X

Shfaqja vanitoze që paralajmëron më shumë kulla dhe më pak transparencë

Pas përfundimit të festimeve për Ditën e Verës, të shtyra në 17 Mars për shkak të paralajmërimeve për stuhi e shi me gjyma, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj njoftoi rikandidimin e tij.

Rastësi pas rastësie, ashtu si dielli i ditës së verës një ditë pas protestave të opozitës, edhe manifestimi i Veliajt përkoi me festimet madhështore të Kongresit Zgjedhor të Partisë Socialiste.

Njoftimi i pasua nga një fushatë intensive komunikimi me shpallje në mure, dalje në media dhe ri-publikime të sloganeve në rrjetet sociale nga përfaqësues të administratës.

Një kërkim i thjeshtë në Twitter i sloganit #TiranaqeDuam tregon publikimet dhe shpërndarjet në seri nga administrata e Bashkisë së Tiranës, çka të jep përshtypjen e një fushate të mirë koordinuar.

Pak ditë më pas, në 21 Mars, Veliaj shfaqet në një spot televiziv në tarracën e gjelbëruar të bashkisë, ku flitet për parqe, shkolla, kopshte dhe livadhe, por fshihet me kujdes kantieri i ndërtimit të kullave 24 katëshe që gjendet përballë tij, në një perimetër të përjashtuar së fundmi nga zona muzeale.

Kullat prej 77 metrash do të ngrihen në një distancë prej vetëm, 8.4 metrash nga Sahati i Tiranës (monument kulture) dhe 8.7 metra nga godina e Bashkisë, nën një prapavijë të turbullt ligjore.

Ky kantier është vetëm një nga një duzinë kullash që kanë nisur të ngrihen në qendër të Tiranës, me bekimin e Kryetarit Veliaj dhe miratimin e Këshillit Kombëtar të Territorit, si vazhdim i “Planit Francez” të iniciuar nga Edi Rama në vitin 2003. Në këtë video arkitekti Winey Mass shpjegon gjatë një leksioni në Londër marrëdhëniet me Kryeministrin dhe përsërit disa herë që kullat dhe ndërtimet porositen nga vetë Kryeministri.

Rastësisht, ky rezulton të jetë edhe koncepti i arkitektëve që kanë projektuar sheshin “Skënderbej”. Në një intervistë për emisionin Exclusive, Freek Persyn arkitekti i studios belge 514E, tregon qartë vizionin për t’i ndryshuar godinat ekzistuese të sheshit:

“Të shohësh gjërat e ndryshme që janë aty, t’i pranosh siç janë, ndoshta t’i ndryshosh në të ardhmen. Kur e bëmë propozimin 10 vite më parë ideja ishte që edhe ndërtesat duhet të transformohen, ne duhet të bëheshim pjesë e transformimit të vetë sheshit”.

Si për ta përforcuar këtë, Kryeministri Rama deklaroi dje gjatë fjalimit shembjen e Teatrit Kombëtar, Muzeut dhe Teatrit të Kukullave. Ai shpërfilli qëndresën një vjeçare të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, e cila u përgjigj se do ta ndalojë këtë gjenocid urban që po kryhet në favor të ndërtuesve.

Deklarata e Plotë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit:

Ndërkohë edhe opozita hesht, duke mos dhënë asnjë reagim për deklarata paralajmërimet e Kryeministrit për shndërrimin e qendrës historike të qytetit,

Kongres apo anti-miting?
Të lodhur (disa nga rruga e disa të tjerë nga dielli), shqiptarët dëgjuan personazhet kryesore të Partisë Socialiste, nën një koreografi madhështore, të flisnin për “partinë kuq e zi”, integrimin evropian dhe zhvillimin e pandalshëm të ekonomisë dhe sundimin e ligjit.

Shumë pak u fol për gjendjen e jashtëzakonshme që po kalon sot vendi për shkak të ngërçit në të gjitha shkallët e pushtetit. Shqipëria ka mbetur pa Gjykatë të Lartë dhe Gjykatë Kushtetuese, me një President që kërcënon të japë dorëheqjen, një Parlament që nuk funksionon, por kontrollohet plotësisht nga një parti e vetme që qeveris me ligje speciale të propozuara dhe miratuara nga ajo vetë.

Në këtë situatë, kur çdo metodë institucionale dhe ligjore është zhdukur, e vetmja gjuhë komunikimi me qytetarët mbetet rruga, çka e ka kthyer dialogun politik në një garë mes opozitës dhe qeverisë për numrin e personave që kanë nxjerrë në sheshe.

Për herë të parë në historinë e Shqipërisë së pas komunizmit, u zhvillua një aktivitet partiak në një shesh të hapur.

Kongresi është një aktivitet i brendshëm i anëtarëve të partive politike, ku strukturat e të gjitha niveleve votojnë për të zgjedhur përfaqësinë apo ndryshuar ligjet dhe statutin e partisë. Një kthim pas në histori tregon se partitë shqiptare gjithmonë i kanë zhvilluar kongreset në salla private apo ambiente të mbyllura.

Por dje, shqiptarët u bënë dëshmitarë të një kongresi, njëkohësisht dhe një shpallje kandidimi që në fakt ngjason shumë (për nga përmasa dhe pjesëmarrja) me hapjen e një fushate elektorale të kuruar në detaj, ndërkohë që Neni 77 i Kodit Zgjedhor përcakton qartë se fushata zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve, ditë që përkon me datën 31 Maj.

Pjesa dërrmuese e të mbledhurve ishin të pajisur me flamurin kombëtar dhe në raste të veçanta të kapte syri ndonjë flamur të Partisë Socialiste; simbolikë thjeshtësisht e përkthyeshme kjo: Shqipëria para Partisë! Partia Socialiste që në logon e përzgjedhur për fushatë elektorale “Shqipëria që duam” qartazi ka përdorur dhe po përdor elementin nacionalist për të fituar mbështetje popullore.

Akuzat e shoqërisë civile, investigimet e gazetarëve, qëndresa e Teatrit, Unazës së Re, revolta e studentëve dhe fermerëve tregojnë se Shqipëria e vërtetë është shumë larg skenografisë perfekte në të cilën u prezantua kandidimi i Erion Veliajt.

Një demonstrim i këtij lloji, ngre një sërë pyetjes mbi legjitimitetit, kostot financiare, përputhshmërinë me ligjin dhe transparencën.

Kush paguan për tubimin e djeshëm?

Një fotografi e planvendosjes së aktivitetit të sotëm e siguruar nga Exit.al, tregon infrastrukturën e vendosur përgjatë sheshit “Nënë Tereza” dhe Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndër më të mëdhatë dhe të kushtueshmet të realizuara ndonjëherë në Tiranë. Pajisjet përfshijnë 10 mijë karrige, një ekran led i përmasave gjigante prej 75m2, pesë monitorë prej 15 m2, foni me bokse të fuqishëm që mbulon të gjithë gjatësinë e bulevardit, mijëra flamuj kombëtar, materiale promovuese etj.

Me mijëra mbështetës të Partisë Socialiste iu bashkuan manifestimit nga e gjithë Shqipëria. Nga vëzhgimi në terren rezulton se vetëm përgjatë bulevardit Bajram Curri (nga ish-Piramida tek ish-Parku i Lojërave 7 xhuxhat), gjendeshin 18 autobusë udhëtarësh dhe furgona shkollash, të gjitha të parkuara në korsinë e rezervuar për transportin publik, ku normalisht qendrimi i automjeteve ndëshkohet me gjobë.

Sot për herë të parë në histori, u zhvillua një përzierje atipike midis kongresit të një partie, mitingut elektoral të përmasave gjigante dhe startimit të fushatës zgjedhore jashtë afatit të përcaktuar në ligj.

Situatë që në fund të ditës, përforcon idenë se i gjithë aktiviteti i sotëm kishte formën e një antimitingu për t’i treguar kundërshtarin dhe se dialogu politik ka përfunduar në përplasje numrash.

Kur dhe si do të deklarohen shpenzimet e këtij aktiviteti?

Është pothuajse e pamundur që të identifikohet një shifër e saktë e përdorur për shpenzimet e tubimit  të sotëm partiak në mes të Tiranës. Mungesa e transparencës në financimin e partive politike është një problem urgjent në Shqipëri pasi hapësirat e krijuara në ligj i bëjnë të pafuqishme institucionet monitoruese që kanë si detyrim sigurimin e transparencës.

Partitë politike ende nuk kanë dorëzuar raportet financiare për vitin 2018, kjo sepse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i lë hapësirë deri më 31 Mars të këtij viti për të dorëzuar raportimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të vitit që lamë pas.

Koha e gjatë nga shpenzimi tek raportimi, është ngritur shpesh nga ekspertët si një problem që mundëson manipulimin e të dhënave financiare, përmes marrjes së faturave fiktive apo deklarimit të shpenzimeve jo-realiste.

Pse ka rëndësi transparenca?

Zgjedhjet lokale këtë vit janë duke u zhvilluar në kushte të pazakonta politike për vendin. Pas heqjes dorë nga mandati të deputetëve të opozitës, vendi është duke kaluar një kohë të vështirë politike. Kjo situatë ka edhe efektet e veta në pushtetin vendor, sidomos pasi kur liderët e partive opozitare kanë deklaruar se nuk do të hyjnë në zgjedhjet vendore nëse nuk ndryshon qeveria. Komisioni Zgjedhor i Zgjedhjeve ndërkohë ka thirrur dhe anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor të opozitës për tu përfshirë në zgjedhje, por deri tani ka vetëm bojkot nga opozita. Megjithëse, zyrtarisht fushata zgjedhore nuk ka filluar ende (sipas KQZ), u kuptua lehtësisht se Partia Socialiste ndezi motorrët e fushatës./citizens-channel.com/

More in AKTUALITET, BLOG, LAJME
Rrjeti i amortizuar i energjisë, dhjetë fshatra në jug të vendit mbeten në errësirë

Që prej orës 8-të të mëngjesit fshatrat Krahës, Kalivaç, Toç, Anvjos, Qesarat, Sinanaj, Iliras, Matohasanj, Koshtan, Kamcisht, pjesë të Bashkisë...

Close