X

Konflikti tek “Petro Nini”, një fitore e vogël e “njerëzve të dhunshëm”

Nga Andi Bushati

Anëtarëve e pesë familjeve që u përleshën me policinë tek gjimnazi Petro Nini nuk i’u kishte mbetur asnjë mjet tjetër përpos dhunës. Ata i patën provuar të gjitha, gjykatat, lutjet në polici, përgjërimet në bashki që të mos joshte me leje ndërtimi profile banditësh që duan të rrëmbejnë pronat e tjetër kujt, por më kot.

Në mbrëmje ktheheshin në shtëpitë e tyre, të mposhtur, të pashpresë, me dinjitet të nëpërkëmbur dhe pa mundur t’i shikojnë në sy fëmijët, të cilëve pas pak kohësh, nuk do ishin në gjendje t’i siguronin një strehë.

Kjo zgjati deri ditën që dy rrugaçë përmbarimi shkuan ti hidhnin në tokë me shkelma derën e godinës së tyre.

Aty ata zgjodhën të përdornin të vetmen armë që kishin. Të bllokonin rrugën kryesore. Të shtriheshin përmes saj me trupat e tyre. Të përlesheshin dhëmbë për dhëmbë me policinë. Të qenë të gatshëm për t’i veënë zjarrin të tërës.

Për çdo legjitimist që endet salloneve dhe ekraneve të Tiranës ata ishin thjeshtë ca vandalë, zaptues apo qoftë edhe huliganë.

Sepse një vendim gjykate nuk duhet kundërshtuar duke i bllokuar rrugën kalimtarëve të tjerë. Sepse policia që e ka për detyrë të zbatojë kërkesat e përmbarimit, nuk duhet cënuar fizikisht. Sepse zjarri dhe flaka nuk janë mjete për zgjidhjen e problemeve. Sepse në këtë vend musimanësh, na kanë mëkuar me një mendësi kristiane, që kur n’a godasin në njërën faqe, duhet të jemi të gatshëm të kthejmë tjetrën.

Ata e injoruan këtë mësim. Të lënë në mëshirë të fatit ata u mbështetën tek arma e fundit që u kishte mbetur në dorë: Të ishin të dhunshëm.

Por për çudinë e shumëkujt, kjo i nxori në dritë. Fillimisht, si pasojë e akteve dhe vetmohimit të tyre, para shtëpisë që mbronin, u mblodhën të gjitha mediat. Pamjet rrënqethëse të grave me barë dhe fëmijëve që tërhiqeshin zvarë nga policia pushtuan gjithë ekranet. Ato u bënë virale në rrjetet sociale, që vërshuan me një lumë akuzash ndaj këtij sistemi të padrejtë, ku gjykatat, përmbaruesit, bashkia dhe policia renditen gjithmonë me të fortin dhe të pasurin. Ato po krijonin një ortek kundër kësaj qeverisjeje që pretendon se është aleate me qytetarin.

Dhe në saj të dhunës (të tillë e quajnë legjitimistët e Tiranës vullnetin për të mbrojtur me çdo mjet një të drejtë) ata fituan. Fituan, se me aktet e tyre tërhoqën vëmendjen ndaj një padrejtësie, fituan, se me gadishmërinë për vetësakrifikim, bënë të mundur që publiku të njihej me persekutimin që po u bëhej, fituan, se duke qenë qenë të bindur se do të shkelnin edhe ligjin, po mbronin në fakt një kauzë legjitime.

Nëse do të ishin sjellë si qytetarë të urtë dhe korrektë, sot nuk do të kishin pasur fare shtëpi.

Policia nuk do të ishte tërhequr duke i hapur rrugë ultimatumit për shembjen e godinës.

Po të kishin heshtur, kryeministi i vendit nuk do të justifikohej publikisht duke thënë se qeveria nuk ka asnjë fuqi mbi vendimet e gjykatave. Po të ishin sjellë qetë kryebashkiku nuk do ti ofronte aty për aty banesa sociale, duke pohuar se nuk kishte dhënë leje ndëetimi. Po të kishin ndjekur ‘ligjin” dhe ‘rregullat” ministri i brendëshëm nuk do të kishte dënuar personalisht veprimet aspak dinjitoze të policisë.

Ky është mësimi, që ata 20 banorë i dhanë krejt shoqërisë.

Herë duke u barrikaduar në mënyrë qesharake pas portës së tyre, ndërkohë që përballë kishin një lukuni me policë, herë duke lëshuar klithma epike, që më parë s’pati dënjuar ti dëgjonte askush, herë duke hedhur mizorisht në betejë edhe fëmijët dhe gratë shtatzanë, ata dëshmuan se pa dinjitetin për të reaguar dhe pa zemërimin për t’u revoltuar, në sistemin që kemi ngritur, nuk zgjidh dot asgjë.

Ata zgjodhën rrugën e “dhunës’ dhe i bënë mirë vetes së tyre. Por njëkohësisht na bënë mirë edhe ne, të gjithëve, që në vend të një kulle të re në Tiranë, fituam 20 qytetarë të denjë për këtë emër.

Lapsi.al

Të ngjashme

More in IDE
Pse euroburokratët rrefuzojnë ta shohin krizën shqiptare?

Nga Fatos Lubonja Ashtu siç pritej, pas vendimit të opozitës shqiptare për të lënë mandatet, pasi nuk mund të bëjë...

Close