X

Na ishte njëherë…

Nga Edmond Tupja

Kështu fillojnë shumë prej përrallave të moçme shqiptare: “Na ishte njëherë…”.

Duke u nisur nga kjo shprehje, mund të themi, për shembull, se shqiptarët  e ardhshëm do t’u tregojnë bijve e bijave, madje nipave e mbesave të tyre edhe më të ardhshëm, një histori, duke e filluar pikërisht kështu: “Na ishte njëherë dikush i quajtur Rinas Rinasi, të cilit, një ditë fatkeqe prilli 2019, i grabitën dhjetë milionë euro…” ose “Na ishte njëherë një aeroport, – ku, fatkeqësisht, u kryen disa grabitje të famshme si ajo e prillit të vitit 2019…”, ose, disa kohë më vonë, në trajtën “Na ishte njëherë, në vitin fatal 2019, një grabitje monumentale parash, e dyta në llojin e vet, në të njëjtin aeroport ndërkombëtar”, ose, në variantin më të goditur, do të xhirohej një seri tipike si ajo e filmave amerikanë me rrëmbime avionësh, por me emrin “Rinas Airport 2019”, ku të mirët përleshen me të këqijtë në gati dhjetë mijë metra lartësi për të shpëtuar dhjetë milionë euro”.

Por le t’i themi stop imagjinatës, të hapim parashutën e realitetit dhe të zbresim në tokë, më saktë në Republikën e Përçudnuar të Shqipërisë së Çudirave Socialiste. Pyetja që shtrohet sot është sesi do të gjenden dhjetë milionë eurot e grabitura para disa ditësh, pikërisht në aeroportin e Rinasit botërisht të njohur si vendngjarja më e famshme e grabitjeve spektakolare të shumave marramendëse në euro këto vitet e fundit dhe veçanërisht para disa ditësh. Ku mund të ndodhen dhjetë milionë eurot në fjalë? Si do të mund të rimerren nga strukturat kompetente të shtetit? A do t’ia dalë mbanë në këtë rast qeveria? Këto pyetje ia bëra pardje ish-kolegut dhe mikut tim Françesk Armadhi, i cili vërtet më befasoi me arsyetimin e tij, që po ua parashtroj lexueseve dhe lexuesve të ndershëm, të ndjeshëm e të ngeshëm të kësaj rubrike të përjavshme.

Duke qenë një leximtar i paparë romanesh policore, zoti Françesk Armadhi pretendon se ministri ynë i Punëve të Brendshme duhet të bashkëpunojë urgjentisht me dikë, i cili të ketë lexuar gjithë serinë e librave që francezi Maurice Leblanc i ka kushtuar, nga vitit 1905 deri në vitin 1941, Arsène Lupin-it, këtij hajduti fisnik, personazh i krijuar prej atij në 17 romane, 39 novela dhe 5 drama. Përse kështu? Sepse atje do të gjente mënyrën sesi të zbulonte se ku janë fshehur dhjetë milionë eurot e lartpërmendura të grabitura mjeshtërisht në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.

Oh, e mira e të mirave do të ishte që zoti Lleshaj t’i lexonte vetë në frëngjishte romanet, novelat e dramat me personazh kryesor Arsène Lupin-in, por meqë koha nuk pret, zoti Françesk Armadhi i sugjeron zotit ministër të Punëve të Brendshme të lidhet me një lupinolog, pra, me një studiues të autorit në fjalë dhe të bëmave të personazhit të tij. Nëse një i tillë nuk ekziston në Shqipëri, atëherë zoti Françesk Armadhi, që ka lexuar disa libra të Maurice Leblanc-it dhe ka parë disa filma të realizuar nisur prej atyre, i sugjeron zotit ministër të Punëve të Brendshme të ndjekë parimin bazë të Arsène Lupin-it kur ky u bë edhe detektiv: Diçka të vjedhur (p.sh. dhjetë milionë euro) duhet ta kërkosh në atë vend ku njeriut nuk i shkon kurrë mendja që mund të jetë fshehur ajo gjë (pra, dhjetë milionë eurot në fjalë).

E vetmja pengesë madhore që del në këtë rast për gjithë strukturat e Policinë sonë është se vende të tilla ka pa fund në Republikën e Përçudnuar të Shqipërisë së Çudirave Socialiste, si për shembull, në një stallë apo ahur të rëndomtë në fshatin Surrel ku banon zoti Kryeministër, në një dyqan, gjellëtore apo pijetore modeste jo larg rezidencës luksoze të zotit President të Republikës, jo larg gjithashtu banesës hijerëndë të zotit Kryetar të Kuvendit, jo larg asaj të aksh ministri apo aksh ministreje etj., etj., ose edhe fare thjesht në një magazinë apo depo të rëndomtë të një tregtari po aq të rëndomtë, ose edhe më thjesht në një nevojtore allaturka mjerane të një lokali po aq mjeran diku në rrethinat anonime të kryeqytetit tonë vende-vende e herë pas here kryekëput provincia, pavarësisht deklaratave qesharakisht bombastike të kryebashkiakut të saj.

Gjithsesi, ish-kolegu dhe miku im Françesk Armadhi dëshiron me gjithë shpirt, ashtu si edhe unë, që grabitësit të kapen nga Policia dhe të marrin dënimin e duhur nga gjykatat tona të vettinguara; ai, ashtu si edhe unë, uron që dhjetë milionë eurot të kthehen në aeroportin e Rinasit për të shkuar atje ku ishin nisur të shkonin. Ai bashkë me mua e me qindra mijëra qytetare e qytetarë, të gjithë ne urojmë dhe lutemi – besimtarë, agnostikë e ateistë shkartisur bashkë –, ashtu siç do të kishte bërë Nënë Tereza, që qeveria e Rilindjes Mav(r)i të Dështuar të marrë masat e domosdoshme në mënyrë që Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës të pastrohet nga nami i keq që i ka njollosur biografinë këto vitet e fundit dhe kjo të paktën sa për të shpëtuar fasadën famëkeqe të Republikës së Përçudnuar të Shqipërisë së Çudirave Socialiste.

Panorama

More in IDE
Bregu i Lumit, Rinas e kthim, dy pamje të Policisë së Shtetit

Nga Mark Marku Ende nuk janë fshirë nga kujtesa skenat tronditëse, kur Policia e Shtetit iu sul banorëve të Bregut...

Close