X

Si duhet ta lexojnë gazetarët arrestimin e Julian Assange?

A shërben arrestimi i gazetarit australian dhe njëherësh i themeluesit të organizatës jofitimprurëse “WikiLeaks”, Julian Assange-it, si një ndëshkim shembullor ndaj një kundravajtësi penal të çfarëdoshëm? Apo, për nga specifika e ndodhisë në fjalë, kemi të bëjmë me një këmbanë alarmi se ushtrimi i profesionit të gazetarisë është i kanosur si kurrë më parë? Këto dhe një sërë pyetjesh të tjera gjembaçe për kuptimin e mirëfilltë që po merr liria e shtypit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë të përligjura të na vërtiten në mendje që prej të ditës së enjte, kur pas disa muajsh spekulimesh, Assange-i u dëbua nga Ambasada ekudoriane në Londër dhe përfundoi në prangat e policisë britanike. Sakaq, më datë 2 maj është parashikuar që Assange-i të përballet me vendimin e Gjykatës Mbretërore të Southwark-ut mbi mundësinë e esktradimit të tij drejt SHBA-ve.

Fill pas arrestimit të tij, Departamenti i Drejtësisë publikoi një akt-akuzë në të cilën ngrihet pretendimi se Assange-i ka komplotuar në vitin 2010 me ish-agjentin e shërbimeve inteligjente amerikane, Chelsea Manning-un, për të arritur deshifrimin e kodit hyrës në rrjetin kompjuterik të Departamentit të Mbrojtjes, me qëllimin e vetëm shkarkimin e të dhënave të klasifikuara për t’i ngarkuar ato më pas në faqen e WikiLeaks-it. Megjithatë, sa u tha më lart paraqet veçse shqetësimin më periferik të SHBA-ve.

Duke filluar nga viti 2010, WikiLeaks-i shpërndau një video nga sulmi ajror i ndërmarrë prej SHBA-ve mbi Irak, si pasojë e të cilit mbetën të vrarë me qindra civilë të pafajshëm. Vargu i përmbajtjeve sekrete të gjeneruara nga organizata për publikun e gjerë vazhdon me dokumente të ushtrisë amerikane për luftrat e zhvilluara në Irak dhe në Afganistan, me kabllogramët e Departamentit të Shtetit ku diplomatët jepnin vlerësime të shpenguara për qeveri të caktuara, të gjitha këto materiale të siguruara nga bashkëpunëtori i ngushtë dhe tejet i dobishëm i Assange-it, Manning-u.

 

 

Rrjedhja e paprecedentë e informacioneve të kësaj natyre, e shndërroi Assange-in në një figurë mjaft popullore që gëzonte gjithnjë e më shumë dashamirësinë e njerëzve të thjeshtë dhe fuqipakët ndaj supremacisë të pathyeshme të një konglomerati shtetesh. Prej kohësh zhvillohet një debat qerthullor nëse veprimtaria e WikiLeaks-it duhet të kategorizohet si një nga format e të bërit gazetari. Në njërin kamp të polemikës, WikiLeaks-i lartohet si një bastion i transparencës dhe si referenca më përfaqësuese e trysnisë së pushtetit të katërt mbi qeveritë për llogaridhënie. Ndërsa, në kampin tjetër përdoret një retorikë e panikosur e skepticizmit.

Në infrastrukturën legjislative amerikane, liria e shprehjes gjendet e “përjetësuar” shenjtërisht në Amendamentin e Parë, i cili është parë si gurthemeli i demokracisë amerikane, për arsye se rreket të siguronte një politikëbërje sa më transparente, në sajë të mediave të përgjegjshme në detyrën për të informuar në paanësi sovranin, i cili më pas vlerëson qeverisjet në “ditën e mbrame të gjykimit”. Çdo përpjekje për të kufizuar këtë liri të fjalës mund të interpretohet si censurë, që detyrimisht çon në protesta masive publike.

Jurispruedenca ka dëshmuar se gjykatat amerikane kanë ndaluar pothuaj kategorikisht kufizimin e lirisë së shprehjes, me përjashtim të rrethanave të panegociueshme, siç ndodhi në gjykimin e çështjes së bujshme “US Department of Justice v. Reporters Committee for Freedom of the Press” (1989), kur Gjykata Supreme pranoi se “përpilimi i informacionit të vështirë për t’u arrirë, që përndryshe do të ishte harruar me siguri” do të thjeshtëzonte gjer në masivizim qasjen në informacione sensitive, duke rrezikuar  “interesin privat për mbajtjen e tyre në fshehtësi”. Pothuaj në të njëjtën linjë arsyetimi, Gjykata Supreme argumentoi edhe vendimin lidhur me çështjen po aq të shumëpërfolur “Nixon v. Warner Communications, Inc.”(1978) të gjyqit publik të Watergate-itduke vënë theksin tek detyra tejet relevante e gjykatave për të shmangur qasjen e kollajtë të publikut në informacione të rezervuara “për qëllime të pahijshme, si p.sh. kompensimi i mërive dhe i hatërmbetjeve personale apo për promovimin e skandaleve publike”.

“Kurrë në historinë e këtij vendi nuk ka patur një botues të përndjekur penalisht për paraqitjen e një informacioni të vërtetë për publikun. Çdo ndjekje e WikiLeaks-it për botimin e sekreteve qeveritare do të krijonte një precedent të rrezikshëm që administrata Trump me siguri do ta përdorte kundrejt organizatave të tjera të lajmeve.”- qëmton shkrimtari, avokati dhe përkrahësi i të drejtave dhe lirive civile në Unionin amerikan të Lirive Civile, Ben Wizner. Krijimi i një norme me premisën e një tradite  penalizuese ndaj të vërtetës së thënë burrërisht, është akoma më shqetësues kur merret në konsideratë marrëdhënia e nderë e mediave me presidentin Trump, i cili ka shpallur haptazi synimin për zgjerimin e gamës së ligjeve evazive kundër shpifjes dhe fyerjes. Debati i pashtershëm për përcaktimin e vendit që zë Wikileaks-i në sferën e gazetarisë, është njëmend një udhë pa krye. Ndonëse Assange-i mund të ketë kryer një krim, arrestimi i tij nuk duhet të na gëzojë asesi, së paku jo pa vramendje dhe pakëz reflektim, sikurse katarsisi që ndodh pas një shfaqjeje të goditur teatrale.

Kristi Kaba/Lapsi.al

 

More in BLOG, LAJME
Mediat botërore mbërrijnë në Tiranë, çfarë pritet të ndodhë në protestë?

Protesta e sotme e opozitës dhe zhvillimet në Tiranë po ndiqen më vëmendje nga mediat ndërkombëtarë. Rrjete prestigjioze televizive, si...

Close