X

Kim Yong-un, letër e hapur për Erion Veliajn

 

I dashur shok Erion!

Siç e di dhe siç e ke parë, unë, Lideri Suprem i Koresë së Veriut, djali i Kim Yong-il dhe nipi i Kim Il-sung , kam çuditur botën mbarë, me ato që kam bërë, por edhe me ato që do të bëj në të ardhmen. Shok Erion! Është e vërtetë, që gjithë jetën time kam çuditur të tjerët, por në ditët e sotme, unë Lideri Suprem i Koresë së Veriut, jam i çuditur shumë me ju. Dua t’ju siguroj shok Erion dhe t’ju bëj me dije, se ti je njeriu i parë dhe i vetëm në këtë botë, që më ke çuditur vërtet.

Në Korenë tonë të dashur, siç e di e gjithë bota, unë si Lider Suprem, kam ndaluar hyrjen e çdo vale televizive dhe radiofonike të huaj. Mediat dhe televizionet tona këtu thonë vetëm të vërtetën, shok Erion. Këtu të gjithë e dinë, që kampionatet botërore, në të gjitha sportet, i ka fituar Koreja e Veriut. Të gjithë këtu e dinë që ne jemi populli më i lumtur dhe më i gëzuar në botë. Por shok Erion, këtu deri para pak kohësh nuk e dinin, që kishte në botën ku jetojmë edhe një njeri tjetër, që bënte të pamundurën të mundur, që bënte natën ditë, por dhe ditën natë. Dhe ky shok jeni ju, shok Erion. Për këtë arsye, unë, Lideri Suprem i Koresë së Veriut, para dy muajsh, nxorra një dekret, ku urdhërova, që populli korean, të shohë dhe të ndjekë me detyrim të gjitha videot dhe daljet tuaja publike në Tiranë, të cilat do të transmetohen në televizionin shtetëror korean. Nuk e di shok Erion ç’po ndodh me mua, por dua të të them se jam i mahnitur me ju. Mënyra si po e ndërton ti Tiranën, mënyra si vishesh dhe zhvishesh, çdo ditë nëpër televizionet shqiptare, tani po çudit çdo korean të madh e të vogël. Ti shok Erion, bën në Tiranë gjërat që nuk i bën dot asnjë Kryetar Bashkie në botë. Ti shok Erion vesh çdo ditë bluza të ndryshme me çmime të kujdesshme, pantolla të çdo lloji, me çmime mesatare. Përdor si prapa si përpara, si në sfond, si majtas, si djathtas, traktorë, eskavatorë, betoniere, bankomatë, shatërvanë, kalimtarë, vija të bardha, fëmijë, Edi Ramën, shira, misër-pjekës, ujra të turbullt dhe të kulluar, lypës… Me një fjalë shok Erion, si të të them, ti s’lë halè pa trazuar.

Ti je i vetmi njeri në Tiranë që punon ditë e natë. Je i vetmi njeri në Ballkan që ha për drekë vetëm sufllaqe se nuk të del koha. Ti shok Erion, do të hysh në historinë e Shqipërisë, sepse ke martuar gjysmën e Tiranës në tarracën e bashkisë. Ndaj, sot unë me gëzim, të njoftoj se shumë koreano-veriorë kanë shfaqur dëshirën të martohen nëpër tarraca. Ka edhe shumë të tjerë, që duan të ndahen, vetëm se duan të martohen sërisht në tarracë. Edhe unë mos vdeksha pa u martuar prej teje njëherë në tarracë. Shok Erion, ti ke bërë një shpikje të madhe që duhet ta zbatojë edhe Kina edhe Amerika, si vende me popullatë të madhe. Ti shok Erion na ke mësuar si të bëjmë gradaçela të mëdha, për të kursyer hapësirën poshtë. Të ikim lart, që vendi të mbetet bosh poshtë. Bravo të qoftë! Ç’është kjo botë kaq e trashë shok Erion, që nuk i kishte shkuar mendja më përpara për këtë gjetje gjeniale?!

Për të gjitha këto që ke bërë dhe po i bën Tiranës, unë si Lider Suprem, në emër të popullit korean, ju ftoj në kryeqytetin tonë të dashur, Penian. Me urdhrin tim, e gjithë Koreja e Veriut, do të përgatitë pritjen tuaj.

Shok Erion! Unë u gëzova shumë para dy ditësh, kur ti lajmërove popullin e Tiranës, që pas pesë vjetësh aty do të ketë ujë 24 orë rresht. Bravo të qoftë, për guximin e madh që ke! Kurrë nuk ma kishte marrë mendja se do të vinte një ditë që Tirana të kishte ujë për 24 orë rresht. Por ja që kjo do të ndodhë pas pesë vjetësh, dhe këtë gjë mund ta bësh vetëm ti.

P.S Shok Erion, kur të vish, mos harro të marrësh me vete një fustan Dolce & Gabbana për gruan time, të qepur nga gjyshja e Ajolës. Po nuk harrove, do të ta dija për nder gjithë jetën, po të më sillje ndonjë vizatim të Edi Ramës nga ato që bën në zyrë kur bisedon me ministrat…

I juaji përgjithmonë,

Lideri Suprem, Kim Yong-un

Penian 28.09.2017

/ TPZ.AL / 

More in TEJ E KETEJ
Donald J Trump i kërkon një nder Edi Ramës.

Një kabëll i rëndësishëm mbërriti mbrëmë rreth orës 22:00, në redaksinë e portalit tonë. Presidenti i Amerikës Donald J. Trump,...

Close