X

‘Nën gaz Tirana e pagaz’, reagimi ndryshe i Flutura Açkës në krah të protestuesve të opozitës


Shkrimtarja e njohur Flutura Açka ka reaguar pas protestës së opozitës, e cila u shoqërua me akte dhunë si nga protestuesit, por edhe me sulmin e forcave të rendit për të shpërndarë turmat.

Açka e ka përcjelle protestën me anë të një poezie.

Nga Flutura Açka

Nën gaz Tirana e pagaz

Ti shkel mbi ta me thundër,
me sarkazmë,
me hekurbeton,
me oxazepine i verbon,
me taftatë e grave të mira të vendit tim,
që të dinë të mirë,
e t’duartrokasin me pahir,
përgatit qefinë.

Me helm ua ngjyen natën,
në shijen e darkës ua tret t’idhtën nikotinë,
me të fundmet grahma të durimit,
thur haluçinimet e tua në cyber space,
me tënden rutinë.
Me rruazat e syve të fëmijëve,
që diell ëndërrojnë,
thur zinxhirë të rinj errësire,
një të re plojë.

T’mbyllta duken dritaret,
ajri i natës vika era përzhimë,
a i ndien,
apo s’ta ndjen?

Me marka kollaresh të shndritshme,
var shpresën e tyre çdo ditë,
nuk harron t’u veshësh,
xhaketa dalëboje batutash,
trupin ua e kafshon çdo mbrëmje,
me fjalor ngjyrëeurope,
me zhargon rrugërie qesëndis,
me huqin e kumarit me djajtë,
n’short ua e hedh përditë atdhedashurinë.

Ti llapaqeni shik i pleqënisë,
që kohët moderne parlament i thanë,
ashtu, me ëndrrën perverse të përjetësisë divine,
si faraonët mbi Nil, masturbon mbi Lanë.

Ti tani je qenie pa liri,
cub, që nga fermenti i luksit qelbesh bërsi.
Me farë djalli, ti farë djali,
gjithë ditën e lume loz me tënden rraketake,
dhe ngjyen me britma makinën e memories së Atdheut,
të lodhur nga plagët n’fytyrë e n’shpinë.

Në gjah ke dalë,
mes parkut fantazmë të kullave të tua,
me pemë betoni të zëna në kurthin e dhunës,
aty, zagarët e tu nën orgazma kimike,
t’i lëpijnë të lumtur lustrinat e luksit,
pushtetin tënd prej rëre,
dehjen diabolike.

Me ç’materie të prishur,
mbushur silikoni i kafkës tënde,
ku sheh ëndrra sulltanësh në fronë,
që veç thyejnë e shqyejnë,
tymosin e zhbëjnë,
thërrmojnë e ngjyejnë,
helmojnë e fyejnë,
shpëlajnë e lyejnë,
durimin tonë.

Trembur, zhveshur kujtese qyteti,
mbulohet me petka të hidhura ëndrrash,
por ti s’e sheh,
shpejt nata në ufëm do pëlcasë:
Zot, Ajme!
Ku je?

Motive të rimarra, 21 Mars 2016-11 Maj 2019

 

 

More in BLOG, LAJME
“Gjyshi” Buffon nuk ka ndërmend të tërhiqet, pret PSG

Gianluigi Buffon nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli, të paktën dhe për një vit tjetër, qoftë tek PSG apo...

Close