X

Bayern vijon gjuetinë e talenteve, 60 milionë euro për yllin spanjoll

E përditshmja gjermane “Bild” bën me dije se Bayern Mynih ka nisur sulmin për të sjellë në Bundesliga mesfushorin 22-vjeçar të Atletico Madrid, Rodri. Ai konsiderohet si një nga talentet e kampionatit spanjoll, 6 ndeshje me fanellën e kombëtares. Një gjigant, 1.91 metra i gjatë, i kudondodhur në mesfushë.

Rodri mbërriti verën e kaluar te skuadra “colchoneros” nga Villareal, duke shënuar 2 gola në 46 ndeshje me Atletico Madrid gjatë këtij sezoni. Ai ka një kontratë deri në vitin 2023 me skuadrën e trajnerit Simeone, por mund të largohet për vlerën e 60 milionë eurove (shumë e vendosur në klauzolë).

Sipas “Bild”, Bayern është gati të paguajë këtë klauzolë që është brenda limiteve të vendosura nga klubi. Për më tepër që bëhet fjalë për një mesfushor të talentuar, që do të ishte i përshtatshëm për skemat e trajnerit Niko Kooac. Një mesfushor me tipare mbrojtëse që mbyll hapësirat.