X

Berberët e Afrikës së Veriut: Nomadët, që mbijetuan, aty ku nuk mundi askush tjetër


Nga Uajët Red

Në planet, ka disa vende ku duket sikur njeriu nuk mund të jetojë dot, dhe megjithatë disa njerëz kanë jetuar dhe jetojnë aty. Mes tyre janë komunitetet indigjene në Afrikën e Veriut, të cilët nuk kishin zgjidhje tjetër, veçse të zhvillonin metoda të zgjuara për të mbijetuar: Berberët.

Të kufizuar nga shkretëtira e Saharasë, Berberët u zhvilluan në një nga kulturat më unike të historisë njerëzore. Por mjedisi i tyre jo-mikpritës, nuk ishte burimi i tyre i vetëm i konfliktit. Sot, jetesa e tyre preket nga presionet e modernizmit dhe shtypjes etnike.

Shkretëtira e Saharasë, shtrihet nga Oqeani Atlantik në bregun Perëndimor të Afrikës, deri në Detin e Kuq në bregun lindor. Është një hapësirë e madhe ranore dhe ​​shkëmbore, që nuk ofron asnjë lehtësi për banimin e njerëzve. Por, Saharaja nuk ka qenë gjithmonë një shkretëtirë. Dikur ajo ishte një pyll i dendur plotë me bar, derisa njerëzit çuan kafshët, të cilat së bashku me një klimë të ndryshueshme, e kthyen zonën në vendin e shkretë që është sot.

Ndërsa, terreni ndryshoi njerëzit që nisën të zhvendosen. Por paraardhësit para-arabë të Berberëve, kishin një tjetër ide. Në vend se ta shmangnin Saharanë, atu u zhvendosën në shkretëtirë, dhe gjetën një mënyrë për t’u zhvulluar, pikërisht aty ku nuk mundi kurrë shumica.

Dëshmia më e hershme që kemi nga Berberët, tregon se ata janë pasardhës nga fiset e Epokës së Gurit, që jetonin rreth brigjeve të Afrikës së Veriut, diku rreth vitit 5000 Para Erës Sonë. Ndërsa këto fise të bashkuara nga gjuhë të ngjashme u përzien bashkë, ato krijuan një identitet të përbashkët, që u bë baza e kulturës Berbere.

Fjala “Berber”, vjen ndoshta nga termi egjiptian për “i huaj”, që u përdor më pas nga grekët e lashtë për termin “barbari”, dhe që nga ana e tij u shndërrua në fjalën perëndimore “barbare”. Grekët, e përdorën fjalën si egjiptianët, si një term i përgjithshëm për të huajt, por Berberët i referoheshin vetes si “njerëz të lire”.

Berberët, bashkëvepruan për shekuj me rradhë me qytetërimet e tjera të mëdha në rajonin e Afrikës Veriore. Në veçanti, ata u nënshtruan nga Fenikasit dhe Kartagjenasit – dy qytetërime të fuqishme Mesdhetare – si dhe nga mbretëri të ndryshme arabe. Në kohë të tjera, ata krijuan mbretëri të fuqishme që kontrolluan Afrikën e Veriut, si Numidia.

Në fakt, Numidia mbeti një lojtare e madhe rajonale deri në shekullin I para Erës Sonë, kur u bë një shtet klient i Perandorisë Romake. Pas rënies së Romës, mbretëria Berbere, nisi të kontrollojë sërish pjesën më të madhe të Afrikës Veri-Perëndimore. Sultanatet Berbere, do të dominojnë më vonë edhe disa pjesë të Spanjës.

Gjithashtu, berberët do të merrnin ndikime të reja kulturore nga territoret që qeverisnin, dhe njerëzit që sundonin. Megjithatë, ata arritën të ruajnën një mënyrë të veçantë të jetës, që i bëri ata një nga popujt më të veçantë në histori.

Mjedisi i ashpër i shkretëtirës së Saharasë, pengoi çdo përpjekje serioze që bujqësia të rrënjoset si praktikë tek ky komunitet. Për këtë arsye, Berberët zgjodhën të jetonin si nomadë. Ky stil jetese, është thelbësor për kulturën e tyre, dhe ndoshta arsyeja e vërtetë se pse ata i referoheshin vetes si “njerëz të lirë”.

Berberët mbijetuan duke mbarështuar kopetë e kafshëve, duke i çuar ato nga një vend në tjetrin. Kopeja menaxhohej tradicionalisht nga burrat, ndërsa gratë merreshin me punët e shtëpisë, si qepja e rrobave të tyre të dallueshme ngjyrë blu. Edhe pse ata mbajtën kafshë të ndryshme, duke përfshirë kuajt, kafsha tipike e Berberëve ishte dhe është deveja. Ndryshe nga kuajt, devetë mund të mbijetojnë pa ujë për periudha të gjata kohore. Qëndrueshmëria e devesë, bëri të mundur që Berberët nomadë të udhëtonin shpesh nëpër gjithë hapësirën e madhe të shkretëtirës. Berberët e përdorën aftësinë e tyre unike për të përshkuar Saharanë, për të vepruar si lojtarë kryesorë në rrjetin tregtar midis Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme. Edhe sot, karvanet me tregtarë berberë, udhëtojnë nëpër shkretëtirë, për të siguruar jetesën e përditshme.

Një aspekt tjetër se si mjedisi i tyre i ashpër, ka ndikuar në kulturën e tyre, është orientimi. Në fakt, për çdo njeri tjetër është mjaft e vështirë të gjesh rrugën përmes një territori të pamatë, plotë rërë dhe duna të shkretëtirës së Saharasë. Për këtë arsye, ashtu siç kanë bërë detarë në det të hapur për mijëra vjet, edhe Berberët orientohen me yjet.

Përveç kësaj, Berberët kanë shumë histori dhe këngë, që përshkruajnë si gjenden burimet e vogla me ujë, apo disa vende të njohura në shkretëtirë. Përsa i përket fesë, shumica e Berberëve janë myslimanë, dhe e kanë praktikuar për shekuj me radhë besimin e tyre.

Sidomos në lidhje me gratë, ky komunitet ka disa aspekte unike të kulturës së tyre, që i ka mbijetuar futjes së feve të reja dhe të ndryshme. Për shembull, ndryshe nga shumë prej fqinjëve të tyre, gratë Berbere e mbulojnë rrallë fytyrën e tyre, dhe në disa prej komuniteteve të tyre, grate i zgjedhin vetë burrat e tyre.

Shoqëria Berbere, fokusohet rreth konceptit të fisit, që zakonisht përbëhet nga klane të mëdha familjare. Secili fis ka shefin e vet, që shpesh pretendon të jetë pasardhës i Profetit Muhamed. Shefi është përgjegjës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, si dhe marrjen e vendimeve të rëndësishme për fisin.

Ngjashëm me kulturat e tjera nomade, klanet Berbere jetojnë në çadra portative, që ngrihen aty ku gjendet një zonë e mirë për të kullotur kafshët e tyre. Një element i veçantë i kulturës Berbere, janë të drejtat e miqve. Pasi dikush pi ujin dhe ha bukën e një Berberi, ata bëhen mysafirët e tyre. Mikëpritësi merr përgjegjësinë për sigurinë e mysafirit.

Nga një perspektivë perëndimore, kjo mund të duket e çuditshme, por në një vend ku gjetja e një vendi për të pushuar dhe ujit është një çështje për jetë a vdekjeje, mikpritja është shumë e rëndësishme. Sot, shumica e Berberëve që ende flasin gjuhën berbere afroaziatike, jetojnë në Marok, Algjeri, Libi, Tunizi, veriun e Malit dhe Nigerin verior, edhe pse disa prej tyre janë përhapur edhe në  Mauritani, Burkina Faso dhe qytetin Siua në Egjipt.

Bazuar në historinë e tyre nomade, nuk duket aq e çuditshme që Berberët janë shtrirë në mbarë Afrikën Veriore. Por lufta midis mënyrës moderne dhe asaj tradicionale të jetesës, ka qenë një çështje e rëndësishme për Berberët në vitet e fundit. Ashtu si shumë popuj indigjenë dhe tradicionalë, ata janë zhvendosur gjithnjë e më shumë në qytetet më të mëdha, ku mund të gjejnë punë për të mbështetur familjet e tyre.

Kjo ka pasur një efekt negative, në vazhdimin e stilit të jetesës së tyre unike nomade. Por, ky nuk është burimi i vetëm i konfliktit. Ndoshta kërcënimi më i madh mbi mënyrën Berbere të të jetuarit, ka qenë persekutimi i grupeve arabe. Në fakt, ata janë shtypur për shekuj me radhë nga arabët e Afrikës së Veriut.

Për shembull, në Libi diktatori famëkeq Muamar Gadafi, e shtypi brutalisht identitetin Berber, me arsyetimin se të gjithë libianët janë arabë. Berberët pritej që të flisnin arabisht, dhe të braktisnin jetesën e tyre nomade. Ndërkohë, fëmijët me emra Berberë, u detyruan t’i ndryshonin ato në emra arabë.

Edhe në Marok, dhe në veçanti në malet Atlas, ku ndodhet komuniteti më i madh Berberëve në Afrikën e Veriut, arabishtja mbetet forma kryesore e e komunikimit, ndërsa Berberishtja flitet kryesisht vetëm në mjediset rurale. Këto lloj presionesh, e kanë bërë të vështirë që Berberët të ruajnë identitetin e tyre unik, dhe të mos asimilohen nga fqinjët e tyre arabë. Por, kjo ka shkaktuar gjithashtu një ringjallje të kulturës së tyre, e vënë në pah nga rritja e numrit të gazetave në gjuhën berbere, dhe lëvizjet identitetare, që po përpiqen të krijojnë një të ardhme, për mënyrën e tyre tradicionale të jetesës. Berberët kanë mbijetuar për mijëra vjet, dhe me pak fat dhe këmnënguljen me të cilën janë mësuar, ata do të mbijetojnë edhe për mijëra vite të tjera.

AllThatisInteresting – Bota.al

More in BLOG
Ashtu si procesi kimik i osmozës, emigrimi është një dukuri e pandalshme

Nga Robert A Burton Ndërsa shtohet rradhët e njerëzve nëpër botë, ndryshimet e popullsisë, janë shfaqur si një sfidë e...

Close