X

Hetimet për “Unazën e Madhe”, prokuroria kërkon ekspertizë të huaj

Prokuroria e Tiranës do të kërkojë ekspertizë të huaj në lidhje me vlerën financiare të projektit për Unazën e Madhe, pasi ka dyshime se vlera prej rreth 18 milionë eurosh për një kilometër është më e lartë nga sa është e nevojshme.

Burime nga Prokuroria thonë se hetimet për skandalin me tenderin, përveç kompanisë “Dh Albania”, kanë përfshirë edhe institucionet shtetërore dhe në funksion të hetimeve grupi hetimor mësohet se do të kërkojë ekspertë të huaj nga vendet e Bashkimit Europian, për të konkluduar në vlerën financiare që nevojitet për realizimin e një projekti të tillë.

Sipas dyshimeve, vlera monetare e projektit për ndërtimin e Unazës së Madhe është i “fryrë” dhe për këtë do të kërkohet një vlerësim tjetër, ku si referencë do të merren çmimet në vende të BEsë. Ekspertëve do t’u kërkohet të kryejnë një analizë financiare të çdo zëri shpenzimesh që përfshin ky projekt, duke nisur prej hartimit të tij e deri në zbatimin përfundimtar.

Kujtojmë se pak javë më parë, Gjykata e Tiranës, me kërkesë të Prokurorisë caktoi “Arrest në burg” për administratorin e kompanisë “Dh Albania”, Avdiol Dobin, ndërsa e akuzoi për tri vepra penale: për mashtrim, falsifikim të dokumenteve, si dhe pastrimit të parave.

HETIMET

Në fillim të dhjetorit, Prokuroria e Tiranës njoftoi se verifikimi për skandalin e bërë publik nga emisioni “Të paekspozuarit”, kishte nisur për 3 vepra penale. Konkretisht, për atë të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal, si dhe “Shkelje e barazisë në tenderë”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Ndërkohë që veprimi i parë hetimor ishte dërgimi i një letërporosie autoriteteve amerikane, sekuestrimi i dokumenteve të tenderimit nga institucionet dhe marrja e dëshmive së fundi, e dy drejtuesve. Ndërkohë, burime pranë Prokurorisë thonë se janë duke u bërë verifikime edhe për lidhje të “DH Albania” me kompani të tjera, për të parë bashkëpunimin mes tyre. Prokuroria kërkoi “Arrest në burg” për Avdiol Dobin, por burimet thonë se nën hetim janë edhe zyrtarë të ARRSH-së dhe OST-së, ndërsa pritet që në vazhdim të merren masa të tjera sigurie.

Pjesë e hetimit të organit të akuzës është edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, kjo për të verifikuar të gjitha parregullsitë e vërejtura në procedurën për marrjen e licencës nga ana e kompanisë, e cila më vonë do të fitonte dy tenderë në vlerën rreth 30 milionë euro. Ndërkohë, kujtojmë se ministrja e re e Infrastrukturës dhe Energjisë shkarkoi nga detyra si drejtorin e ARRSH-së, Afrim Qëndron, ashtu dhe atë të OST-së, Klodian Gradecin./Panorama/

More in KRYESORE, LAJME
Koço Kokëdhima shpërthen ndaj Edi Ramës: Është shërbëtor i Serbisë

Kryetari e partisë ‘ZGJIDHJA’, Koço Kokëdhima, reagoi ashpër pas deklaratës së Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një interviste televizive...

Close