X

Misioni tejpolitik i Edi Ramës


Nga Vehap Kola

Disa nga veçoritë e dizajnit arkitekturor dhe dekorit që karakterizon qytetet janë fasada, ‘nyjat nervore’, mobilimi, ndriçimi dhe trajtimet e veshjeve të mureve, dritareve dhe shesheve, përdorimi i ngjyrës dhe formës, si dhe ekspozimet e gjithëfarllojshme nga gjethnajat tropikale tek arti, reklama, produktet e teknologjia. Ato gërshetohen për t’i dhënë estetikën mjedisit ndijor të strukturës së një qyteti, ndërsa njëkohësisht ofrojnë edhe objektet materiale për t’u vendosur në hapësirën fizike dhe objektet simbolike me të cilat farkëtohet kuptim.

Për shkak se dizajni nxjerr në plan të parë përvojën e ngjyrës dhe strukturës  dhe ngahapësira, këto të fundit provokojnë gjykime estetike që variojnë nga e shëmtuara tek e papërshkrueshmja, e tolerueshmja, e kënaqshmja, e bukura dhe frymëzuesja. Sigurisht, karakteristikat e dizajnit ndikojnë më shumë përvojat e rëndomta të ndijimit, por edhe temperaturën, cilësinë e ajrit, ndriçimin, nivelet e zhurmës dhe aromat, që në tërësi krijojnë përgjigje të ndryshme psikologjike, që mund të influencojnë si qëndrimet, ashtu edhe gjykimet estetike. Për pasojë, përvojat estetike dhe fiziologjike kanë gjetur vend në teoritë mbi ndikimin e strukturave fizike te shoqëritë dhe anëtarët e saj.

Një murg është i tillë edhe i dehur – thotë Hannah Arendt. Por, për fatin e keq të opozitarizmit në Shqipëri, njeriu më i pushtetshëm dhe me influencën më të madhe në jetën politike të të paktën 20 viteve të fundit vijon të projektohet sipas tiparesh të dobëta të shprehura në sëmundjet e supozuara mendore, në dobësitë sensuale, në përdorimin e substancave narkotike apo vjedhjen e fondeve publike. Hajdut, bandit, skizofren, psikopat, drogmen, mizogjin e të tjera etiketime vazhdojnë të përdorohen nga zërat opozitarë për të përvijuar profilin e njeriut, politikanit, pushtetarit dhe misionarit Edi Rama. Ose opozita në Shqipëri vërtet s’ka arritur ta njohë Edi Ramën, për shkak të perdeve morale që prodhon heshtja përballë oligarkisë apo dembelisë për të ndërmarrë aksion politik në vend të ligjërimit, ose ajo vërtet beson se problemet më të mëdha në vend janë pikërisht këto: korrupsioni, qeverisja nga njerëz me probleme nervore apo të dhunshëm ndaj grave dhe veshja me pushtet e krimit të organizuar.

Duke e lënë mënjanë trajtimin e vërtetësisë së këtyre cilësimeve për Edi Ramën dhe misionin e tij publik, duhet thënë se këto, në fakt, mbulojnë apo lënë në hije të vërtetat më alarmante të profilit të Edi Ramës si politikan, si ligjërues publik dhe si misionar i riformësimit të ambientit dhe hapësirës publike në Shqipëri.

Edi Rama ka bërë çdo marrëveshje me çdo pol fuqie në shoqërinë shqiptare dhe ndërkombëtare për të fituar pushtetin. Qëllimi nuk ka qenë vetëm që të pasurohet e së andejmi të ketë më tepër pushtet, derisa të bëhet i pathyeshëm në termat e një ndërrimi të pushtetit pa dhunë, por mbi të gjitha që të fitojë mundësinë për t’i dhënë formë mënyrës së të jetuarit, të menduarit dhe të besuarit të shqiptarëve. Përtej kumbimit mesianik të pohimeve të tilla, ai që sot ka shtënë në dorë të gjithë fijet e teatrit të jetës publike në Shqipëri nuk e përdor pushtetin e tij vetëm për të fituar para, shijuar komfortin e zotërimit të gjithçkaje që kënaq lavdidashjen e tij dhe kënaqësinë e ngadhënjimit mbi çdo rezistencë apo sfidues të atij vetë dhe misionit të tij. Përkundrazi, kjo ka qenë sjellja e çdo lideri politik të rëndësishëm të periudhës së tranzicionit. Ajo që e shquan Edi Ramën nga këta politikanë është misioni i tij përtej kufijve politikë.

Trashëgimia e qeverive pararendëse të Rilindjes mund të përmblidhet në vepra infrastrukturore, politika ligjore, ekonomike e sociale, në reforma strukturore që i kanë lënë vendin njëra-tjetrës. Asnjë syresh nuk zënë një pozitë qendrore në ambientin që i jep trajtë botëkuptimit dhe karakterit të qytetarëve ndërsa kalojnë njëra pas tjetrës etapat e jetës biologjike e sociale. Vetëm regjimi komunist i Enver Hoxhës, me urbanistikën dhe artikteturën soc-realiste, mund ta rivalizojë misionin jetëshndërrues të Ramës. Megjithatë, ndërsa urbanistika soc-realiste ishte e kushtëzuar nga efiçenca, nga nevoja për të ndërtuar dhe urbanizuar me kosto sa më të ulëta, ajo e Ramës duket se ka një qëllimshmëri të qartë dhe të përcaktuar mirë që në embrion. Si pasojë, nëse brezat e shqiptarëve gjatë 45 viteve të diktaturës u farkëtuan sipas pritshmërive universale të mendimit marksist, milenialët janë duke u latuar me kujdes sipas përfytyrimit të një njeriu rreth asaj se si duhet të mendojnë, jetojnë dhe besojnë shqiptarët.

Për këdo që nuk është i vetëdijshëm, projekti i qendrës së qytetit të Tiranës, që po zbatohet sot nga i besuari i tij në bashki, Erion Veliaj, është pikërisht projekti i famshëm i studios franceze, plotësuar me më shumë ndërhyrje ambicioze, që dendësojnë kullat dhe fshijnë gjurmët më të shquara të trashëgimisë kulturore si Teatri Kombëtar dhe Teatri i Kukullave. Jo vetëm Tirana, të cilën Rama e ka qeverisur për 11 vite me radhë, por edhe qytetet e tjera i janë nënshtruar tashmë projektit të rilindjes urbane pas ardhjes në pushtet të socialistëve në vitin 2013. Transformimet e shesheve qendrore dhe fasadat qëndrojnë në thelb të këtij projekti. Ato janë destinacioni më i frekuentuar i secilit qytet, vendi që mbledh fëmijët për t’u dëfryer në hapësira të gjera, të moshuarit për t’u çlodhur e, mbi të gijtha, për të rinjtë, që e gjejnë më miqësore këtë imazheri që e kandis çdo soditës.

Reagimet që provokohen nga tiparet arkitekturore të ndërtimeve mund të përdoren në mënyrë simbolike për të shprehur dhe përfaqësuar ide politike dhe shoqërore si identiteti apo vizioni për të ardhmen. Anasjellas, vetëdija se arkitektura dhe planifikimi urban përdoren në misione të tilla simbolike bën të mundur leximin e kujdesshëm të strukturës fizike që zbulon identitetin apo përfytyrimin për të ardhmen të një organizate politike. Por, për shkak se gjykimet estetike përcaktohen në mënyrë të ndjeshme nga shijet personale, ne mund të biem në kurthin e mosdallimit të preferencave personale nga ndjeshmëria. Për organizmat politike dhe shoqërore, parapëlqimet tuaja individuale janë më pak të rëndësishme se ndjeshmëria juaj ndaj faktit që urbanizimi ndjell përgjigje estetike, që i japin ngjyrën interpretimeve të anëtarëve të asaj shoqërie. Ndaj është e rëndësishme të vërehet se si struktura fizike ushtron ndikim mbi ne dhe jo si e interpretojmë ne atë.

Pikturimi i figurës së Ramës dhe pasardhësit të tij Veliaj sipas kontureve të dy kasnecëve të dobët dhe të mbushur me vese personale, përfshirë edhe këndelljen prej pasurisë dhe përjetimeve, është një vizatim reduksionist. Ai mbulon, me ose pa vetëdije, vizionin e tyre mbi mënyrën se si duhet ta përjetojë dhe ta njohë realitetin një shoqëri e tërë. Stili arkitekturor dhe urbanistik i Ramës dhe Veliajt, i mbushur me simbole, synon të prodhojë një publik të cekët, me gjykim sipërfaqësor dhe pa një strukturë të qëndrueshme mendimi. Nën efektin e kësaj simbolike dhe të ligjërimit tipik të grupimit politik të Rilindjes, një shoqëri e tillë është lehtësisht e qeverisshme dhe e paaftësuar për të ndierë humbjen e ngadaltë të lirive dhe shtrëngimin e kujdesshëm të lakut, ndërsa bëhet më e dhunshme në shuarjen e zërave kritikë të elementeve syçelur të saj.

Ndaj, sado që opozita ta sulmojë Ramën, apo edhe përfaqësuesin e tij në Bashkinë e Tiranës Veliaj, nga këndi i të metave personale, pushteti dhe figura e tyre mbetet e pacenuar, ashtu sikundër një murg nuk resht se qeni i tillë edhe nëse bën shkelje si dehja. Pushteti dhe roli i tyre në farkëtimin e ambientit dhe, së andejmi, të ndjeshmërisë dhe përgjigjeve estetike, që i japin ngjyrën gjykimeve të opinionin publik, mbetet i pacenuar. Edhe nëse ata të dy nuk do të jenë në pushtet pas një kohë të shkurtër, gjurma e tyre në gdhendjen e interpretimit të individëve dhe komuniteteve do të mbetet në projektet e fshirjes së historisë dhe trashëgimisë dhe të ngritjes së kultit të të resë pa të shkuar dhe të ‘origjinalitetit’ zymtësues të betonit. Fëmijët tanë do të rriten dhe edukohen nën kryengritjen e rrokaqiejve, pa mundur të lidhen me një të shkuar objective, që shërben jo vetëm si memorie e qyteteve dhe rrugicave tona, por edhe si artifakt i besëlidhjes me virtytin, të Mirën e përbashkët të provuar dhe të vulosur nga sakrifica e etërve tanë.

Exit.al

More in IDE
Lajmet gallatë të Top Channel-it dhe mamaja ime

Nga Ermal Mulosmani Isha në shtëpi ditën e shtunë dhe, rastësisht, mbeta në edicionin e lajmeve të orës 15.00 të Top...

Close