X

Mocioni me debat mbi vendimin e Metës, Balla: KQZ do të ngarkohej me vepër penale nëse do njihte dekretin


Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në ligjëratën e tij të mbajtur në seancën e sotme të Kuvendit, ritheksoi qëndrimin e vendosur të mazhorancës për zhvillimin e zgjedhjeve vendore më datë 30 Qershor.

Lidhur me vendimin e katër anëtarëve të Partisë Socialistë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mosnjohjen e dekretit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, Balla tha se nëse organi zgjedhor do të pranonte të zbatonte dekretin, do të ngarkohej me një vepër penale që dënohet duke variuar nga shkarkimi nga puna e deri në procedim penal.

“Me ligj Presidenti është jashtë procesit zgjedhor, sepse ai nuk ka asnjë lidhje as me dekretin për shtyrjen e zgjedhjeve as për çdekretimin e tyre. Kjo mund të bëhet vetëm përmes nevojave dhe pengesave ligjore dhe asnjëherë për nevoja apo pengesa politike.

Vetëm caktimi i datës së zgjedhjeve është kompetencë e Presidentit, ndërkohë çdekretimi i tyre është një akt i paprecedentë. Dekreti i datës 10 Qershor nga Ilir Meta është jashtë çdo kriteri dhe kompetence”- u shpreh Balla.

Ndërsa, përsa i përket bojkotit të opozitës së bashkuar joparlamentare ndaj procesit zgjedhor të paracaktuar më datë 30 qershor, deputeti socialist tha se kjo është një zgjedhje politike që nuk përbën pengesë për subjektet e tjera zgjedhore për të marrë pjesë në garë.

Pengimi i të drejtës së një subjekti elektoral për të marrë pjesë në zgjedhje, është një shkelje ligjore dhe kushtetuese, e cila sipas Ballës dënohet deri më pesë vjet burg.

More in AKTUALITET, LAJME
Vasili: Edi Rama po mbjell erën, por do të korrë furtunën!

Nënkryetari i LSI Petrit Vasili përmes një statusi në “Facebook” shkruan se Edi Rama po mbjell erën, por do të...

Close