X

BE, ultimatum shtetit europian: Hiqni dënimin me vdekje

Shërbimi Evropian për Veprime të Jashtme i ka bërë thirrje Bjellorusisë që të heqë dënimin me vdekje nga lista e dënimeve të mundshme për vepra penale, dy ditë pasi autoritetet bjelloruse e shqiptuan një dënim të tillë për një të dënuar për vrasje të dyfishtë.

Ky institucion i Bashkimit Evropian ka kërkuar që gjykatat e Bjellorusisë të japin dënime më të lehta për personat e dënuar me vdekje.

“Bashkimi Evropian shpreh ngushëllime të sinqerta për familjet dhe miqtë e viktimave. BE-ja është kundër dënimit me vdekje në çfarëdo rrethane. Ky dënim nuk është faktor që ndikon në rënien e krimit”, – thuhet në deklaratën e lëshuar.

BE kërkon gjithashtu që të miratohet një moratorium për dënimin me vdekje si hap i parë për heqjen e plotë të tij.

I dënuari më i fundit ishte Alyaksandr Asipovich, i cili u shpall fajtor për vrasjen e dy grave në qytetin lindor të Babruyskut.

Bjellorusia ka qenë në qendër të kritikave të aktivistëve për të drejtat e njeriut dhe vendeve të Bashkimit Evropian për shkak se është vendi i vetëm në Evropë që e zbaton dënimin me vdekje.

Bashkimi Evropian për vite me radhë i ka bërë thirrje Bjellorusisë që t’i bashkohet vendeve që kanë shpallur moratorium për dënimin me vdekje. / Free Europe

More in BOTA, LAJME
Flet studentja e dhunuar: Padrejtësi, protesta ishte paqësore

Emisioni “Kjo Javë” ka zhvilluar një lidhje me skype me studentët e ngujuar brenda Fakultetit Juridik, ku iu janë bashkuar...

Close