X

Kanceri i gjirit në Shqipëri, 30 vjet në rritje

 

Në Shqipëri kanceri i gjirit ka tendencë në rritje. Ai prek afro 600 gra dhe vajza në vit, prej të cilave një e treta humb jetën. Kjo betejë për jetën bëhet edhe më e vështirë për të prekurat me mundësi ekonomike të pakta, pasi kostoja e kurimit është mjaft e lartë dhe atyre u është dashur të përballen me mangësi të shumta në spitalet shtetërore që nga barnat dhe deri tek aparaturat. Vitin e fundit autoritetet shëndetësore thonë se i kanë plotësuar nevojat për kurim, duke zgjeruar dhe hartën e kimioterapisë në disa spitale rajonale. Masë e rendësishme mbetet kapja në fazë të hershme dhe zyrtarët raportojnë se kanë shtuar mamografitë levizëse në të gjithë vendin. Kjo ka sjellë vdekshmëri në ulje, edhe pse rastet e prekjes nga kanceri i gjirit janë në rritje. Mimoza Picari, njofton për Zërin e Amerikës.

Autoritetet zyrtare dhe organizatat joqeveritare në Shqipëri kanë shtuar përpjekjet që për sëmundjen e kancerit të gjirit të punohet gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në tetor, i cili është shpallur si muaji i ndërgjegjësimit në gjithë botën. Në dekadën e fundit ka tendenca në rritje të prekjes nga kjo sëmundje, por për shkak të ndërgjegjësimit, kontrolleve periodike dhe kapjes së saj në faza të hershme, vdekshmëria është në në ulje.

“Kanceri i gjirit ka ardhur në rritje në Shqipëri që nbga fundi i viteve 80. Aktualisht risku është 45 raste të reja për 100 mijë gra në Shqipëri, çka me shifra të tjera do të ishte 600 -650 raste të reja në vit. Ndërkohe vdekjet rreth një e treta e tyre, 200-230”, thotë Alban Ylli, Instituti i Shëndetit publik.

Kanceri është shkak për vdekjen 16.5% të shqiptarëve dhe në totalin e kancereve ai i gjirit zë 13-14%, ose e thënë ndryshe një në 7 vdekje vjen nga ky kancer. Rreth 80% të grave që preken nga kanceri i gjirit janë mbi 45 vjeç.

“Kanceri i gjirit është një sëmundje shumë e kushtueshme. Kur një grua diagnostikohet me kancer preket e gjithë familja. Sidomos familjet në kushte ekonomike të rënda”, thotë Donika Godaj, Drejtore ekzekutive e Shoqatës Kristiane të Grave Shqiptare.

Sot janë rreth 4800 gra që janë shëruar nga kanceri i gjirit ose jetojnë me të. Majlinda dhe Sonela janë dy prej tyre e para në vitin e 5 të prekjes nga kjo sëmundje dhe e dyta në vitin e dhjetë.

“Gjendja ka qenë katastrofale, nëse kthehemi 10 vite pas. Domethënë nuk mjaftonte fakti që ti përballesh me një sëmundje të rëndë që të mundon fizikisht, por të mundon dhe nga ana eknomike. Mjafton të llogaris se një cikël me kimioterapi që kam bërë unë, “Taksoli”. Dy kam marrë në shtet. Duheshin 6. Kosotja e një kimioterapie ishte 500 euro. Pra kam shpenzuar vetë 2 mijë euro. Ka patur periudha kohore që kostoja e mjekimit tim i kalonte 1 milion lekë të vjetra në muaj, dhe ishte e tmerrshme”– thotë Sonela Totraku, një zonjë e prekur nga kanceri i gjirit.

“Kjo sëmundje ka një kosto shumë të lartë. Në 2013 kur unë u diagnostikova me kancer gjiri, këtu të hyje tek Onkologjiku, nuk kishte çarçafë, nuk kishte batanije. Kanë qenë skandal kushtet. Dhe mua nuk më priste koha,, që të prisja sa të rregulloheshin kushtet. Ika në Greqi. Por dhe atje kostoja ishte shumë e lartë”, thotë Majlinda Nanaj, një zonjë e prekur nga kanceri i gjirit.

Majlinda dhe Sonela kanë luftuar fort në të njëjtën kohë me nënat e tyre që gjithashtu ishin prekur nga kanceri dhe që nuk ja dolën dot.

“Ishim dy paciente në shtëpi që duhej të kuroheshim. Imagjino sa e vështirë ka qenë për ne për familjen tonë, me të ardhura buxhetorësh. Kanë qenë kreditë që na kanë ndihmuar, mbështetja që i kemi dhënë njëri tjetrit, asgjë më shumë”, thotë Sonela Totraku.

“Gjatë të njëjtës kohë që unë bëja mjekimet në Greqi kthehesha dhe mjekoja nënën time këtu, dhe unë bëja krahasimin. Unë këtu isha e detyruar që për të gjitha recetat që i jepnin mamasë time, barnat t’i gjeja në rrugë informale. Dilja i blija në farmaci. Bëhet fjalë për 2014- 2015-ën”, thotë Majlinda Nanaj.

“Impakti i parë që unë kam patur me spitalin shtetëror, ka qenë skandaloz. Rradhët kolosale, njerëz që ziheshin për një eco gjiri. E tmerrshme. Por besoj që në spital gjërat kanë ndryshuar. Gjëja që unë kam prekur vetë personalisht, ka qenë radioterapia. Unë e kam bërë në atë kohë. Ka qenë një aparturë e vjetër që të përcëllonte, pa llogaritur efektet anësore që kishte në organizëm. Sot gjithkund kishte ambjente komode dhe një aparaturë e fjalës së fundit të shkencës”, thotë Sonela Totraku.

Ministria e Shëndetësisë thotë se ka një plan veprimi kundër tumorreve 2001 2020. Duke u ndalur tek kanceri i gjirit zyrtarët shpjegojnë se harta e shërbimit të kiomoterapisë është shtrirë edhe në spitalet rajonale përveç Tiranës në Vlorë Shkodër Elbasan Durrës Korçë dhe Fier. Por synimi kryesor mbetet parandalimi, përmes kontrolleve periodike mbi moshën 40 vjeç.

“Rasti i mamografive është përshëmbull një nga mundësitë më shumë, që gratë të shkojnë të bëjnë një test. Ne kemi shtuar numrin e mamografice të lëvizshme dhe ato kanë lëvizur në gjithë Shqipërinë gjatë vitit 2018. Kryesisht dhe në zonat rurale ku vemendja shëndetësore është e ulët”, thotë Merita Xhafaj, specialiste në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Çështjeve sociale.

Kurimi i kancerit të gjirit në varësi të stadit, përfshin disa protokolle, që nga herceptina, radioterapia, kimioterapia dhe zyrtarët sqarojnë se kostot në spitalet publike mbulohen nga shteti.

“Pas 20 vitesh në fakt është një nga problematikat që është zgjidhur vjet. Herceptina është një nga të kushtueshme. Sepse një terapi me herceptinë kushton diku tek 27 mijë euro. Ne kemi instaluar akseleratorin e dytë linear në QSUT, i cili bën të mundur që të trajtohen rreth 100 pacientë në ditë”, thotë Merita Xhafaj, specialiste në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Çështjeve sociale.

“Nuk ndodhemi përballë një fataliteti. Është një kancer që nuk është dënim me vdekje. Shumica dërrmuese e rasteve shërohen”, thotë Alban Ylli, Instituti i Shëndetit publik.

Majlinda me profesion inspektore pranë Agjensisë së Pronave, 5 vjet pas prekjes nga kanceri i gjirit është shëruar. Mirnjohja e saj e dedikohet bashkeshortit dhe dy fëmijëve.

“Gruaja është një forcë shumë e madhe që në momentin që sjell fëmijë në jetë. I thashë vetes time nuk ke kohë të vdesësh. Ke dy fëmijë për të rritur, për të shkolluar. Dhe unë mendoj që çdo grua e ka forcën shumë të madhe brenda vetes”, thotë Majlinda Nanaj.

Sonelës me profesion mësuese 10 vjet pas prekjes nga kjo sëmundje i duhet ende të bashkëjetojë me të. Ka patur mbështetje familjen, nxënësit, miqtë dhe të afërmit, por sytë sërish i ka nga shteti.

“Më duhet mbështetja e shtetit. Duhet të mendohet edhe për këto gra që kanë arritur të mbijetojnë. Është fat që në mbijetojmë. Ndoshta për dikë mund të jetë statistikë. Madje unë po them një gjë, që kur pashë një statistikë atje jashtë ku isha në seminar, gra që kishin kaluar 10-të vjeçarin me këtë sëmundje nuk kishte. Dhe u ngrita në kembë dhe i thashë se ja ku jam unë, mbijetoj. Dhe përgjigja ishte se akoma nuk ka statistika për ju. Dhe unë ju thashe se në do t’i thyejmë statistikat tuaja”, shprehet Sonela Totraku.

Mimoza Picari – VOA

More in AKTUALITET, BLOG, LAJME
Deklaratë e përbashkët, opozita paralajmëron: Nesër sovrani do të ushtrojë të drejtën e tij

Opozita e Bashkuar ka dalë me një deklaratë në lidhje me protestën e nesërme. Pasi dënojnë deklaratat e policisë dhe...

Close