X

Përleshja masive në Kamzë, Policia identifikon dhe procedon 4 të rinjtë: Ja si nisi sherri

Dy ditë më parë, në rrjetet sociale u publikua një video, ku shfaqeshin 4 persona duke u përleshur fizikisht me njëri-tjetrin.

Përveç përleshjes fizike, nga pamjet filmike ata dukeshin që përdornin edhe sende të forta, shkopinj, gurë etj., e për pasojë ishin të gjakosur. Në pamjet filmike duket fillimisht një person që afrohej te vendi i ngjarjes me një makinë tip “BMW” dhe menjëherë pas tij afrohen 3 persona të tjerë.

Në këtë moment nis konfrontimi fizik mes tyre dhe të gjithë protagonistët e këtij sherri masiv duket që pësojnë dëmtime. Menjëherë pas publikimit të kësaj videoje, Policia nisi verifikimet duke mësuar se ngjarja kishte ndodhur në zonën e Kamzës, në Tiranë.

Për hetimin e ngjarjes u përfshinë shërbimet e Komisariatit Nr.5, që arritën të identifikojnë të gjithë personat e përfshirë. Burime nga policia e Tiranës thanë se ata u shoqëruan për t’u marrë në pyetje, ndërsa ndaj tyre nisi procedim penal në gjendje të lirë, me akuzën “Plagosje e lehtë me dashje”.

Policia tha se nga verifikimet e kryera rezultoi se ata ishin konfliktuar me njëri-tjetrin për motive të dobëta. Në njoftimin zyrtar, Policia tha se nga veprimet e para hetimore rezultoi se rreth orës 16:00 të datës 8 shkurt 2019, në qendër të Kamzës, për motive të dobëta, shtetasit E.K., Z.C. dhe H.C. janë konfliktuar me sende të forta me shtetasin D.Q., duke u dëmtuar në pjesë të ndryshme të trupit.

Ky konflikt, sipas Policisë, ishte nisur më parë nga shtetasi D.Q. Policia tha dje se materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës në ngarkim të 4 personave të përfshirë në sherr, për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”.

More in AKTUALITET, LAJME
Rritja e çmimit të zarzavateve, Spahiu ironizon Ramën: Të na rrojë projekti 100 fshatrat!

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Përparim Spahiu, ka reaguar lidhur me lajmin për rritjen e çmimit të zarzavateve. Spahiu...

Close