X

Populistët nuk do t’i fitojnë zgjedhjet evropiane


Nga Ivan Krastev

Politika ka nevojë për momente dramatike. Zgjedhjet janë një formë terapie, me të cilën qytetarët përballin frikërat e tyre më të thella, por edhe binden se munden të shmangin katastrofën. “Me afrimin e momentit të zgjedhjeve”, vërente filozofi Alexis de Tocqueville gjatë udhëtimeve të tij në SHBA në fillimet e Tetëqindës, “intrigat bëhen më aktive, acarimi më i gjallë dhe i zgjeruar. I gjithë vendi bie në një gjendje ethesh. Eshtë e vërtetë që, sapo fati të ketë vendosur, kjo nxehtësi do të zhduket, gjithçka do të qetësohet”.

Nëse Tocqueville kishte të drejtë, atëherë Bashkimi Evropian po transformohet në një demokraci të vërtetë. Zgjedhjet për parlamentin evropian për herë të parë po prodhojnë një fibrilacion, që zakonisht u rezervohet zgjedhjeve brenda shteteve. DY muaj nga votimet, shumica e evropianëve është e bindur se po ndodh diçka e rëndësishme. Po kush do të përfitojë kur fushata elektorale të ketë mbaruar? Eshtë herët për ta thënë. Për momentin, politikanët kanë arritur të bindin shumicën e njerëzve se Evropa është në prag të katastrofës, por duhet ende t’i bindin se katastrofa ende mund të shmanget. Zemërimi që ndez jelekëverdhët është i përhapur në shumë shtete të BE, por zgjedhjet nuk do të jenë një përsëritje e referendumit të Brexit, për një arsye të thjeshtë: asnjë parti e madhe populiste sot nuk kërkon daljen nga BE apo nga Euro.

Një sondazh i kohëve të fundit i kryer nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë dhe nga YouGov, tregon se nuk ka një ndarje të qartë mes europeistëve dhe nacionalistëve. Ka katër kategori qytetarësh. E para është ajo e desperados, të bindur se si Unioni, ashtu edhe shtetet-kombe janë në kolaps. Eshtë grupi me më shumë njerëz në shumë shtete, por nuk janë domosdoshmërisht pjesë e atyre që do të shkojnë të votojnë. Pastaj janë europianët e bindur se “gjërat janë më mirë se sa duken”: mendojnë që, pavarësisht gabimeve, si BE ashtu edhe shtetet-kombe funksionojnë. Më pas janë mbështetësit e Brukselit (të pranishëm mbi të gjitha në Evropën qendrore dhe jugore): për ta, Unioni ecën mirë, ndryshe nga qeveritë e shteteve. Në fund janë nacionalistët, që janë pakicë: besojnë se Evropa është problemi. Katër grupet janë të shpërndarë në mënyrë jo uniforme mes shteteve.

Shumë europeistë druhen se polarizimi shkon në favor të së djathtës populiste, dhe që kryeministri hungarez Viktor Orban dëshiron të transformojë zgjedhjet në një referendum për temën e imigrimit. Por kjo frikë është e ekzagjeruar. Plani i Orbanit nuk do të funksionojë, për tre arsye. E para është se, imigrimi nuk është shqetësimi parësor në shumicën e vendeve. Mesazhi i Orbanit funksionoi në 2015, sepse njerëz që nuk kishin parë kurrë një refugjat në jetën e tyre, shihnin përditë në lajme mijëra njerëz që kalonin kufijtë. Sot nuk është kështu. Numri i imigrantëve të rregullt që kanë hyrë në Evropë në 2018 është i njëjtë me numrin e turistëve që vizitojnë Athinën, në një ditë çfarëdo gushti.

Edhe në Evropën qendrore, imigrimi ka humbur rëndësi. Sipas sondazhit polakë, hungarezë dhe rumunë janë më të shqetësuar për korrupsionin. Dhe në Poloni, Republikën Çeke dhe Sllovaki, zgjedhësit e trembur nga korrupsioni kanë më shumë dëshirë për të votuar, se sa të tjerët. Ndryshe nga sa mendohet, zgjedhjet në Sllovaki, Poloni dhe Rumani mund të sjellin lajme të mira për europeistët. Sipas sondazheve, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka kuptuar më mirë se sa Orban, se cilat çështje u interesojnë më shumë banorëve të Evropës qendrore.

Arsyeja e dytë pse gjërat kanë ndryshuar në krahasim me vitin 2015, është se në Evropën e sotme, asnjë parti e rëndësishme nuk mbështet politika të hapjes së kufijve. “Kufiri është liri në siguri”, ka shkruar Macron në letrën drejtuar evropianëve, duke propozuar krijimin e një Këshilli Evropian për sigurinë e brendshme, që do të bëjë “kontrolle të rrepta në kufij”.

Arsyeja e tretë është se fushata elektorale mbi imigrimin e Orbanit do të dështojë, për shkak të sekretit më mirë të fshehur të Evropës së sotme: fakti që në Evropën qendrore dhe jugore, emigrimi shqetëson më shumë se sa imigrimi. Afro 3.4 milionë rumunë kanë lënë vendin e tyre për në Evropën perëndimore në 8 vitet pas hyrjes së Rumanisë në Bashkimin Evropian, në vitin 2007. Dhe numri i hungarezëve që kanë emigruar pas ardhjes në pushtet të Orbanit, është më i lartë se sa numri i atyre që ikën pas shtypjes së revoltave nga ushtria sovjetike në 1956.

Fakti që populistët e djathtë qeverisin një pjesë të Evropës qendrore ka përforcuar dëshirën për të emigruar. Prandaj, sfidat janë dy: të mos lejojnë që lëvizshmëria në Evropë të jetë një lëvizje me një drejtim nga lindja në perëndim dhe të kompensojnë shoqëritë e Evropës qendrore, për investimet në arsimimin e qytetarëve që shkojnë në Gjermani apo në Francë. Por për këtë problem, populistët nuk flasin.

  • Ivan Krastev është Drejtor i Qendrës për Strategji Liberale në Sofje
More in BLOG
A do të çojnë luftërat e sotme tregtare, drejt Luftës së Tretë Botërore?

Nga Daniel Drezner Rritja aktuale e proteksionizmit, mund të jetë pararendësja e Luftës së Tretë Botërore. Në vitin 2008, Kosova...

Close