X

Pushteti i shkruan krimit


Nga Luçiano Boçi

I dashur KRIM! Së pari, urime për aksionin fantastik të Rinasit. U treguat në lartësinë e detyrës e bashkëpunimit. Falë jush, lekët janë të sigurta dhe e ardhmja është e jona. Suksesi juaj është shembull për ne.

Por mos merrni superxhiro, se pa bandën tonë, gjithçka do ishte e pamundur. Mjaftonte një helikopter në ajër dhe ishit gjetur.

Por ne bashkë i kemi nisur gjërat e bashkë do i bitisim.

Kjo është Shqipëria që duam.

Mos harroj, këto janë dhe bashkitë që duam.

E hiqeni atë shprehjen e vjetruar, “Bravo çuna”. Tani e kemi, “Bravo Lleshaj”. Gjashtë vitet e bashkëpunimit tonë kanë hyrë tashmë në histori.

Së dyti, duhet të ulemi përsëri si gjithmonë, të ndajmë ca gjëra siç kemi bërë me interesat, paratë, tenderat, koncesionet etj..

E kam fjalën për atë votë të Holandës për vizat. Diçka duhet të lëshojmë. Na ndjeni, por na duhet. Shihni mos dorëzoni nja dy tre nga këto të parëndësishmit, që ne i kemi sjellë me lopatë andej për bukën e gojës, sa për të thënë që atje s’ka më banda nga tonat.

Mos t’ju ngelë hatri. Udhëtimi ynë është i gjatë.

Në vazhdim, unë ju inkurajoj ta thellojmë punën e mirë.

Bashkë bëmë votat. Bashkë bëmë Parlamentin. Bashkë bëmë qeverinë. Bashkë bëmë hashashin. Bashkë kemi bërë e ç’nuk kemi bërë dhe do vazhdojmë se kështu e do populli.

Tritoli, vrasjet, kërcënimet, burgosjet, rrjepjet e lekëve, gjobvëniet, janë ilaçi që duhet të përdorim për të.

Duhet të ruajmë unitetin midis nesh.

Ndërkombëtarët, pa merak, i kemi me vete, se qerrja është lyer mirë e nuk bën zhurmë, prandaj, o burra, para.

Ju duhet të vazhdoni punën fort në terren. Ju bëni terrorin tuaj. Ne bëjmë terrorin tonë.

Zgjedhjet po vijnë dhe ju duhet të sillni sa më shumë vota.

Ne ju kemi vënë gjithçka në dispozicion: portet, Aeroportin, Policinë e tërë shtetin.

Reformat tona, megjithëse ju ishit skeptikë, po japin frytet e para.

Nuk ka institucion që nuk e kemi ndarë bashkë.

Tani Drejtësia ka fytyrën tuaj. Arsimi është bërë si ju. Shëndetësia është njësoj si grabitje banke, aq para prodhon. Policia ndryshon nga ju vetëm nga kapela.

Parlamentin ia kemi lënë në dorë atij plakut të komunizmit, që i duket vetja sikur luan tavëll me çunat tuaj, aq shumë e shijon.

Madje, tani, krahas cirkut, i kemi çuar dhe trupën e estradës dhe e kemi etiketuar si opozita e re. Kjo estrada e re po prodhon lajme e gajasje pa fund.

Gjykatat e Prokuroria tani janë tonat dhe kanë me çfarë merren. Kontributi juaj dhe në këtë pikë meriton vetëm lavdërime. Na keni ndihmuar pa masë në identifikimet e besnikëve. Ka fukarenj e protestues pa hesap tani për t’u burgosur.

Armiqtë tanë po na sulmojnë, por mos u shqetësoni. Duan zgjedhje të ndershme këta. Po për skrap do i çojmë. Sa jashtë mode që janë?! Akoma nuk e dinë që është koha e lekut dhe e mashtrimit.

Koha jonë d.m.th, i dashur Krim. Se ju e dini si i thonë asaj fjalës. Leku ngre ujin përpjetë, siç ngriti Lanën e jo më ca dërdyla, për t’i sjellë prej veshi në Parlament. Ndërkohë, mos i vini veshin kadrinjve e kazanëve, që hedhin shpifje e baltë mbi punën tuaj fisnike e të pastër.

Kemi ERTV-në e mediat tona, që na shërbejnë natë e ditë, pa u lodhur e ia krehin mendjen miletit. Balta neve, në fund të fundit, nuk na bën pis. Ne jemi vetë balta. Ne na duket dhe ne e konsiderojmë veten të zgjedhur, hyjnorë.

A nuk krijoi Zoti njeriun nga balta?

Madje neve të bandës sonë, specifikisht, me baltë kënete na gatoi. Prandaj, i dashur Krim, mos u tutni në rrugën tonë të ndritshme, se bashkë ne jemi, siç e thotë njëri prej nesh, mish e thua.

Shihemi në festën e grabitjes së radhës, i dashur KRIM! I Juaji përgjithmonë!

PUSHTETI

More in BLOG, LAJME
Berisha publikon foton pikante të Ramës: Sezoni i ri 2019-20 shumë premtues

Partia Demokratike ka hedhur në mënyrë të vazhdueshme akuza ndaj qeverisë, duke deklaruar se është e lidhur më krimin dhe...

Close