X

Komisioni i Prokurimit Publik i hap rrugën koncesionit të pompave të karburantit

Komisioni i Prokurimit Publik i hapi rrugën koncesionit të debatueshëm të kontrollit të pompave të naftës dhe gazit të lëngshëm, pasi rrëzoi të enjten ankesën e një kompanie zvicerane, që pretendoi se gara ishte diskriminuese për operatorët e huaj.

Sipas vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik, pretendimet e kompanisë “Penzoil Trading SA” për një sërë pikash të procedurës tenderuese, të shpallur nga Ministria e Financave më 18 tetor 2018, nuk qëndrojnë.

“Autoriteti kontraktues lejohet të vijojë me hapat e mëtejshëm të procedurës së mësipërme konkuruese,”thuhet në vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik. Aty njoftohet gjithashtu se kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të shkallës së parë.

Tenderi për koncesionin e kontrollit ligjor të instrumentave matëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm u shpall nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë më 18 shtator 2018, por procedura u pezullua pas ankesës së paraqitur nga kompania zvicerane.

Zanafilla e projektit koncesionar nisi në dhjetor 2016 me një propozim të pakërkuar të kompanisë “Noa Control”, e cila u ofrua të zëvendësonte drejtorinë e Metrologjisë në kryerjen e kontrollit të distributorëve të karburanteve dhe gazit të lëngshëm.

Një vit e gjysmë pas propozimit, kompania private u shpërblye me një bonus prej 10 pikësh nga Këshilli i Ministrave, një praktikë kjo e kritikuar e ligjit për koncesionet dhe partneritetin publik-privat. “Noa Control” është themeluar në prill të vitit 2015 nga aksioneri i vetëm Gentian Sula dhe vepron si partnere në Shqipëri e kompanisë spanjolle Applus.

Kontrolli ligjor i instrumenteve shpërndarëse të karburantit është një ndër aktivitetet kryesore që i ka mbetur Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë në Shqipëri dhe arkëton çdo vit rreth 80 milionë lekë në buxhetin e shtetit. Ministria e Financave dhe Ekonomisë synon ta japë atë me koncesion në këmbim të një investimi dysheme prej vetëm 64.8 milionë lekësh për një periudhë 20-vjeçare.

Aktualisht, operatorët janë të detyruar të kryejnë dy herë në vit verifikimin e pompave të karburanteve dhe paguajnë si tarifë 14 mijë lekë. Por projekti lë të hapur mundësinë që numri i verifikimeve periodike të detyrueshme në vit të ndryshojë në varësi të dakordësisë mes Ministrisë dhe koncesionarit.

Dhënia me koncesion e këtij shërbimi është kundërshtuar nga operatorët e tregut të karburanteve, ndërkohë që shoqatat përfaqësuese të biznesit apo ato në mbrojtje të konsumatorit kontestojnë mungesën e transparencës, të një strategjie të qartë të qeverisë si dhe rrezikun për kosto shtesë në çmimin fundor të naftës.

Kontraditat në tenderin e shpallur nga Ministria e Financave janë nxjerrë në pah edhe nga Confindustria Albania, një shoqatë që përfaqëson një grup industrialistësh italianë në Shqipëri. Përmes një deklarate për shtyp, shoqata Confindustria Albania denoncoi shmangien e detyrimit ligjor për konsultime me publikun dhe grupet e interesit si dhe përjashtimin e kompanive të huaja nga konkurrenca përmes kriterit për akreditimin.

Projekti koncesionar i kontrollit të pajisjeve në karburante nuk është i vetmi në këtë sektor. Në fillim të vitit 2013, qeveria e drejtuar nga Berisha firmosi koncesionin e markimit, tarifë e transferuar kjo në çmimin fundor të karburantit. /Aleksandra Bogdani  BIRN

More in AKTUALITET, INVESTIGIM, LAJME
Basha me studentët në Vlorë: Ja tre zgjidhjet e PD-së për arsimin

Në turin e takimeve për protestën e 16 shkurtit, lideri i PD, Lulzim Basha po zhvillon një bashkëbisedim me studentë...

Close