AKTUALITET, 8 Prill 2019, 15:13

“O vdekje, o liri!”, gjithçka duhet të dini për përplasjen e banorëve të Bregut të Lumit me policinë


“O vdekje, o liri! Nuk ka rrugë tjetër për ne”.

Dhjetëra banorë të Bregut të Lumit u përplasën sot me disa dyzina policësh, duke mos i lejuar fadromat e IKMT-së të shembin 38 shtëpitë e tyre, të planifikuara për t’u prishur në kuadrin e projektit të “Bulevardin e Ri” të kryeqytetit.

Gjithçka nisi sot paradite. Protesta vazhdoi disa orë, derisa forcat e policisë dhe fadromat e IKMT-së u tërhoqën.

Me shkopinj dhe gurë kundër policisë

Banorët e Bregut të Lumit kanë protestuar për muaj me radhë kundër prishjes së banesave të tyre. Ata kanë kërkuar dëmshpërblim nga shteti për banesat e tyre por, bashkia e Tiranës, në deklarimet e saj ka theksuar se nuk janë të pajisur me dokumentacionin përkatës në lidhje me ligjshmërinë e pronave të tyre.

Unë jam banor i Bregut të Lumit. Këtu ka ardhur Policia tani për të na prishur shtëpitë. Ka një numër të madh punonjësish policie këtu. Njerëzit kanë dalë të gjithë në rrugë me mjete mbrojtëse. Ne jemi të pajisur me gurë dhe shkopinj dhe do të bëjmë rezistencë. Nuk na kanë dhënë asnjë shpjegim nga bashkia, as dëmshpërblime”, u shpreh një nga banorët për mediat e pranishme.

Dhjetëra policë me skafandra u përpoqën për të larguar me forcë disa gra tek Bregu i Lumit, që u kishin zënë rrugën fadromave për të mos lejuar shembjen e shtëpive të tyre. “O vdekje, o liri! Nuk ka rrugë tjetër për ne. Ai kryeministër, ai horr! Nëse ka Zot…!”, tha njëri nga banorët.

“Dalim nga shtëpitë vetëm si kufoma”

Gratë u përplasën  me focat e shumta të policisë, ndërkohë burrat dhe djemtë e tyre hipën mbi çatitë e shtëpive që janë planifikuar të shemben. Një pjesë e grave kanë marrë në duar dhe gurë, ndërsa thonë se nga banesat e tyre do të dalin vetëm si kufoma.

Një prej qytetarëve u shpreh se banesa e tij ishte vlerësuar nga ana e Bashkisë me një vlerë prej 75 milionë lekë të vjetra, mirëpo nuk i është dhënë asnjë dëmshpërblim, pasi sipas tij, paratë e Buxhetit për këtë aks janë vjedhur. Nga ana tjetër banorët thonë se vetëm shtatë familjeve iu ka shkuar lajmërimi se shtëpia e tyre do të prishej.

“S’do të vdesësh ti ma, se do Lali Eri”

Një banore e zonës i ka rënë të fikët pasi nuk pranon vendimin e prishjes së banesës së saj. Në momentin që gruaja humbi ndjenjat, vajza e saj adoleshente filloi të qajë dhe bërtiste: “Oj nanë, ik se dua të shoh mamin, më lini. S’do të vdesësh ti ma, se do Lali Eri”. Në protestë nuk është e pranishme një autoambulancë dhe gruaja është ndihmuar nga banorët e zonës. “Drogaxhnj nuk ka turp, po vdesim.”, u shpreh një banore tjetër.

“S’jam për partitë këtu. Na u ngjall Enver Hoxha”

Një nga banorët e Bregut të Lumit, një burrë rreth 60 vjeç, i është drejtuar me përgjërim Policisë dhe ka tentuar t’u prekë zemrat, efektivëve që e kishin rrethuar. “O njeri nuk jam për parti këtu, as për Partinë Demokratike, as për Partinë Socialiste, as për LSI! Jam për shtëpinë time këtu, jam për shtëpinë time! Po prishni shtëpinë e fukarait or ti. Po i thoni ore atij kapedanit. Nëse keni takat të na vrisni, të na mbysni…Po ku të shkojmë me fëmijë morë? A i sheh, ku të shkojmë?!”. Gruaja e tij nga ana tjetër, me të birin adoleshent, thirri: “A do të rrojë fëmija e tij?! Po fëmija im, ku? Si?! Na u ngjall Enver Hoxha!”.

Policia bllokon protestuesit e Astirit

Policia u doli përpara protestuesve të Astirit, për të mos lejuar që ata t’u bashkohen banorëve të Bregut të Lumit, të cilët në ato momente po përlesheshin me Policinë për të ndalur shembjen e shtëpive të tyre.

/TPZ.AL/