X

E ardhmja e ushtrisë në Turqinë e Erdoganit

Grushti i shtetit i korrikut 2016 ka shënuar një vijë ndarëse vendimtare në historinë e gjatë dhe të mundimshme të ushtrisë turke. Përtej diferencave politike dhe ideologjike – copëza laramane të mozaikut të një vendi gjithnjë e më të padeshifrueshëm – skenat në të cilat ka asistuar e gjithë bota i kanë lënë pa frymë të gjithë që e njohin historinë e kohëve të fundit të një shteti, në të cilin ushtarakët shumë herë kanë luajtur një rol politik me rëndësi absolute, deri duke ju mbivendosur atij të partive. Të zhveshur, të sulmuar nga një popull që kurrë në të kaluarën nuk do ta kishte ëndërruar një shfaqje të tillë, nën hekura dhe të ekspozuar ndaj publikut të eksituar, ushtarakët që kanë mbështetur tentativën e grushtit të shtetit të Akın Öztürk, ish Shefit të Aviacionit, kanë arritur në redde rationem me Presidentin turk Erdoğan, projekti i demilitarizimit të shtetit të të cilit duket se është kompletuar edhe në mungesë të ndonjë zhvillimi real demokratik.

Për hir të së vërtetës, me kalimin e viteve prestigji dhe pushteti politik i ushtrisë ka pësuar një erozion gradual, i gjithi në avantazh të komponentëve më proislamikë të shoqërisë turke dhe të atij derin devletDeep State – i të cilit ushtria ishte një prej komponentëve më të fuqishëm – tipik të regjimeve autoritare, ku politikat e sigurisë prevalojnë ndaj zhvillimit të shoqërisë civile. Pas grushteve të shtetit të viteve 1960, 1971, 1980 dhe 1997 ushtria – gardiane e shekullarizimit të shtetit – e rriti pushtetin e saj jo vetëm në aspektin politik, por edhe statusin e saj të privilegjuar në nivel ekonomik të shoqërisë turke. Pas grushtit të shtetit që përfundoi me varjen e Andan Menderes, lideri i Partisë Demokratike proislamiste – por edhe njeriu  që ndoqi një raport akoma më të ngushtë midis Turqisë e Perëndimit dhe idhtar i hyrjes së Ankarasë në NATO – ushtria imponoi një kushtetutë të re në vitin 1961, që parashikonte një sistem checks and balances, ndarjen e e funksioneve të shtetit sipas modelit perëndimor (pushtet legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor), lindjen e sindikatave dhe autonomi më të madhe për shtypin dhe universitetet. Por procesi demokratik u kundërshtua menjëherë nga krijimi i një Këshilli të Sigurisë Kombëtare, që megjithëse i konceptuar si një organ këshillimor, vepron de facto si një qeveri hije, duke influencuar dhe duke drejtuar në kuptimin laicist dhe militarist politikat e qeverisë dhe veprimet e Asamblesë të Madhe Kombëtare.

Në mënyrë të veçantë, aderimi i Turqisë në ekonominë e tregut qe vendimtar në spostimin drejt Perëndimit të qendrës gravitacionale të një vendi që me 90% të territorit të tij ndodhet në Azi, në një kontekst ndërkombëtar të polarizuar nga Lufta e Ftohtë. Kështu, Fondi për Asistencën dhe Pensionin e Forcave të Armatosura (OYAK) u zhvillua përtej asistencës reciproke shtetërore si organizëm privat autonom, por me të njëjtin trajtim përjashtimi taksash ndaj mallrave, të ardhurave dhe pronave tipike të pronësive qeveritare, duke u bërë shumë shpejt diçka më shumë se një fond pensioni i thjeshtë. OYAK-u vepronte në treg si një lojtar i vërtetë dhe prej “peshës” së tij gëzonte edhe një status të privilegjuar edhe ndaj operatorëve që kishin të bënin me të, si edhe në brendësi të një kornize mbrojtjeje ligjore e shtetërore që nuk u garantohej konkurrentëve të tij.

Në vitin 1980, ushtrisë ju desh të ndërhynte sërish përballë tensioneve në rritje midis lëvizjeve të djathta e të majta. Kësaj radhe, me kushtetutën e vitit 1982, partitë u abroguan, edhe autonomia e universiteteve dhe u pezulluan të gjitha organizatat e shoqërisë civile. Ushtria u bë aktori i vetëm në gjendje që ta përcaktojë politikën turke nëpërmjet Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Kombi turk dhe themelet e tij – laiklik dhe turkluk, laicitet dhe identitet turk – u koaguluan rreth tij në luftën kundër dy elementëve të rinj që vinin në rrezik unitetin kombëtar: indipendentizmi kurd i avancuar nëpërmjet luftës së armatosur të Partisë së Punëtorëve Kurdë (PKK), dhe rritjen e islamit politik të përfaqësuar nga Partia e e re Mirëqenies (Refah Partisi) e Necmettin Erbakan, që sfidonte haptazi karakterin shekullar të Republikës. Për këtë arësye, Forcat e Aviacionit Turk miratuan një kod që përcaktonte impenjimin e tyre për të ndërhyrë çdo herë që parimi i unitetit kombëtar vihej në rrezik.

Ia vlen të kujtohet sesi, edhe duke shkuar kundër vulgatës së mendimit aktualisht dominues në Perëndim, ndjenja fetare në vendet myslimane është forcuar dhe jo dobësuar, në prani regjimesh autoritare që kanë shtypur urdhëra, vëllazëri dhe shoqata myslimane, si në rastin e Vëllazërisë Myslimane në Egjipt ose, sa për të qëndruar në kohërat më të vonshme, opozitat islamiste ndaj regjimit të Bashar al-Asad në Siri. Në fakt, pavarësisht se jeta politike turke vërtitet rreth linjave drejtuese të përcaktuara nga ushtria dhe nga Këshilli, u arrit në vitin 1996 dhe në qeverinë e koalicionit midis partisë së Erbakan dhe aleatit të tij centrist, Partisë së Rrugës të Vërtetë. Më 28 shkurt 1997, forcat e armatosura vepruan më atë që u quajt një “grusht shteti pasmodern”, pa tanke dhe pa gjakderdhje. Erbakan dha dorëheqjen dhe partia e tij u ndalua, por pa pezullimin e sistemit të tërë politik.

Në fundin e viteve ‘90, ushtria ishte e plotfuqishme. Të neutralizuar Erbakan dhe islamistët, i arrestuar kreu i PKK-së Abdullah Öcalan, bëri rrugë një formë shekullarizimi shumë më agresive dhe më e afërt me ato qe qenë fillimet e Republikës Turke, me shtypjen e partive me frymëzim fetar e kurd dhe një shtrëngim të të gjitha manifestimeve publike të religjiozitetit, sidomos nëpër institucione.

Kjo, bashkuar me krizën dramatike ekonomike të 2001, çoi në një kundërshtim të fortë e të gjerë ndaj statusit prej mbikëqyrësi të ushtrisë në politikën turke. Intelektualë liberalë në favor të hyrjes së Turqisë në Bashkimin Europian u koaguluan me lëvizjet konservatore islamiste në kërkesën për liri më të mëdha. Pikërisht në këtë fushë të fundit u verifikua një e çarë: ideologjia islamiste ortodokse e Erbakan u sfidua nga një kurs i ri i liderëve islamikë reformatorë, idhtarë të një projekti konservator demokracie. Më në pah midis këtyre të fundit qenë Presidenti aktual turk Erdoğan dhe ish Presidenti Abdullah Gül. Hyrja në Bashkimin Euriopian, plotësimi i “Kritereve të Kopenhagenit” dhe i një shteti realisht demokratik, ju shpalosën në mënyrë strategjike elitave intelektuale, ekonomike dhe financiare turke për të dobësuar një ushtri, që me represionin e saj të lirive civile e bënte një kimerë ëndrrën europiane.

Me lindjen e Partisë për Zhvillim e Drejtësi (AKP), ortodoksia islamiste e Erbakan u mund të favor të një lëvizjeje, që megjithëse kishte si yll polar një vizibilitet më të madh dhe “kapje” të religjionit mbi shoqërinë dhe politikën turke, bënte bashkë liberalë e konservatorë, europeistë dhe biznesmenë të egër anadollas, komentatorë të shkëlqyer të të përditshmeve më të mëdha dhe figura të spikatura të nacionalizmit kurd. Një lloj shtëpie e madhe për të gjithë të pakënaqurit e militarizimit të Turqisë.

Me ardhjen e qeverisë së AKP-së pas zgjedhjeve të 2002, Erdoğan u lirua nga burgu ku ndodhej pse kishte lexuar në publik një poemë me përmbajtje fetare, dhe u bë Kryeministër. Roli i Këshillit të Sigurisë Kombëtare u ridimensionua, me nënshtrimin e tij ndaj autoritetit politik civil. Numri i civilëve brenda tij u rrit, ndërsa u përcaktua se i takonte qeverisë emërimi i Sekretarito. U miratua një Protokoll i ri lidhur me Sigurinë, Rendin Publik dhe Njësisë e Asistencës (EMASYA) në rast ndërhyrjeje ushtarake. Së fundi, Parlamenti u autorizua që tía delegojë Gjykatës së Llogarive auditimin e shpenzimeve të Forcave të Armatosura.

Pavarësisht se e gjitha kjo ka bërë të shpresojnë shumë – edhe në Perëndim! – për një demokratizim real të Turqisë sapo të kufizohej përfshirja e ushtrisë në politikë, shumë shpejt ky wishful thinking u zhduk. Paradoksalisht, Erdoğan u gjend në të njëjtën gjendje të ushtrisë pas largimit të Erbakan, kingmaker i vetëm i jetës publike. Populizmi i aftë i tij, dobësia e opozitës kemalisto – republikane, ridimensionimi i ushtrisë dhe, në vitet më të fundit pranverat arabe të shpërthyera në afërsitë e shtetit turk, kanë përcaktuar një spostim gjithnjë e më të shënuar nga pluralizmi partiak në dominimin e një partie mbizotëruese, për të arritur pas grushtit të shtetit të dështuar të 2016 dhe arrestimeve pasuese të qindra puçistëve apo të supozuarve si të tillë, në një autoritarizëm gjithnjë e më të fortë.

Megjithatë, grusht shteti ose jo, imazhi i ushtrisë ka dalë fuqimisht i reduktuar, ndoshta i njollosur përgjithmonë. Edhe pse si ekspert i thekur i arenës politikës Erdoğan ia ka ruajtur formalisht ato privilegje që qytetari i mesëm turke i vishte elitës ushtarake. Kontrolli i Gjykatës së Llogarive ndaj shpenzimeve ushtarake ka mbetur në thelb një letër e vdekur. Oyak dhe Fondacioni i Forcave të Armatosura janë mungues akoma edhe sot. Forcat e Aviacionit turk, pas spastrimeve, janë akoma institucioni publik që gëzon numrin më të madh të rrogëtarëve shtetërore, ndërsa reforma e shërbimit të detyrueshëm ushtarak – shumë herë e përmendur nga Presidenti turk në mitingjet e tij – nuk është realizuar ndonjëherë. Roli i Gjykatës Admnistrative Ushtarake dhe ajo e Apelit Ushtarak është dobësuar në favor të civileve të përfshira në kundërshtitë me ushtaraket, por në fund mbesin instancat finale  të gjykimit për anëtarët e ushtrisë. Edhe kushtetuta e re presidencialiste nuk i ka modifikuar nëto nene të ligjit themelor lidhur me shekullarizimin dhe laicitetin e shtetit.

Vështirë të thuhet se në një të ardhme të afërt gjërat do ndryshojnë. Sigurisht, nëqoftëse Erdoğan është nisur nga një krizë e rëndë ekonomike për ta konsoliduar pushtetin e tij, momenti aktual mund të dobësojë një pozicion që dukej i paprekshëm edhe pas konfirmimit të mandatit të tij në zgjedhjet e fundit presidenciale. Por historia e Turqisë na mëson se laiciteti dhe ndjenja fetare, shekullarizimi dhe islami politik janë fenomene të destinuara që të  konfliktuojnë, bashkëpunojnë dhe shfaqen në sintezën e një shteti që, pavarësisht gjithçkaje, mbetet i padepërtueshëm.

(nga Geopoliticus)

Përgatiti: ARMIN TIRANA / bota.al

Të ngjashme

More in BLOG
Analisti: Soreca, zëvendësues i denjë i Vllahutinit

Përmes një postimi në Facebook, Dritan Kaba e krahason ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, me paraardhësen e...

Close