X

E çmendura N e kryeqytetit, bisedon me gurët e trevave dhe Edi Ramën!

E çmenduara N e kryeqytetit, një grua topolake, rreth të gjashtëdhjetave, me flokë të shpupuritura shumëngjyrëshe, fiks në orën 16:00, u shfaq në rrugën që kalon përpara Partisë Socialiste. Pas pesë minutash, ajo u derdh në sheshin e rindërtuar Skënderbej.

Rroftë Edi Rama, poshtë Sali Berisha, lavdi Flamur Nokës, si u tret kështu ky Koço Kokëdhima, të dhjefsha Parkun Olimpik të Tiranës!

Pas këtyre britmave, e çmendura N e kryeqytetit, filloi të numërojë me zë të lartë, gurët e trevave shqiptare, të sjellë në shesh, me shumë mund e me shumë djersë, nga Erion Veliaj. Në numërimin e parë, të çmendurës N i dolën tetë gurë, në të dytin shtatë dhe në të tretin përsëri tetë.

Sa janë? – e pyeti një qytetar që kaloi aty pranë.
Se shtatë se tetë, – ja ktheu e çmendura N dhe filloi të ulej nga dy minuta në çdo gur të trevave shqiptare. Nuk dihet përse te ai i Çamërisë dhe Vermoshit, ndenji më gjatë se te të tjerët.

Pas këtij rituali, e çmendura N e kryeqytetit, mbajti këtë fjalim të shkurtër: O gurë, o gurë, o gurë! Si na ikën kështu të gjitha trevat o gurë… Na i mori hasmi, na i rrëmbeu i paudhi o gurë… Vetëm ju keni mbetur, vetëm ju o gurë, vetëm unë o gurë, vetëm Edi Rama o gurë! Vetëm ju, vetëm unë dhe vetëm Edi Rama, do të mbetemi në këtë vend përgjithmonë o gurë! O gurë, o gurë, o gurë, ç’është ky vend që është çmendur më shumë se unë?

Pas këtyre fjalëve, e çmendura N e kryeqytetit, eci me hap të shpejtë pëgjatë Bulevardit Musolini, u ndal përpara Kryeministrisë, u mbush me frymë thellë dhe tha këto fjalë: Me ty, me ty, me ty, Edi Rama! Sa të jetë kjo botë, sa të jetë platforma për bashkëqeverisjen me qytetarët, sa të jenë portalet, sa të jenë anti portalet e lali Erit, me ty përjetë Edi Rama!

Pas fjalisë së fundit, e çmendura N e kryeqytetit, bëri një prapaktheu të menjëhershme, duke u rikthyer tek gurët e trevave, në sheshin e rindërtuar Skënderbej. I rinumëroi gurët edhe tri herë të tjera. Çuditërisht të treja herët, i dolën nëntë. Përpara se të largohej ajo bërtiti: Poshtë trevat kombëtare, lavdi Pandeli Majkos, u shoftë Erion Veliaj, i përjetshëm kryetari Basha!

Tre minuta më pas, e çmendura N e kryeqytetit, u riderdh në Bulevardin Musolini dhe duke bërtitur o gurë, o gurë, o gurë, u ndal përpara Presidencës. Nuk dihet përse mbajti një minutë heshtje dhe më pas lëshoi këto fjalë solemne: Të mbyllën edhe ty këtu o Ilir, o bir! S’të futën dot në burg me vetting, por të futën në këtë burg të bukur Skandinav… Si të mashtruan kështu o Ilir, o bir… Rroftë Edi Rama o Ilir, o bir!

 

 

 

More in TEJ E KETEJ
Kim Yong-un, letër e hapur për Erion Veliajn

  I dashur shok Erion! Siç e di dhe siç e ke parë, unë, Lideri Suprem i Koresë së Veriut,...

Close