X

Arta Marku, ose si bëhet fushatë në neomonizëm


Arta Marku nuk është një kamikaze mendjelehtë që nuk dinte ç’kërkonte në shfaqen e saj në Top Channel. Pas veshjes së saj flakëritëse, si nuse fshati, pas përgjigjeve të shkruara që më shumë i lexonte sesa i shqiptonte, nuk ishte thjeshtë një grua naive që ka vendosur të kandidojë për prokurore e përhershme.

Të gjithë ata që e panë intervistën e saj në “Open”, gabohen nëse mendojnë se ajo i bëri gropën vetes, duke u treguar e paaftë dhe e pa zonja për të zgjidhur në një vit e gjysëm, qoftë edhe një nga çështjet e mëdha që i kanë mbetur në dorë.

Pyetjet më normale që do të ngriheshin pas startit publik të fushatës së saj janë të thjeshta?

Pse ajo kërkon një mandat të plotë shtatë vjeçar, kur u mundua të arsyetojë me mish e me shpirt, se nuk ka asgjë në dorë për të shpënë përpara hetimet e dosjes së blerjes së votave Dako- Avdylaj në Durrës?

Pse ajo mëton të rizgjidhet kur nuk mund të ndikojë aspak në hetimin masakrës elektorale që u bë në Dibër?

Pse ajo ka guximin të dalë në publik, kur nuk lëviz do asnjë gisht në ivestigimin e grabitjes skandaloze të tenderit të Unazë së re?

Pra, enigma e pakuptueshme që të bën të dyshosh pasi ke dëgjuar intervistën e saj në Top, është: si imagjinon të bindësh njerëzit se meriton besimin e tyre, duke u justifikuar se s’ke pasur mundësi të bësh asgjë?
Si mund të jetë kaq mendjelehtë, tyryfyle, apo e cekët, një grua që synon të jetë simboli i parë i institucioneve të reja të reformës në drejtësi?

Në fakt, Arta Marku nuk qe aspak e tillë.

Në daljen e saj të gjatë publike ajo nuk u tregua naïve. Me look-un xixëllonjës dhe belbzimin e pasigurtë, madje qoftë dhe me këmguljen se qe e paaftë të lëvizte një gur të vetëm, ajo skicoi profilin që i duhej.

Sepse ajo nuk ka filluar fushatën për prokurore e përgjithshme me shpresën meritokratike se do të bindë publikun që është e aftë, por me synimin për të garantuar ata që mund t’a rizgjedhin, se prej saj nuk i hyn asnjë gjëmb në këmbë.

Në këtë kuptim, intervista e Arta Markut në Top Channel mund të mbahet shënim, si fillimi i të parës garë që po zhvillohet në epokën e re, në atë të mugesës së pluralizmit politik.

Në një mjedis, ku tepsinë e ka marrë në dorë një njeri i vetëm, ku parlamenti është njëngjyrësh, ku institucionet e reja të reformës në drejtësi janë pjella të shëmtuara të kësaj konjukture, znj, Marku bëri gjënë e duhur.

Ajo nuk duhet të përgjigjej se përse s’ka burgosur asnjë kriminel; Ajo nuk duhej të jepte llogari se përse s’ka porceduar asnjë vjedhës votash; Ajo nuk duhej të spjegohej se përse s’ka hetuar asnjë abuzim me tendera; pasi ajo kishte për qëllim të garantonte se qe aq provinciale, aq e nënshtruar dhe aq e bindur sa s’mund ti prishte punë pushtetit.

Dhe këtë e bëri më së miri, duke nisur në Top një fushatë që do të mbahen mend: “më votoni mua se ju lë të grabisni të patrazuar”.

Prandaj Arta Marku, në vend që përçmohet, duhet të vlerësohet, pasi ajo e nuhati kohën e ndryshme që po jetojmë. Ajo e kuptoi se në fazën e re të neomonizmit, nuk ka rëndësi të bindësh masën e gjërë të popullsisë, as të fitosh kartonat jeshilë të parlamentit, por vetëm të sigurosh qetësinë shpirtërore, juridike dhe politike të njeriut që të ka në dorë.

Këtë garanci ajo e dha me të gjitha mundësitë e saj të limituara. Dhe pas kësaj, pak rëndësi ka nëse ajo e humbet, apo e fiton në këtë garë. Në të gjitha rastet ajo do të mbahet mend se kriojoi një rekord të ri. Ajo inaguroi të parën fushatë kombëtare ku sfida bëhet për të thyer zemrën e një personi të vetëm./Lapsi.al

More in IDE, LAJME
Viktimë e dhunës seksuale nga serbët, shqiptarja merr çmim

Vasfije Krasniqi Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, u përzgjodh për të marrë çmimin "Kim Bok-dong...

Close