X

Donika Prela, një arsye më shumë pse duhen djegur mandatet

Nga Andi Bushati

Në kulmin e debateve për djegjen e mandateve të opozitës, një ngjarje në dukje krejt periferike, kaloi pa vëmendjen e duhur të publikut. Prokurorja e komanduar e Krimeve të rënda, Donika Prela, pasi ka kaluar sitën e bërë shoshë të vettingut, e renditi emrin e saj mes kandidatëve të SPAK-ut, pra prokurorisë speciale që do të bëjë “namin” me shpënien prapa hekurave të politikanëve të lartë.

Po pse, ky detaj, qenkësh kaq i rëndësishëm në sfondin e këtyre pëplasjeve të mëdha? Çfarë lidhje kanë mandatet e opozitës me emrin e përveçëm të një prokuroreje?

Përgjigjja është e thjeshtë. Ky emër dhe ky kazus është simboli më tipik i krimit më të madh që po ndodh në Shqipëri. Ai përmbledh, njëkohësisht, kapjen totale të shtetit nga Rilindja, përpjekjen për të fshehur (por njëkohësisht edhe për të ruajtur) lidhjet e ardhshme me krimin dhe mbi të gjitha, ai gropos njëherë e mirë ëndrrën iluzore të shqiptarëve që pasi kanë humbur besimin tek kjo klasë politike, shpresojnë se pas vettingut të dirigjuar nga ndërkombëtarët, të gjithë do të shohim një ditë të bardhë.

Le t’i marrim ngjarjet me radhë dhe të përpiqemi të shpjegojmë në mënyrë sa më thjeshtëzuar atë që ka ndodhur.

Fryti i parë i drejtësisë së re, ishte vënia e një kryeprokuroreje të parashutuar nga hiçi, merita e së cilës ishte se kishte punuar nën Hulsi Manjën. Arta Marku u zgjodh në mënyrë antikushtetuese vetëm me 69 vota të socialistëve. Të gjithë atyre që thërritën skandal, si nga opozita si nga kritikët e reformës, i’u ofrua pilula qetësuese. Ajo do të qëndrojë vetëm dy – tre muaj, ajo nuk do të ketë kompetencë t’u heqë vartësve të saj nga duart dosjet sensitive, si ajo e Saimir Tahirit dhe mbi të gjitha, ajo, nuk do të ketë mundësi të bëjë lëvizje brenda prokurorisë.

Sot, një vit e gjysëm më pas, të gjitha këto kanë rezultuar gënjeshtra. Por në këtë histori ne na intereson vetëm kriteri i fundit. Arta e partisë e shkeli edhe atë. Një nga veprimet e saj të para ishte komandimi në krye të prokurorisë i një mikëshës së saj, pikërisht Donika Prelës, tek krimet e rënda. Dikush mund të mbrohet duke thënë se ishte rastësi, por rastësia zgjodhi përërisht të gradojë në detyrë, ish drejtuesen e prokurorisë të Durrësit, që i ishin vjedhur dy herë me radhë dosjet sensitive dhe ku ishte kryer mëkati i bashkpunimit të Vangjush Dakos me Avdylajt në blerjen e zgjedhjeve.

Përsëri ndoshta është përkim fatkeq, por pjesa politike e asaj që tani njihet si dosja 339, bashkë me përgjimet që kishte brenda, u arkivua po nga Prela, për t’u hetuar nuk dihet se kur.

Edhe deri këtu dikush mund të thotë që ishte e kuptueshme. Në lojë ishin prokurorët e kohës së vjetër, që nuk kishin kaluar në filtrat euroatlantikë të vettingut, që u thurën me aq mundim nga Lu dhe Vlahutin. Kur ato të funksiononin gjithçka do të ishte rozë.

Por, kontrolli për prokurorët filloi dhe Arta Marku, megjithëse u fshikullua ashpër për emërimet dhe lëvizjet e saj, aspak transparente, doli e pastër prej tij.

Radha i erdhi edhe njërës prej këtyre të lëvizurave: Donika Prelës. Këtu historia nga tragjike fillon dhe bëhet komike. Pikërisht ajo, shefja e krimeve të rënda, nuk justifikon dot pasurinë, del se dy apartamente dhe një tokë në Petrelë i ka blerë (nuk dihet kujt njeriu të ndershëm i lindi në zemër) nën çmimet e tregut, se bashkëshorti i saj ka fshehur pagën e për rjedhojë edhe taksat.

Përfaqësuesi i OMN-së, belgu Teo Jacobs i shikon me sytë e tij këto gjëma që kanë djegur dhjetra të singjashëm më parë. Ai vë alarmin publikisht se ka mbetur me një shije të hidhur në gojë dhe se ky lloj modeli nuk bën pjesë në kodin e tij (video poshte).

Por, asgjë më shumë. Shfaqja teatrale e vettingut shtyhet edhe me një seancë plus, derisa trupa e përbrë prej Roland Ilia, Olsi Komici, dhe Valbona Sanxhaktari e shpallin Donika Prelën po aq të virgjër sa ç’e ka bërë nëna. Belgut të shushatur Jacobs, i cili në sytë e shqiptarëve simbolizon garantin ndërkombëtar që nuk do lejojë që reforma në drejtësi të shndërohet në badërdi, nuk i mbetet veçse ti shtrëngojë dorën para kamerave, Prelës.

Pa kaluar as dy javë nga ky episod, ajo njofton se do të konkurojë për pjestare të SPAK, zyrës speciale që do kryqëzojë politikanët e korruptuar dhe të kriminalizuar.

Kjo është kronologjia e fakteve nga e cila nuk është e vështirë të arrihet në përfundime.

Ajo, me anë të çiftit Arta Marku, Donika Prela tregon se pse u zgjodh një vit e gjysëm më parë mes tymit, flakëve dhe çizmeve, Prokurorja e Përgjithshme e një anshme.

Ajo tregon se, ndryshe nga sa thuhet, kush ka më shumë frikë nga krimet që ka kryer dhe po mundohet të kapi drejtësinë për ti varrosur ato.

Ajo tregon se si po përdhoset vettingu dhe se si po trajtohen si lolo oborri, përfaqësuesit e OMN-së që nuk duhet të toleronin degjenerimin e tij.

Ajo tregon se ç’plane po thuren për nesër, kur njerëzit që kanë dhënë garanci në skutat më të errëta të lidhjeve të politikës me krimin, po katapultohen përmes SPAK-ut në drejtësinë e së ardhmes.

Në këtë kuptim, sado i trishtë që të duket, përkimi i kandidimit të Donika Prelës në të njëjtën kohë me momentin e djegjes së mandateeve është një rast për reflektim; Një shembull simbol se kush i thotë vërtet vetes kundërshtar i kësaj skote mafioze, nuk mund të qëndrojë më në atë kuvend; Një argument shterues se pse opozita duket qesharake në atë sallë, ku Arta Marku u zgjodh në mënyrë antikushtetuese dhe ku reforma e votuar me 140 vota po përdoret si mburojë për krimin.

Ky akt radikal është një rrugëdalje shpëtimi edhe për ata diplomatë lokalë që sot po e anatemojnë me forcë atë. Sepse kjo është shpresa e fundit për të ndaluar vdekjen që pa lindur të një reforme për të cilën ata u investuan aq shumë. Pak më vonë do të jetë vërtet vonë. Dhe ata vetë do ti përqeshin në Tiranë, po njësoj si Kadafi, Asadi, apo Ben Aliu, bënë me perendimorët që i mbështetën dikur me shpresën se do ti bënin më të mirë.

Lapsi.al

More in IDE
Reputacioni në rënie u ka hequr të huajve mundësinë të ushtrojnë trysni për zgjidhjen e krizës

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei Reagimi i Komisionit Evropian për vendimin e të gjitha partive të opozitës për të...

Close