X

Elisa Spiropali sheh në ëndërr, Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe tmerrohet


Në orën 06:00, të mëngjesit të sotëm, Elisa Spiropali, u ngrit shumë e tronditur, e trembur deri në palcë dhe me dhimbje të forta koke. E gjitha kjo kishte ndodhur, për shkak të një ëndrre, që e kishte lënë pothuajse gjithë natën pa gjumë.

Fiks në orën 02:00, pas mesnate, Elisës tonë, i kishte dalë në ëndërr Gjergj Kastriot Skënderbeu. Ëndrra kishte zgjatur gjithsej 33 sekonda, por makthi i madh, ia kishte zgjatur këtë ëndërr, sa një javë. Në sekondën e 33-të, në çastin që Skënderbeu kishte qenë më afër saj, ajo kishte bërtitur fort, ishte zgjuar dhe më pas nuk kishte vënë asnjë sekondë gjumë në sy.

Siç e thamë, në orën 06:00, u zgjua dhe i telefonoi menjëherë Endri Fugës.

– Paske rrjedhur o zonjë, ç’është ky telefon pa gdhirë, jemi dhe në Pashkë, – i tha Fuga i bezdisur.

– Aman o Fugë, aman o vëlla, lëre Pashkë zezën, të mora se më ndodhi një gjë e tmerrshme, më doli në ëndërr Skënderbeu.

– Cili Skënderbe o e ikur, ky i yni, i gjati?

– Jo Fugë, jo vëlla, ky i yni s’mund të na dalë edhe natën, se na ka mbirë në sy gjithë ditën, por mua më doli në ëndërr, ai i  vërteti.

– Dhe çfarë ndodhi, të tha gjë? – pyeti Fuga.

– Jo Fugë jo, s’foli fare. Ishte i shkurtër o Fugë, një pëllëmbë shejtan ishte. U tmerrova, ç’kam bërë, thashë, si e krahasova këtë tonin me atë xhuxh maxhuxh. Ç’kam bërë, ç’kam bërë o Fugë?! A e di ky yni, që Skënderbeu ka qenë kaq i shkurtër? Mora veten në qafë më duket. Ç’më duhen mua krahasimet? Ku jam unë për krahasime?

– Mos ja trego njeriu këtë që më the mua, – e qetësoi Fuga.  Nuk ka rëndësi fare sa i shkurtër ka qenë Skënderbeu. Edhe këtij tonit, nuk i vjen mirë që është kaq i gjatë. Se kalliri pa bukë, ikën lart, o Elisë. Nuk ka rëndësi kjo punë. Këtij tonit, i pëlqejnë dhe vdes për heronjtë mitikë. Nuk pyet kurrë a ka qenë i shkurtër a i gjatë. Pastaj, në atë kohë kur ka lindur Skënderbeu, ndoshta të gjithë njerëzit kanë qenë të shkurtër.
Po mirë, – vazhdoi Fuga, kur e krahasove me këtë tonin, ku e kishe parë Skënderbeun?

– Po me këtë që kemi në shesh në majë të kalit o Fugë, me kë ta krahasoj tjetër? – tha Elisa.

– E kuptova, – ja ktheu Fuga, në bazë të kulturës që ke, e ke krahasuar me Skënderbeun, që sheh çdo ditë.

– Po nuk është gabim, apo jo? – pyeti Elisa.

– Jo nuk është, – e qetësoi Fuga, se edhe ky i yni i gjati, këtë Skënderbe te sheshi ka njohur.

– Meqë ra fjala, – tha Elisa, kush e ka bërë këtë Skënderbe te sheshi o Fugë?

– E ka bërë Odhise Paskali me dy të tjerë. Ndërsa monumentin e Enver Hoxhës që e rrëzuan, e ka bërë Shaban Hadëri dhe Sali Shijaku, por në këtë grup ka qenë edhe babai i këtij tonit… Por, ti mos u merr me këtë punë, se ngarkohesh jashtë kapacitetit,  rëndohesh dhe bën ndonjë gabim tjetër. Unë mendoj, që mirë është që të flasim edhe me këtë të gjatin dhe ti ta heqësh për nja tre vjet, edhe organin e ëndërrimit.

– Pse edhe ëndrrat kanë organ o Fugë?! – pyeti Elisa e çuditur.

– Varet nga njeriu, – tha Fuga, ik tani se na more në qafë dhe na le dhe pa Pashkë…

/TPZ.al/ Tej e këtej/ 

More in TEJ E KETEJ
Doktori i Filozofisë Taulant Balla, alias “Sokrati i Librazhdit”, zbulon se kujt i shërben Astrit Patozi

Sot në Parlamentin e Shqipërisë, Doktori i Filozofisë, doktoruar në Rumani, i mbiquajtur "Sokrati i Librazhdit", Taulant Balla, ka bërë...

Close