X

Meta kërkon hetim parlamentar për DSIK

Presidenti kërkon ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar për hetimin e veprimtarisë së Drejtorisë së Sigurimit të Informacioneve të Klasifikuara, DSIK mbi procesin e pajisjes me certifikatat e sigurisë për shtetasin Gent Cakaj, me detyrë zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Kërkesa me nr. protokolli 16/2 dhe datë 11 janar 2019, i është drejtuar kryetarit të parlamentit.

Ky hetim nis pas zbulimit se Gent Cakaj i cili ka mbajtur postin e zv/ ministrit pa pasur një çertifikatë sigurie për 7 muaj u pajis nga DISK me certifikatë sigurie brenda një dite.
“Vetëm më datën 3 janar 2019, moment ky që përkon me bërjen publike të propozimit të kryeministrit për emërimin e tij në postin e MEPJ (si dhe tre ditë para firmosjes së propozimit për dekretim si ministër të MEPJ-së ai ka plotësuar aplikimin për certifikatë sigurie pranë kësaj ministrie dhe pse përmbushja e këtij detyrimi fillonte nga marrja e detyrës si zv/ ministër i MEPJ-së.” thuhet në letrën e presidentit Meta.

Më 3 janar 2019, Ministria e Jashtme e ka përcjellë aplikimin e z. Gent Cakaj pranë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe kjo e fundit, e ka pajisur atë me certifikatat përkatëse të sigurisë 1 (një) ditë më pas më datë 04.01.2019. Pra rezulton se procesi i verifikimit, i kryer në këtë rast nga (DSIK) si Autoriteti i Sigurimit Kombëtar në Shqipëri është realizuar brenda 1 (një dite).

“Nga këto të dhëna të administruara, provohet se procesi i certifikimit të sigurisë për z. Gent Cakaj i kryer nga DSIK-ja vetëm brenda një dite (04.01.2019), duket hapur që është një proces i kryer në kushtet e urgjencës, dhe në kundërshtim me procedurën dhe kërkesat e ligji nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i ndryshuar dhe VKM nr.188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit. Në formën se si është kryer procesi i verifikimit të sigurisë për z. Gent Cakaj, ai nuk garanton besueshmërinë e duhur të Certifikatave të Sigurisë të lëshuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK).” thuhet në letrën e presidentit

Proces te dyshimte verifikimi – Z. Gent Cakaj mban dy shtetësi, ai është shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe shtetas i Republikës së Shqipërisë. Ai ka kryer studime jashtë territorit të dy vendeve (Shqipëri-Kosovë), respektivisht në shtetet Hungari dhe Belgjikë, vende këto ku ka jetuar për një kohë relativisht të gjatë.

“Referuar këtyre të dhënave, si dhe atyre që kërkohen dhe pasqyrohen të detyrueshme për deklarim në pyetësorin e sigurisë në aplikim, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kishte për detyrë në bazë të ligjit nr. 8457, datë 11.2.1999, “Për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror””, të ndryshuar, dhe pikës 13, 14 të VKM nr. 188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit”, të kryejë një verifikim të thelluar të të gjithë informacionit të grumbulluar, jo vetëm në institucionet respektive të Republikës së Shqipërisë.

Në zbatim të nenit 21 të Rregullores së Sigurisë miratuar me VKM nr.188/2015, në rastin konkret ky verifikim do të duhej të kryhej edhe në organizatat partnere të Republikës së Kosovës. Konkretisht në këtë nen citohet se: “Përpara se të lëshohet CSP për një person i cili mban dy shtetësi, DSIK-ja bashkëpunon me autoritetet homologe për kryerjen e verifikimeve përkatëse”. Gjithashtu në detyrën si zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, dhe si kandidaturë e propozuar nga Kryeministri për pozicionin e ministrit të MEPJ-së, ky verifikim do të duhej të kryhej edhe në Belgjikë dhe Hungari, vende këto ku ka jetuar për një kohë relativisht të gjatë z. Gent Cakaj.
Referuar fakteve dhe të dhënave të z. Gent Cakaj, konstatohet qartë se nuk është kryer një proces i mirëfilltë verifikimi sipas kushteve, detyrimeve, kritereve dhe procedurës së parashikuar në Rregulloren e Sigurimit të Personelit, miratuar me VKM nr. 188, datë 04.03.2015.
Një proces verifikimi i realizuar në më pak se 24 orë krijon dyshime të rënda për veprimtarinë aspak objektive dhe në kundërshtim me ligjin nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i ndryshuar, VKM nr. 188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”, VKM nr.836, datë 14.10.2015 “Për miratimin e rregullores për punën me informacionin e klasifikuar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian” dhe akteve nënligjore në zbatim të tyre, të nxjerra nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.”

Pse duhet te hetoje parlamenti- Në letrën drejtuar dhe kryetareve të grupeve parlamentare argumentohet dhe arsyeja perse ky hetim i plote administrativ duhet te kryhet pa tjetër nga parlamenti.

“Duke qenë se nga ky proces shqyrtues i Presidentit të Republikës, janë evidentuar shkelje të rënda në veprimtarinë e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Presidenti i Republikës, vlerëson të domosdoshme kryerjen e një hetimi të plotë administrativ mbi veprimtarinë e këtij institucioni mbi këtë rast.

Nisur nga fakti që Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar është një institucion në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit, është e qartë se procesi i hetimit administrativ nuk mund të kryhet nga organe të tjera në varësi të Kryeministrit, pasi krijohet një situatë e pastër e konfliktit të interesit, gjë e cila mund të cenojë objektivitetin dhe cilësinë e hetimit të këtij rasti, Presidenti i Republikës, vlerëson se, për rastin konkret, Kuvendi i Shqipërisë mund të realizojë objektivisht këtë proces hetimor.”

More in AKTUALITET, LAJME
Hysaj te Atletico Madridi?

Elseid Hysaj pritet të largohet nga Napoli, pasi nuk është i preferuari i Carlo Ancelottit. Transferimi i tij te Chelsea...

Close