në historinë e futbollit të vendit tonë. Më 1913 luhet në Shkodër ndeshja e parë ndërkombëtare e futbollit për vendin tonë mes skuadrës “Indipendenca” dhe një formacioni Austro – Hungarez. Më vonë do të krijoheshin edhe klubet e tjera si Skenderbeu, Tirana, Flamurtari, Teuta etj. Në vitin 1930 të gjitha ekipet e krijuara do të themelonin Federatën Shqiptare të Futbollit. Po në këtë vit do të luhej edhe Kampionati i parë Shqiptar profesionist në të cilën morën pjesë 6 skuadra ku padyshim Vllaznia ishte një ndër nismëtarët dhe pretendentët e atij edicioni futbollistik.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, aktivitet sportive rezultojnë të ndërprera, për të rifilluar përsëri pas luftës. Pas vitit 1945 për klubin e futbollit Vllaznia rinisin sfidat e reja. Pikërisht, ndër këto vite dhe saktësisht 1945 dhe 1946 Vllaznia do të fitojë 2 herë radhazi Kampionatin Shqiptar, biles në vitin 1946 Vllaznia shënon një rekord duke i fituar të gjitha ndeshjet, duke marrë kështu 100% të pikëve të mundshme. Në këto vite janë për t’u përmendur lojtarët me famë të futbollit shkodran dhe të mbarë atij shqiptar, si Loro Boriçi, Muhamet Dibra, Xhelal Juka, Bimo Fakja, Met Vasija e shumë e shumë të tjerë. Në vitet në vazhdim Vllaznia paraqitet gjithmonë si pretenduese duke qenë ekipi i vetëm nga rrethet që konkuronte me sukses ndaj treshes së ekipeve të kryeqytetit, Tirana, Dinamo dhe Partizani.

Në edicionet e viteve ‘71-‘72 Vllaznia është rikthyer përsëri fituese, si e Kupës së Shqipërisë po ashtu edhe e Kampionatit. Në vitin 1978 Vllaznia do të marrë pjesë në kupat europiane. Pas viteve ‘90, emrave të shquar të historisë së futbollit i shtohen edhe ato të  asaj skuadre kampione:  Dani, Nako, H. Dedja, Pashaj, Shpuza, Noga, Ç. Basha, Premçi, Bushati, A. Gruda, Billa, Ymeri, Tepelia, Bisha, Hoxha, Lika, Martini, Keçi, Filipi. Trajner: A. Hafizi.

Sezoni 2000-2001 ka qënë i jashtëzakonshëm, në ndeshjen e fundit të atij edicioni, stadiumi “Loro Boriçi” me mbi 16 000 spektatorë ka festuar titullin së bashku me skuadrën, pas ndeshjes së fundit të fituar nga Vllaznia me rezultatin 6-4. Në 2008 Vllaznia merr pjesë në kupën Uefa ku arrin të kualifikohet në turin e parë kurse në turin e dytë Vllaznia luan kundër skuadrës italiane Napoli të cilat i humb të dyja. K.F Vllaznia është 9 herë kampione e Shqipërisë dhe 11 herë nënkampione. Ajo ka fituar 6 herë kupën e Shqipërisë dhe 8 herë ka qenë finaliste. Ka fituar 2 herë Superkupën  në vitin 1998 dhe në 2001 ndërsa në vitet 1992 dhe 2008 ka qenë finaliste. Numri i madh i vendeve të para dhe të dyta, tregon forcën dhe suksesin e Vllaznisë ndër vite, gjithmone si një ndër protagonistet e vërteta të sportit të futbollit në vendin tonë.

  • Pikët e fituara në kampionatet e fundit

Klasifikimi 2011 – 2012

KF VLLAZNIA:  Renditja në vendin e  6-të me 35 pikë.

Klasifikimi 2012 – 2013

KF VLLAZNIA:  Renditja në vendin e  6-të me 38 pikë.

Klasifikimi 2013 – 2014

KF VLLAZNIA:  Renditja në vendin e  8-të me 45 pikë.

Klasifikimi 2014 – 2015

KF VLLAZNIA: Renditja në vendin e 7-të me 35 pikë.

Klasifikimi 2015 – 2016

KF VLLAZNIA: Renditja ne vendin e 6-të me 39 pikë.

Klasifikimi 2016 – 2017

KF VLLAZNIA: Renditja në vendin e 6-të me 40 pikë.

  • Titujt kombëtar të fituar.

KAMPIONATI KATEGORIA SUPERIORE

  • Tituj Kampion 9 (Nente): 1945, 1946, 1971/1972, 1973/1974, 1977/1978, 1982/1983, 1991/1992, 1997/1998, 2000/2001.
  • Tituj Nenkampion 11 (Njembedhjete): 1932, 1933, 1936, 1937, 1947, 1949, 1974/1975, 1996/1997, 1998/1999, 2002/2003, 2008/2009.

KUPA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

  • Fituese e Kupes 6 (Gjashte) here: 1964/1965, 1971/1972, 1978/1979, 1980/1981, 1986/1987, 2007/2008.
  • Finaleste e Kupes (Vendi i dyte) 8 (Tete) here: 1938/1939, 1965/1966, 1967/1968, 1985/1986, 1998/1999, 2005/2006, 2009/2010.

SUPERKUPA E SHQIPËRISË

  • Fituese e Superkupes 2 (Dy) here: 1998, 2001.
  • Finaliste e Superkupes (Vendi i dyte) 2 (Dy) here: 1992, 2008.

 

/TPZ.AL/E.H

* Për më shume bashkohuni në grupin tonë: https://www.facebook.com/groups/tpz.al/
More in KRYESORE, LAJME, NË FOKUS
Mediat britanike japin detaje për dezertimin e 4 komandove

Britanikja “The Sun” i ka kushtuar një shkrimin lajmit për dezertimin e 4 komandove shqiptare në Angli, duke sjellë detaje...

Close